Shën Bonaventura nga Bagnoregio, Vittore Crivelli Shën Bonaventura nga Bagnoregio, Vittore Crivelli 

Shën Bonaventura, zë ende aktual

Ordo Fratrum Minorum, Letra për 750-vjetorin e vdekjes së Shën Bonaventurës, për nder të fratit, teologut, mistikut.

R. SH. - Vatikan

Me rastin e 750-vjetorit të vdekjes së Shën Bonaventurës, më 15 korrik 2024, në faqen e internetit të Urdhrit të Fretërve të Vegjël do të publikohet “Letra e Eprorëve të Përgjithshëm të Urdhrit të Parë dhe të Urdhrit të Tretë Rregulltar”. Për nder të fratit, teologut, mistikut.

“Një përvjetor që ofron mundësinë për të kujtuar, për të kremtuar dhe për të ripropozuar shërbimin e Doktorit Serafik, dhuruar Urdhrit dhe mbarë Kishës”, lexojmë në Letër.

Letra mban nënshkrimin e katër Eprorëve të Përgjithshëm: Fra Massimo Fusarelli OFM, Fra Roberto Genuin OFMCap, Fra Carlos Alberto Trovarelli OFM Konv dhe Fra Amando Trujillo Cano TOR (Epror i përgjithshëm i të Tretit Urdhër Rregulltar Françeskan).

Fretërit në faqen e tyre zyrtare kujtojnë se Papa Françesku, gjatë audiencës së fundit me Studium Biblicum Franciscanum, kujtoi edhe Shenjtin e Bagnoregio-s si dhe Prologun e Breviloquium-it të tij, në të cilin ai inkurajon të gjithë t'i afrohen "me besim të thjeshtë" Atit.

“Nuk është e lehtë të ripropozosh në pak rreshta pasurinë teologjike dhe françeskane që përmbajnë nëntë vëllimet e Opera omnia të Shën Bonaventurës” - kujtojnë ministrat në Letër.

“Bonaventura ishte mësues i teologjisë në Universitetin e Parisit deri në vitin 1257, kur u largua nga detyra, pasi u zgjodh epror i përgjithshëm i Urdhrit, detyrë të cilën e kreu vazhdimisht, deri në fund të jetës; duke kryer dy detyra, ai u shqua edhe si mistik, fusha e tretë e veprimtarisë së tij në dobi të Urdhrit dhe të Kishës, kur e vuri përvojën e takimit me Zotin në shërbim të të tjerëve, duke propozuar itinerare të mundshme”. Këto janë tre aspektet kryesore që duan të vënë në dukje Eprorët e Përgjithshëm Françeskanë duke e kujtuar e duke e kremtuar Shën Bonaventurën.

"Në teologjinë e Bonaventurës, mund  të rijetojmë ndjenjat e Françeskut të Asizit, që pati brohoritur: “Prandaj nuk duhet të dëshirojmë asgjë tjetër përveç të vetmit Zot të vërtetë, i cili është e mira e pambaruar, çdo e mirë,  gjithë e mira, e vërteta, e vetmja që është e mirë!”.

Bir i vërtetë i të varfërve, Bonaventura e kundroi të Tejetlartin si mister të pafund mirësie, që dhurohet nëpërmjet Krishtit në të gjitha realitetet”, lexojmë sërish në letrën që kujton edhe Shën Françeskun.

“Sipas Bonaventures, inteligjenca teologjike duhet të bëhet përvojë e Zotit  dhe pasion për këtë botë, duke na lejuar të zbulojmë në të një shenjë të qartë të dashurisë hyjnore”, përsërisin ministrat.

Shën Bonaventura  e begatoi shumë në Urdhrin e Fretërve të Vegjël. Me veprimtarinë e tij të gjatë drejtuese  i dha një identitet përfundimtar Fretërve të Vegjël, duke përsëritur dhe duke sqaruar një mandat të dyfishtë: impenjim të fortë për ungjillizimin dhe besnikërinë ndaj thirrjes së veçantë si Fretër të Vegjël - lexojmë më tej në letër.

Më në fund, Shën Bonaventura kujtohet edhe si mistik i dashurisë. Në histori, Bonaventura, më tepër se si epror dhe mësues, u kujtua si mistik deri në atë pikë, sa Leoni XIII e quajti  "princ i teologjisë mistike".  

13 shkurt 2024, 11:30