Kërko

Ukraina, kryeipeshkvi i Lvivit: luftojmë, jo me pushkë, por me Rruzare

Dy vjet pas fillimit të luftës, Metropoliti Mokrzycki flet për tmerrin që vazhdon të vuajë vendi: "Raketat dhe dronët bien mbi njerëzit dhe qytetet. Vriten të pafajshëm e shumë njerëz, madje edhe fëmijë e priftërinj, dëshpërohen ose preken nga sëmundje mendore". Megjithatë - pohon ai - "njerëzit kanë ende forcë e shpresë. E dinë se janë në dorë të Zotit dhe se vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë Ukrainën"

R.SH. - Vatikan

“Ajo që më jep forcë, shpresë dhe besim është se shoh që Provania Hyjnore nuk na braktis dhe ka shumë besim te njerëzit”. Dy vjet pas shpërthimit të konfliktit, Kryeipeshkvi Mieczysław Mokrzycki, Metropolit i Lvivit, shpreh shqetësimet dhe shpresat në një intervistë me Vatican Radio - Vatican News, duke nënvizuar se si në këtë kohë të errët e gjithë Ukraina është lidhur me një zinxhir lutjesh. "Ne jemi luftëtarë të Zotit, jo me pushkë, por me rruzare, jo në fushën e betejës, por në gjunjë përpara të Shenjtnueshmit Sakramend” - pohon.

Ndiqeni intervistën me Kryeipeshkvin Mokrzycki...

Shkëlqesi, edhe në Lviv sirenat vazhdojnë të bien dhe qyteti të bombardohet. Çfarë ndjen zemra Juaj në përvjetorin e dytë të luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë?

Ndërmjet shumë fjalëve që lexojmë në faqet e Ungjijve, më preku në shpirt një pohim i Jezusit: "Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe, që jep fryt të mirë”. Vërtet, çdo pemë mund të njihet nga fryti i saj. Këto fjalë janë për ne zëri i së vërtetës, i cili na krijon mundësinë të gjykojmë sjelljen e njerëzve që, duke ndjekur të keqen, bëhen fryte të hidhura për të tjerët. Edhe kur thonë se duan të mbrojnë dhe të çlirojnë, ne shohim se nuk është kështu. Në vend të paqes, përftojnë luftën. Në vend të dashurisë, përftojnë urrejtjen. Në vend të qetësisë, përftojnë frikën. Ky është fryti i tyre, i hidhur dhe i thartë. Jemi të trishtuar nga fakti se disa dekada pas përfundimit të Luftës II Botërore,  duhet të mbrojmë lirinë tonë dhe të reflektojmë sesi qeniet njerëzore nuk janë në gjendje ose nuk mund t’i kujtojnë tmerret që la pas ajo luftë. Ne, nga ana tjetër, e mbajmë mend në mënyrë të përsosur: shumica vetëm nga historia, por ka njerëz që e kujtojnë atë periudhë si përvojë personale.

Fatkeqësisht, lufta është bërë përvojë personale e të gjithëve. Si e jetoni jetën tuaj në këto kushte aspak njerëzore?

Fatkeqësisht, aktivitetet ushtarake vazhdojnë. Raketat dhe dronët bien mbi njerëzit dhe qytetet. Ushtarë dhe njerëz të pafajshëm vriten. Shumë njerëz janë të dëmtuar, pa shtëpia, pa mjetet e tyre të jetesës, pa punë. E gjithë kjo krijon frikë, ankth, pasiguri. Shumë fëmijë, të rritur dhe madje edhe priftërinj bien në dëshpërim, depresion dhe në sëmundje mendore. Në këtë situatë, Kisha përpiqet t’i ndihmojë të gjithë. Ndihmojmë ushtarët që luftojnë përmes shërbimit të kapelanit, organizojmë shpërndarjen e ushqimit, ilaçeve, pajisjeve dhe madje edhe blerjen e dronëve. Vazhdojmë të mirëpresim personat e zhvendosur brenda vendit, të organizojmë ndihma humanitare dhe t'i dërgojmë në zonat e luftës. Këtë ndihmë e ofrojmë edhe për familjet e varfra të famullive tona. Organizojmë një veprimtari të gjerë baritore për të forcuar fenë dhe shpresën e tyre.

