Në dhjetor rihapet Notre-Dame: Kisha e Parisit kumton një sërë ngjarjesh
R. SH. - Vatikan
Një procesion i madh popullor nëpër rrugët e Parisit do të jetë një nga ngjarjet përgatitore për rihapjen, më 8 dhjetor 2024, të katedrales Notre-Dame, kryeveprës gotike të dëmtuar rëndë nga një zjarr në vitin 2019, cak i mirënjohur për shtegtarët dhe turistët nga e gjithë bota. Procesioni do të shoqërojë kthimin e shtatores së Marisë me Foshnjën Hyjnore ndër krahë, kryevepër skulpturore e shekullit të 14-të, me gjatësi 1.80 metra. Eshtë Virgjëra që shpëtoi mrekullisht nga flakët dhe u ruajt deri më sot në kishën e Saint-Germain-l'Auxerrois, përballë Pallatit të Luvrit. Këtë ngjarje, aq të pritur, e bëri të ditur Imzot Laurent Ulrich, kryeipeshkëv i kryeqytetit francez, në një letër baritore, botuar më 2 shkurt, ditën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull. Rihapja, do të bëhet gjatë një triditshi, që do të fillojë më 7 dhjetor 2024 e që parashikon dorëzimin e Zojës nga shteti, që është pronari, tek marrësi, që është Kisha Katolike, rihapjen e organos, festën liturgjike me bekimin, një Magnificat ose një Te Deum dhe në fund, Mbrëmësoret. Shugurimi i altarit do të bëhet gjatë meshës së parë në katedralen e restauruar, më 8 dhjetor, të Dielën II të Ardhjes së këtij viti, ndjekur nga kremtimi i Zojës së Papërlyer, të nesërmen.
Një tetëditshe nga 8 deri më 15 dhjetor, për rihapjen
Rihapja e Notre-Dame do të shoqërohet me një tetëditshe. Nga 8 deri më 15 dhjetor, çdo ditë do të ketë një kremtim solemn me një temë të veçantë. Kryeipeshkvi Ulrich kujton praninë e figurave publike, atyre të Shtetit, që është pronar i ndërtesës, donatorëve, ekipeve që punuan atje gjatë pesë viteve të fundit, zjarrfikësve, që shpëtuan ndërtesën më 15 prill 2019, ipeshkvijve francezë, ipeshkvijve të huaj, përfaqësuesve të dioqezave franceze dhe të ftuarve të tjerë. Mbi të gjitha, Kryeipeshkvi Ulrich shpreson se "populli i Parisit" do të jetë i pranishëm në këto festime kaq prekëse, kur Zoja me Krishtin Fëmijë do të kthehen rishtas në shtëpinë e vet të lashtë e të re! Më pas, prelati kujton edhe organizimin e shtegtimeve nga famullitë pariziane dhe dioqezat e krahinës gjatë gjashtë muajve: nga dhjetori deri në qershor. "Unë propozoj, ose më mirë ngulmoj, që kjo festë, kjo periudhë feste, të jetë për të gjithë njerëzit e krishterë, të të gjitha moshave dhe kushteve", shkruan Ulrich në letër. "Nuk ka asgjë më të bukur se t’i shohësh shoqatat e krishtera që përpiqen të përhapin lajmin e gëzuar ndër famulli apo kuvende të tjera. Që ftojnë banorët e lagjeve me fëmijë e të rinj, të rritur e të moshuar, të shëndoshë e të sëmurë, me aftësi të kufizuara, e të pakufizuara. Vendas e të huaj. Nuk ka gjë më të bukur se sa t’i shohësh duke u kujdesur për të mos harruar askënd, për t'i bërë vend më të pafatëve, më të izoluarve, më të harruarve: janë ata që do t’i prijnë “Notre-Dame” - Zojës së tyre gjatë rikthimit në shtëpinë e vet, prej nga pati dalë krejt e padëmtuar nga flakët që shpaloseshin deri në qiell! Këtë kujtoi së fundi Bariu i Parisit, i cili falënderoi donatorët dhe mecenatët, të mëdhenjtë e të vegjlit, të cilët dhanë ndihmesën e tyre për rindërtmin e njërës nga Katedralet më të famshme të botës, përjetësuar edhe nga romani famëmadh “Notre Damme de Paris” shkruar nga Viktor Hugo.
Faleminderit që lexuat këtë artikull. Nëse dëshironi të qëndroni të përditësuar ju ftojmë të abonoheni në buletinin duke klikuar këtu