Gesu, trasfigurazione Gesu, trasfigurazione

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës II të Kreshmëve 'B'

Kur na jep një lloj parathënie/të ringjalljes,/të lavdisë, të bukurisë tënde,/të gjendjes për të cilën jemi destinuar,/edhe ne, o Jezus, njëlloj si Pjetri,/do të donim të ndaleshim përgjithmonë e të ngopeshim me atë gëzim/që na i mbush dhe na i zgjeron zemrat./Por është vetëm një tundim i rrezikshëm,/sepse më parë, duhet kaluar nëpër kodrën e Kalvarit/duke mbajtur secili, kryqin e vet.../ Dashuria nuk mund të realizohet ndryshe,/përveçse me dhurimin e plotë të jetës,...

R.SH. - Vatikan

Shndërrimi i Jezusit para dishepujve, është dukje, që i paraprin Pashkëve. I  ndihmon dishepujt, e edhe ne, të kuptojmë se mundimet e Krishtit nuk janë mister vuajtjeje, por sidomos dhuratë e dashurisë së pafundme të  Jezusit. Prandaj, Shndërrimi i Jezusit kishte një vend të rëndësishëm në jetën e në mësimet e Kishës së viteve të para të krishterimit.

Dëshmi për këtë janë tregimet e hollësishme në Ungjill dhe ajo që thuhet në Letrën e dytë të Pjetrit (2 Pjt 1,16-18). Për tre apostujt e pjesës së sotme ungjillore, marrë nga kreu i 9-të i shën Markut, veli i misterit ra krejtësisht: ata panë dhe dëgjuan. Pikërisht këta tre apostuj, më vonë, në Gjetseman, do të jenë dëshmitarë të mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht, atij që Ati Qiellor e pati njohur si Birin e tij të dashur, para syve të tyre. Por, le të ndjekim Ungjillin e kësaj së diele II të Kreshmëve:

Nga Ungjilli Markut (Mk 9, 2-10)

2 Në atë kohë, Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre. 3 Petkat e tij u bënë dritë të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. 4 Atyre ju dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin. 5 Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit: “Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po i ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë”. 6 Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. 7 Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im - djali i Dëshirit! Atë dëgjoni!” 8 Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta. 9 Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë deri sa Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri. 10 Ata e mbajtën porosinë, por njëri-tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri?”

Të lutemi së bashku:

 

Kur na jep një lloj parathënie

të ringjalljes,

të lavdisë, të bukurisë tënde,

të gjendjes për të cilën jemi destinuar,

edhe ne, o Jezus, njëlloj si Pjetri,

do të donim të ndaleshim përgjithmonë e të ngopeshim me atë gëzim

që na i mbush dhe na i zgjeron zemrat.

 

Por është vetëm një tundim i rrezikshëm,

sepse më parë, duhet kaluar nëpër kodrën e Kalvarit

duke mbajtur secili, kryqin e vet.

 

Vërtet, plani i Hyjit nuk realizohet

me ndonjë marrshim triumfal,

në një udhë pa pengesa,

pa rreziqe e probleme.

 

Dashuria nuk mund të realizohet ndryshe,

përveçse me dhurimin e plotë,

me ofertën e vetvetes, e cila kalon

përmes shtegut të ngushtë e të rrëpirtë

të sprovës, të sakrificës.

 

Ja përse i çove

tre dishepujt në mal:

jo për t’i larguar nga çasti

vendimtar e i vështirë

i mundimeve dhe i vdekjes tënde,

por për t’i përgatitur

për atë ngjarje të dhimbshme,

që të mos tuten

para trupit tënd të shpërfytyruar

nga dhuna e keqdashja,

por t’i mbeten besnikë Mësuesit e Zotit të tyre.

24 shkurt 2024, 09:14