Imzot Mieczyslaw Mokrzycki, kryeipeshkëv latin i Lvivit
Imzot Mieczyslaw Mokrzycki, kryeipeshkëv latin i Lvivit

Si i ndihmoni njerëzit të kenë shpresë dhe guxim në këtë çast?

 Fillimisht, i ftojmë besimtarët të luten, të inkurajuar nga fjalët e Letrës së Shën Jakobit: “Kush prej jush ka dhimbje, le të lutet”. Padyshim që ne e kemi provuar dhimbjen e luftës. Kjo është arsyeja pse kërkesa e Apostullit është thirrje dhe detyrë për ne. Këtë mund t'u japim sot njerëzve tanë të dashur dhe gjithë Ukrainës. Lutja jonë duhet të jetë si temjani, i cili ka vetëm një drejtim, nga toka në qiell. Duhet të jetë britma e një zemre dhe e një shpirti. Edhe Papa Françesku na kërkoi ta bëjmë këtë: "Urojmë që lutjet dhe përgjërimet, që lartohen sot drejt qiellit, t’i prekin mendjet dhe zemrat e prijësve në botë, në mënyrë që të nisin dialogun dhe ta venë të mirën e përgjithshme mbi interesat private. Ju lutem, kurrë më luftë!”. Ky është qëllimi i lutjeve tona, të cilat bashkojnë zërat me zërin e Atit të Shenjtë, mbrojtësit të lirisë dhe të paqes. Prandaj, ndërsa vijojmë të vuajmë, arma jonë në luftën për paqe është lutja. Jemi luftëtarë të Zotit, jo me pushkë, por me rruzare. Jo në fushën e betejës, por të gjunjëzuar përpara të Shenjtnueshmit Sakramend. Në këtë mënyrë ne përqafojmë gjithë vendin me zinxhir lutjesh, veçanërisht ata që në frontin e kësaj lufte të çmendur, në emrin tonë dhe për të mirën tonë, luftojnë për lirinë e atdheut. Në këtë mënyrë ushqejmë një ndjenjë sigurie dhe solidariteti në jetën tonë. Përveç lutjes, një përmasë tjetër, që ndërton shpresën dhe forcën e shpirtit, është fjala e mirë. Sot nga të katër anët vijnë lajme, që nuk të ngjallin optimizëm, por shumë më shpesh, tmerr. Ja pse nga ne gurrojnë shpresa dhe ngushëllimi, fjala e mirë dhe mbështetja e shpirtit. Fjalët e Zotit Jezus "Mbani barrët e njëri-tjetrit" bëhen detyrë që duhet ta marrim përsipër, me të cilën duhet të shkojmë drejt njëri-tjetrit. Dhe këtu ka dëshmi për një qëndrim dashurie të bazuar në vepra. Ne duhet ta gjejmë veten në këtë realitet. Papa Françesku na kujton: “I mëshirshëm është ai, që kërkon t’i zgjidhë edhe problemet e të tjerëve”. Dhe përsëri: "Veprat e bamirësisë nuk janë mënyrë për t'u ndjerë më mirë, por për të marrë pjesë në vuajtjet e të tjerëve, edhe me çmimin e ekspozimit dhe të shqetësimit të vetvetes". Në këto kohë të vështira, ky është qëndrimi që ne inkurajojmë dhe përpiqemi të kemi, që njerëzit të shohin veprat tona të mira dhe të lavdërojnë Atin, që është në qiell”.

A ka sjellë fryte akti i lëshimit të Rusisë dhe Ukrainës në duart e Nënës së Zotit? Nëse po, cilat?

