Kërko

Motër Nelly Leon Motër Nelly Leon

Murgesha kiliane, që ndihmon gratë në burg, fiton Çmimin Zayed 2024

Motër Nelly León, kryetare e Fondacionit “Mujer, levántate” (Grua, çohu), u nderua për kontributin e saj në promovimin e Vëllazërimit Njerëzor. Përveç saj, çmimin e marrin edhe dy organizata bamirëse indoneziane dhe një kardiolog egjiptian

R.SH. – Vatikan

Janë katër, fituesit e edicionit 2024 të Çmimit Zayed për Vëllazërimin Njerëzor: një grua, një burrë dhe dy organizata bamirëse, që janë dalluar për “përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme në zgjidhjen e sfidave të ndërlikuara shoqërore dhe në promovimin e bashkëjetesës paqësore e të solidaritetit ndërmjet njerëzve, në nivelin ndërkombëtar dhe lokal”.

Juria - në të cilën, nga ana katolike, mori pjesë kardinali Leonardo Sandri, ish-prefekt i Dikasterit vatikanas për Kishat Lindore - zgjodhi murgeshën kiliane Nelly León, kardiologun egjiptian Sir Magdi Yacoub dhe organizatat indoneziane “Nahdlatul Ulama” e “Muhammadiyah”, konsideruar shembull për vlerat e mishëruara në Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në vitin 2019 nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmed Al-Tayeb.

Përveç nderimit global, çdo fitues do të marrë një milion dollarë për projektet shoqërore në vijim dhe do të bëhet pjesë e një rrjeti bashkëpunimi, i cili lidh të gjithë ata që kanë marrë Çmimin. Fituesit u paraqitën sot, 2 shkurt, në një konferencë ndërkombëtare për shtyp në Abu Dabi, kryeqytet i Emirateve të Bashkuara Arabe, ku do të mbahet ceremonia solmene për dorëzimin e Çmimit, më 5 shkurt, në Memorialin e Themeluesit të kombit.

Nga e djathta: motër Nelly Leon Correa, gjyqtari Mohamed Abdelsalam, Ulil Abshar-Abdalla, i Nahdlatul Ulama, Irina Bokova e Syafiq A. Mughni, i Muhammadiyah indoneziane
Nga e djathta: motër Nelly Leon Correa, gjyqtari Mohamed Abdelsalam, Ulil Abshar-Abdalla, i Nahdlatul Ulama, Irina Bokova e Syafiq A. Mughni, i Muhammadiyah indoneziane

Ndihma për gratë e privuara nga liria

Motër Nelly León, rregulltare katolike kiliane e Kongregatës së Bariut të Mirë, shoqëron që prej 25 vitesh dhimbjen e grave, që vuajnë dënimin në burg. Për të, drama e tyre është tejet mizore, sepse shpesh u duhet të lënë në shtëpi fëmijë të vegjël, por shoqëria nuk dëshiron ta shohë, prandaj, shpreson që marrja e Çmimit Zayed t’i bëjë të dukshme këto gra të privuara nga liria. Fondacioni “Grua, çohu”, kryesuar nga motër Nelly, u shërben mesatarisht 250 grave në vit përmes programeve të ndryshme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e 700 fëmijëve. “Ky Çmim do të na japë mundësi ta dyfishojmë, madje, ta trefishojmë këtë numër”, shprehet me emocion fituesja.

Kirurgu, që ka shpëtuar mijëra fëmijë

Kardiokirurgu i njohur egjiptian, Sir Magdi Yacoub, fituesi tjetër i çmimit Zayed, është i njohur për revolucionarizimin e transplanteve të zemrës me teknika inovative. U ka shërbyer sidomos fëmijëve të varfër, duke shpëtuar kështu mijëra jetë. Ky mjek ka themeluar Fondacionin, që mban emrin e tij, në Egjipt, si edhe organizatën bamirëse “Chain of Hope” (Zinxhiri i Shpresës) në Mbretërinë e Bashkuar, por, njëkohësisht, ka ngritur qendra për sëmundjet e zemrës në Mozambik, Etiopi dhe së fundi, në Ruandë. Çmimi Zayed 2024 u shtohet çmimeve të tjera, që ka marrë gjatë gjithë jetës, si Kalorës Britanik, Urdhri i Madh i Nilit dhe Urdhri i Meritës nga Mbretëresha Elizabeta II.

Juria e Çmimit Zayed tek Papa (18 dhjetor 2023)
Juria e Çmimit Zayed tek Papa (18 dhjetor 2023)

Islami në shërbim të drejtësisë dhe paqes

Protagonistët e tjerë të Çmimit Zayed janë dy realitete bamirëse të fesë islame. Me më se 190 milionë anëtarë në radhët e tyre, “Nahdlatul Ulama” dhe “Muhammadiyah” janë dy organizatat më të mëdha myslimane në Indonezi. Themeluar në fillim të shekullit XX, të dyja njihen për përpjekjet e tyre humanitare, për promovimin e paqes, me ndikim shumë pozitiv në jetën e popullsive në nevojë, si në Indonezi, ashtu edhe në vende të tjera. Ndër veprat e tyre bamirëse, përfshihen institucione të panumërta arsimore, spitale dhe projekte për lehtësimin e varfërisë.

02 shkurt 2024, 10:57