Kërko

Atë Fracesco Patton Atë Fracesco Patton

Toka e Shenjtë: fra Patton "zgjerojeni zemrën në lëmoshë”

Toka Shenjte: fra Francesco Patton, "zgjeroje zemrën dhe ndihmona sipas mundësisë" në lëmoshët e së Premtes së Madhe. Kjo, thirrja që Rojtari i Tokës së Shenjtë u drejton njerëzve vullnetmirë më 22 shkurt, duke u kujtuar lëmoshët e së Premtes së Madhe të Pashkëve, kushtuar tradicionalisht ndihmës për Vendet Shenjte

R.SH. - Vatikan

“Zgjerojeni zemrën dhe na ndihmoni sipas mundësive tuaja, që edhe ne të vazhdojmë të kujdesemi për këtë Tokë të Shenjtë dhe për fëmijët e saj”: kjo, thirrja që kujdestari i Tokës së Shenjtë, Atë Francesco Patton, u drejton njerëzve vullnetmirë më 22 shkurt, duke u kujtuar lëmoshët e së Premtes së Madhe, kushtuar tradicionalisht ndihmës për Vendet Shenjte. Në mesazhin për mbledhjen e lëmoshëve, kujdestari i Tokës Shenjte shkruan: “Pasi kemi jetuar më shumë se dy vjet në pasiguri për shkak të Covid-it dhe duke gënjyer veten se normaliteti qe kthyer, befas, më 7 tetorin e kaluar, shpërtheu një epidemi e re: lufta në Tokën Shenjte, e cila përveçse shkaktoi mijëra vdekje, bllokoi edhe një herë dyndjen e shtegtarëve, i detyroi fëmijët tanë të mos shkojnë në shkollë për periudha të gjata dhe la pa punë shumë nga të krishterët tanë në Tokën Shenjte, veçanërisht në Betlehem dhe në Palestinë, por edhe në qytetin e vjetër të Jeruzalemit dhe në Izrael”. Prej këndej “nevoja për afërsinë dhe solidaritetin e të krishterëve nga e gjithë bota. Para së gjithash përmes lutjes, mbasi jemi të bindur se vetëm veprimi i hirit të Zotit mund t'i ndryshojë zemrat dhe t'i kthejë ato në rrugën e dialogut, të pajtimit dhe të paqes. Pastaj solidariteti dhe afrimi përmes shtegtimit. Së fundi, afërsia dhe solidariteti edhe përmes ndarjes së burimeve ekonomike”. “Si fretër të Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë - kujton At Patton - është detyra jonë, sipas mandatit të Selisë së Shenjtë, të kujdesemi për vendet e shenjta, të jetojmë atje dhe t’i bëjmë ato vende lutjeje, t’i mikpresim besimtarët vendas dhe shtegtarët si dhe të kujdesemi për punët edukative si shkolla,  shtëpi për të moshuarit dhe familjet e reja, klinika dhe ambulanca, krijime të vendeve të punës. Lëmosha e së Premtes së Madhe shërben për të mbuluar një pjesë të këtyre kostove, falë bujarisë së besimtarëve nga e gjithë bota, falë bujarisë suaj”.

Me këtë rast - përfundon Patton - "ne, fretërit e Kujdestarisë së Tokës  Shenjte zgjasim dorën si lypës dhe ju drejtohemi juve që e Premtja e Madhe të jetë ditë solidariteti universal, ditë në të cilën të krishterët nga mbarë bota të kujdesen konkretisht për Kishën Nënë të Jeruzalemit, e cila në këto çaste ka shumë nevojë për të gjithë”.

23 shkurt 2024, 13:53