Kujtojmë ditëlindjen e Ipeshkvit, që vdiq për të mbetur i gjallë
R. SH. - Vatikan
… Si sot 112 vjet në Shkodër lindte një fëmijë, që do t’i takonte një fat sa i madhnueshëm, aq edhe tragjik: Imzot Ernest Çoba.
Emni i tij nuk përsëritet shpesh. Madje as sot, që ka ditëlindjen. Themi “ka”, me bindjen se e kremton çdo vit në Qiell.
E meritoi këtë fund, pasi provoi gjiththçka provuan martirët në kohët perandorëve të lashtë gjakatarë.
Ishte shtatshkurtë, me sy xixëllues fshehur pas syzeve të errëta, i përvuajtur, kryeultë, i matun. E sidomos i butë e i ëmbël, si fëmijët të cilëve u bënte katekizimin para Krezmimit në Kishën katedrale, që populli e quante dhe e quan edhe sot e kësaj dite “Kisha e Madhe”. Ishte një mësim i çuditshëm, të cilin ata që e morën, nuk e harruan kurrë më.
Do të mbetej në krye të Kishës në valën e martirizimit, i cili i ngjiste shumë atij, që ua përshkruante fëmijëve në katekizëm, kur ndalej tek ndonjë pamje tragjike si kryepremja e Shën Palit a kryqëzimi i Shën Pjetrit. Si t’ia ndjente zemra se edhe ai do të kishte një fund të ngjashëm.
Turma e fëmijëve ishte aq e madhe, sa e mbushte plot Kishën e cila gjithashtu quhej (e mbeti) “Kisha e Madhe”…
Kështu e thirrshin të rriturit e kështu edhe fëmijët, që njeni mbas tjetrit ndiqnin katekizmin, shpjegue me aq pasion nga Dom Ernesti, sa nuk do ta harronin për gjithë jetën asnjë fjalë të dalë nga goja e Atij, që do ta jetonte çka predikonte. Që do të shugurohej ipeshkëv, kur Kishës katolike nuk i kishte mbetur asnjë Prelat. Do të mbyllej në burgje, ku trupi i tij vocrrak do të pësonte torturat që pësuen martirët e kahmotshëm. E do të vdiste në një nga bimsat e burgjeve të tmerrshme komuniste. “Në harresë” - mendonin ata që e martirizuan atë që, kur vdiq, populli e quejti “fajtor pa faj” e “Ipeshkëv Shejt”.
“Dënimin e vuajti në burgun e Tiranës, ku vdiq i mbuluar nga heshtja, pas një injeksioni që iu bë në spitalin e burgut më 8 janar të vitit 1980. Vdekje e mistershme, që nuk u kujtua kurrë. Me rënien e komunizmit, eshtrat e tij u rivarrosën në Katedralen e Shkodrës.
Tani gëzon pushimin e pasosur e dritën e pambarueme”, në atë Katedrale, ku zani i tij tingëllues duket sikur del përsëri nga muret e u jep rishtas fëmijëve të qytetit të vet mësimin e katekizimit, duke i përgatitur edhe sot e kësaj dite të bëhen ushtarë të pamposhtur të Krishtit… Me zambakë të bardhë në dorë, në vend të pushkës…