Shtohet persekutimi i të krishterëve iranianë, viktima të ajatollahëve
R.SH. – Vatikan
Në Iran, shtohet numri i të krishterëve, viktima të arrestimeve dhe të shkeljeve të lirisë fetare nga ana e Republikës Islamike e, publikimi i çështjes së tyre mund të çojë në vuajtje edhe më të mëdha. Kështu denoncon faqja e internetit “Article 18” (Neni 18), e specializuar në dokumentimin e represionit të Teheranit kundër pakicave fetare, veçanërisht kundër të krishterëve. Në të u botua sot (19 shkurt) raporti vjetor me titull "Viktimat pa fytyrë: shkelje e të drejtave të të krishterëve në Iran". Studimi është realizuar në bashkëpunim me OJQ të tjera ndërkombëtare, ku përfshihen Open Doors, Christian Solidarity Worldwide (CSW) dhe Middle East Concern. Përballë shtimit të të krishterëve të arrestuar "me 166 vetë në vitin 2023 krahasuar me 134 në 2022", autorët e dokumentit nënvizojnë se numri është edhe më i madh, pasi nuk bëhet publik.
"Shkelje sistematike dhe skandaloze"
Raporti, i botuar sot, konfirmon se është fjala për një "regres të situatës” mbi lirinë fetare në Iran, për shkak të shtimit të reagimit të autoriteteve ndaj protestave, që shpërthyen pas vdekjes së Mahsa Aminit, në duart e policisë së moralit. Këto të dhëna dalin edhe nga raporti i vitit 2023 të Komisionit Amerikan për Lirinë Ndërkombëtare Fetare, botuar majin e kaluar. Në të bëhet thirrje për ta konsideruar Republikën Islamike si "komb, që krijon shqetësime të veçanta" për "shkelje sistematike dhe skandaloze".
Arrestimi i njerëzve, që shpërndajnë Biblën
Një tjetër prirje e vitit 2023 është arrestimi i njerëzve, që shpërndajnë Biblën. Përbëjnë së paku një të tretën e arrestimeve. Vetëm nëntë të krishterë janë falur dhe janë liruar nga burgu, megjithëse "shumica e tyre" ishte në fund të dënimit, për shkak të "praktikimit paqësor të fesë", pra, as që duhej dënuar. Raporti përfshin edhe një seksion mbi abuzimet e veçanta me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR), në dëm të bashkësisë së krishterë iraniane. Janë të paktën 11 lloje shkeljesh, që kanë të bëjnë me lirinë e fesë ose të besimit, me lirinë e opinionit e të shprehjes, me lirinë e tubimit paqësor dhe me mbrojtjen nga arrestimi arbitrar, mbajtja në burg dhe tortura.
Presionet vazhdojnë edhe pas lirimit nga burgu
Së fundi, raporti përmban një seksion të veçantë me analiza, që shpjegojnë se presionet kundër individëve dhe familjeve të tyre vazhdojnë edhe pas lirimit nga burgu, përmes kontrollit e mbikqyrjes, mohimit të punës apo arsimimit, akuzave të reja dhe rihapjes së çështjeve të mbyllura. Këto shembuj, shpjegojnë OJQ-të aktiviste, tregojnë se Teherani mund ta bëjë "gjithnjë e më të vështirë për të krishterët qëndrimin në Iran". “Shumë ikin – përfundon raporti – vetëm për t’u përballur me sfida të reja si refugjatë, siç dëshmohet në dokumentin e vitit 2023 mbi situatën e të krishterëve iranianë, që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në Turqi”, vend krejt i pasigurt për ta.