Lutja Lutja

Lëmosha, lutja dhe agjërimi: program shumë përtej Kreshmëve

Treshja lëmoshë-lutje-agjërim synon të tregojë se feja përshkon të gjitha skutat e jetës: lëmosha është vëmendje ndaj të tjerëve; lutja, shenjë e njohjes së një Zoti të vetëm: agjërimi, një nga format më të njohura të pendesës e të pajtimit me Zotin e me vetveten. Këto janë tri përmasat e jetës njerëzore dhe besimtare: asaj horizontale (tjetri), vertikale (Zoti) dhe shpirtërore (vetja). Askush nuk mund ta quajë veten besimtar, pa pasur parasysh dhe pa i jetuar me ekuilibër të urtë

R.SH. - Vatikan

Çdo vit në fillim të Kreshmëve, përdoret për meditim një fragment nga Ungjilli i Mateut, marrë nga Kapitulli i 6-të, në të cilin Jezusi i porosit besimtarët të mos harrojnë lëmoshën, lutjen dhe agjërimin. Çka ua tërheq menjëherë vëmendjen atyre, që i dëgjojnë këto fjalë, është se për Jezusin fe para së gjithash është etika, e jo vetëm doktrina. Me fjalë të tjera, janë besimtarë, ata që bëjnë gjeste konkrete, në përkim me fenë. Në këtë vazhdë, autori i Letrës së Jakobit, na thotë: "Ç'dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka fe, por nuk ka vepra?" (Jak 2:14). Me pak fjalë, feja ta ndryshon jetën e t’i ndryshon edhe sjelljet: nëse nuk është kështu, ka qark të shkurtër, është iluzion ose falsitet.

Kur Jezusi  na propozon të japim lëmoshë, të lutemi dhe të agjërojmë, është në harmoni të plotë me farizenjtë, të cilët e dëgjojnë, sepse këto tri sjellje ishin pjesë e mësimit të tyre. Këto janë ndoshta gjeste shembullore, të cilave sigurisht mund t'u shtohen edhe vepra të tjera të mira.

Lëmoshë, për shembull, nuk do të thotë t’i ndash paratë, me ata që janë më të varfër: mund të dhurohet edhe koha ose aftësia. Lutja nuk është vetëm personale, por edhe liturgjike e komunitare. Agjërimi mund të kuptohet si heqje dorë nga zakonet e pabukura, si dhe privimi i disa vakteve ose i disa ushqimeve.

Por treshja lëmoshë - lutje - agjërim synon të tregojë sesi feja përshkon të gjitha fushat e jetës: lëmosha është shprehje e vëmendjes ndaj të tjerëve, lutja, shenjë e njohjes së një Zoti të vetëm, ndërsa agjërimi ka të bëjë me ne e me vetveten tonë. Këto janë tri përmasat e jetës njerëzore dhe fetare: përmasa horizontale (tjetri): ajo vertikale (Zoti) dhe ajo shpirtërore (vetja). Askush nuk mund ta quajë veten besimtar, pa i  pasur parasysh dhe pa e ruajtur drejpeshimin e mençur të këtyre tri përmasave: të natyrshme, të mbinatyrshme dhe vetjake. Në shumë raste, predikimi i Jezusit përqendrohet në një nga këto aspekte: këtu, në tekstin e Mateut, Mjeshtri i Nazaretit flet për të tre drejtimet, duke ia lënë vetë besimtarit detyrën për të  praktikuar herë pas here  kryesisht njërin, por pa lënë pas dore as dy të tjerët.

Çdo ditë, ose më mirë disa herë në ditë, duhet të vendosim, për shembull,  kur duhet të merremi në radhë të parë me fqinjin tonë, por pa harruar kurrë as Zotin, as vetveten.

Megjithatë, Jezusi nuk kufizohet vetëm në përsëritjen e rregullave morale të njohura nga farizenjtë. Nuk bëhet fjalë vetëm për të kujtuar se feja është etike: Zoti shqetësohet më shumë për faktin që këto sjellje të kenë  motivim të thellë dhe të saktë: “Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell. Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t’u nderuar prej njerëzve. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: ata e morën shpërblimin! Ndërsa, kur të japësh lëmoshë, të mos e dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë,  e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të shpërblejë.”

Kini kujdes të mos praktikoni drejtësinë tuaj përpara njerëzve, që të admiroheni prej tyre" (Mt 6,1). Ndoshta pikërisht nga këto fjalë buron mësimi i Jezusit: ka një "drejtësi njerëzore" që bën gjëra të drejta, dhe një "drejtësi hyjnore" që bën të njëjtat gjëra, por nga dashuria. Sjelljet janë të njëjta, por shkaku, i ndryshëm: ndjenja e detyrës apo edhe hipokrizia kanë pak të bëjnë me Atin, që Jezusi na bëri ta njohim. Mund të jesh i drejtë, por ende jo i krishterë: i patëmetë, por pa dashuri. Siç ndodh shpesh, fjalët e Jezusit gërvishtin sipërfaqen e jetës sonë si besimtarë dhe, duke hyrë thellë në vetveten tonë, na i drejtojnë të gjitha këto pyetje, që presin nga ne përgjigje. Posaçërisht në këto ditë të mëdha kreshmore, që i paraprijnë Pashkëve të Ngjalljes!

19 shkurt 2024, 14:20