Motër Nabila Motër Nabila 

Motra Nabila, nga Gaza, thirrje botës: "Duam paqe dhe respekt për të drejtat e njeriut"

Dëshmi e re, e fortë për mediat e Vatikanit nga murgesha e cila, së bashku me të krishterët e Rripit, është mbyllur në famullinë latine të Familjes Shenjte, si në barikadë: “Ujë, ushqim dhe ilaçe nuk mund të gjenden më. Tanket kthehen për të qëlluar rrugët e lagjes. Frikë për shtatë të plagosur që nuk mund të transportohen në spital: “Ata kanë ende shumë cifla armësh në trup. Ndërsa ilaçet nuk mjaftojnë për të gjithë”. Shpresa? "Këtë nuk e lëmë të shembet!".

R. SH. - Vatikan

Është e vështirë të lidhesh me ferrin e Gazës. Gati e pamundur. Linjat telefonike janë mirazh, interneti funksionon me ndërprerje, kur energjia elektrike nuk luan me njerëzit që duan dritë dhe kthehet vetëm  për pak orë në ditë. Në çastin kur motra Nabila Saleh ia besoi thirrjen e saj të dëshpëruar gjithë botës mediave të Vatikanit, zëri i saj u këput.

Shpejtoni

E pra duket mrekulli shtegtimi i klithmës së Motrës nga një qytet i rrethuar, i shkatërruar, ku askush e asgjë nuk hyn as nuk del. As një maje gjilpëre! “I kërkoj botës paqe, respekt për të drejtat e njeriut. I kërkoj të gjithëve të ndihmojnë Gazën sepse popullata po vuan” - i bën thirrje botës murgesha. Dhe për të sqaruar se nuk ka më kohë për të humbur, shton: “Shtëpitë nuk ekzistojnë më, ushqimi pothuajse ka mbaruar. Edhe ajo pak që gjendet, kushton pesë herë më shumë se zakonisht”. E pamundur të vazhdojë jeta njerëzore në këto vise të shndërruara në gërmadhë, nëse diçka nuk ndryshon së shpejti.

Të plagosur, që duhen shpëtuar

Në famullinë latine të Familjes së Shenjtë, ku murgesha e Kongregatës së Rruzares së Jeruzalemit strehohet së bashku me shumicën e të krishterëve të Rripit që nga fillimi i kacafytjes së Izraelit me Hamasin, ka ende shtatë të plagosur nga të shtënat e fundit. Dhjetori i mori jetën një nëne dhe vajzës së saj, të ftuar të strukturës kishtare. Pavarësisht nga të gjitha përpjekjet, nuk arritëm t'i transportonim në një spital, që t'i mjekonte: “Ne u dhamë vetëm ndihmën e shpejtë! Po a mjaftonte kjo, kur dy prej tyre kishin nevojë për një operacion urgjent, ndërsa të tjerët kanë ende shumë cifla armësh në trup?”. Jemi në famulli, ndaj nuk mund të bëjmë më shumë: ndër gjërat që mungojnë në radhë të parë, duhen kujtuar ilaçet - kujton motra Nabila, që falënderon më pas Mbretin e Jordanisë, i cili u hodhi të uriturve ushqime dhe ilaçe nga avionët. Dy herë". Gjithsesi, as kjo nuk mjafton.

Terror pa fund

Na mungon gjithçka, veç terrorit! Në vend të paqes, në rrugët e qytetit u rikthyen tanket izraelite. “E, pas tre-katër ditësh qetësie – tregon akoma  murgesha - na u kthye rishas lufta, edhe më e dhunshme se më parë. Tanket janë në lagje, janë edhe afër shkollës sonë. Dëgjojmë të shtëna, por falemindrës Zotit, në famullinë tonë nuk kanë arritur ende deri më sot”. Vdekja mbretëron në rrugët tona, ku ka mbetur gjallë vetëm shpresa! "Po ne shpresojmë në Zotin. Nëse nuk do të kishim besim këtu, të gjithë tashmë do të ishim të vdekur”.

Faleminderit që e lexuat këtë shkrim, përmes të cilit ndenjët  paksa me ne ndërmjet të shtënave e shpresës!

03 shkurt 2024, 11:35