Kërko

Xhamia Blu, Stamboll Xhamia Blu, Stamboll  

Stamboll, kisha e lashtë e Shën Shëlbuesit në Chora shndërrohet rishtas në xhami

Më 23 shkurt kisha Chora (KariyeCami) do t’i hapë dyert e saj për faljen e së premtes.

R. SH. - Vatikan

Pas Aghia Sophia, një tjetër kishë historike bizantine e Stambollit, kishë-muze gjatë 79 viteve të fundit, po përgatitet përsëri për lutjet dhe ritet islame. Është kisha e lashtë e Shën Shëlbuesit në Chora, e njohur në të gjithë botën për afresket dhe mozaikët e saj të pashembullt. Sipas njoftimeve të mediave turke, duke filluar nga gazeta Yeni Safak, data është caktuar tashmë: më 23 shkurt kisha Chora (KariyeCami) do të hapë dyert e saj për faljen e së premtes. Projekti për të ripërdorur muzeun Chora si vend adhurimi islamik nisi që në vitin 2020 dhe duhet të kishte përfunduar në tetor të atij viti. Më pas u fol për kryerjen e punimeve restauruese. Ndërsa këto ditë mediat turke dhanë lajmin se "restaurimi i gjatë" i asaj që quhet "Xhamia Kariye" mori fund.

Çfarë fati do të kenë thesaret e artit, që ruhen në këtë Kishë?

Kisha Chora ndodhet në pjesën veriperëndimore të qendrës historike të Stambollit, pak më larg nga Porta Bizantine e Adrianopojës. Njihet si një nga shembujt më të rëndësishëm të arkitekturës së shenjtë bizantine që vijon të shkëlqejë. Kompleksi i lashtë i manastirit u themelua në shekullin e 6-të. Kisha u ndërtua në shekullin e 12-të, për t’u restauruar plotësisht në fillim të shekullit të 14-të. Pas pushtimit osman të Kostandinopojës, ndërtesa vazhdoi të funksiononte si kishë dhe u shndërrua në xhami vetëm në vitin 1511. Pas shndërrimit në xhami, mozaikët dhe afresket u mbuluan me gëlqere, por nuk u shkatërruan. Në fund të Luftës II Botërore, ndërtesa u restaurua nga arkeologë dhe specialistë të Institutit Bizantin të Amerikës dhe Qendrës Dumbarton Oaks për Studime Bizantine, ndërsa në 1945 u shndërrua një muze shtetëror, në dispozicion të Këshillit të Ministrave të asokohe.

Mozaikët nuk do të soditen më, do të fshehen…

Mozaikët dhe afresket që dekorojnë brendësinë konsiderohen ndër veprat më të rëndësishme të artit bizantin. Në qendër të afreskeve dhe mozaikëve është mishërimi i Krishtit si gurrë shëlbimi Emri grek i bazilikës është "Kisha e Shpëtimtarit të Shenjtë jashtë qytetit". Shkurtimisht "En te Chōra”, shprehje e përdorur gjithnjë për të treguar ndërtesën që fjalë për fjalë do të thotë "në fshat". Në gusht 2020, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan konfirmoi vendimin e Këshillit të Shtetit i cili më 19 nëntor 2019 pati anuluar vendimin me të cilin kisha qe shndërruar në muze në vitin 1958. Ndërsa ndërtesa - e cila do të quhet "Xhamia Kariye" - do të përdoret për adhurim islamik, afresket do të mbulohen me qilima të kuq, të projektuar posaçërisht.

(Agenzia Fides 9/2/2024)

10 shkurt 2024, 12:16