Menjëherë pas aktit me të cilin Papa Françesku ia besoi Rusinë dhe Ukrainën Nënës së Zotit në Vatikan, ashtu si bënë edhe famullitë e dioqezat tona, të shtunën pas pamë se ushtria ruse u tërhoq nga Kievi. Zoja e Fatimes inkurajoi lutjen, pendimin dhe kthimin në fe. E shohim edhe në shumë besimtarë të Kishës sonë dhe të riteve e besimeve të tjera. Njerëzit shohin se i vetmi shpëtim është te Zoti, se vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë Ukrainën. Dhe këto janë frytet e besimit te Nëna e Zotit. Me gjithë këtë situatë të vështirë, njerëzit nuk e humbasin shpresën. Kanë ende shumë forcë dhe optimizëm. E dinë edhe ta mbështesin njëri-tjetrin. Dinë, pse në këtë shohin nevojën për lutje dhe veprimin e hirit të Zotit. Ushtarët flasin shpesh për fuqinë e lutjes, që e përjetojnë dhe janë mirënjohës ndaj gjithë atyre, që luten për ta.

Shkatërrim për shkak të një rakete në Lviv
Shkatërrim për shkak të një rakete në Lviv

Por ku të gjesh shpresë në këtë kohë të errët?

Çka më jep forcë, shpresë dhe besim, është të shoh se Provania Hyjnore nuk na braktis dhe se ka kaq shumë besim te njerëzit. Një ushtar tregoi se çfarë i ndodhi në front. Tregoi se gjatë përleshjes atij dhe shokëve të tij iu mbaruan municionet dhe e dinin se ky ishte edhe mbarimi i tyre. Nuk mund të dilnin nga llogoret sepse do të ishte vdekje e menjëhershme. Kështu, pas pak, ata filluan të përshëndeten dhe panë ushtarët rusë që po  afroheshin. Një nga ushtarët ukrainas, i cili e dinte se ato ditë do të bëhej varrimi i xhaxhait të tij, vdekur në luftë, u lut: "Zot, o Zot, bëj diçka, sepse familja ime nuk do të mbijetojë pas dy varrimesh". Ushtari kujton se pas pak rusët u ndalën, u kthyen dhe u larguan. Për të dhe për ne është mrekulli e prekshme, shenjë e ndërhyrjes së Zotit. Një shembull tjetër: vëllai i njërit nga priftërinjtë e mi, që punon si mjek në front, një herë i tha vëllait të tij: "Ti e di që unë nuk jam besimtar, por e di edhe se jam gjallë vetëm falë lutjeve tuaja e të shokëve tu”.

A bëhet lutja forcë?

Në çastin veçanërisht të vështirë, në të cilin ndodhet Ukraina, ne duhet të jemi vigjilentë përpara kryqit të Zotit tonë, Jezu Krishtit. Sot, kur lufta është bërë realitet, duhet ta përqafojmë edhe më shumë Kryqin dhe të mbetemi të lidhur me këtë shenjë dashurie dhe shpëtimi, shenjë e fitores së jetës mbi vdekjen, e dashurisë mbi urrejtjen, e së vërtetës mbi gënjeshtrën, e përvujtërisë mbi egoizmin. Në këtë kohë të vështirë, Ukraina ka nevojë edhe për solidaritet të vazhdueshëm dhe zemërbardhë.

Sa rëndësi ka vazhdimi i solidariteti me Ukrainën e vuajtur?

Më lejoni në këtë pikë të shpreh mirënjohjen time për të gjithë meshtarët dhe besimtarët e Kishës në Ukrainë dhe jashtë saj, veçanërisht në Poloni, për qëndrimin e tyre plot me dashuri. Ky qëndrim është Ungjilli i gjallë i veprimit të mirë. Ishte Polonia ajo që i tregoi botës fytyrën hyjnore të dashurisë. Qëndrimi i polakëve i befasoi ukrainasit, ndaj janë të vetëdijshëm për zemrën e madhe, që rrahu për ta, e për humanizmin dhe krishterimin e tyre të vërtetë. Së fundi, do të doja të kërkoja që të mos humbasë kjo fytyrë hyjnore e dashurisë. Do të na duhet për një kohë të gjatë, edhe kur të vijë paqja e shumëpritur.

Një grua në lutje
Një grua në lutje
19 shkurt 2024, 16:31