Kërko

Ukraina nuk është vetëm në këtë orë të errët

R. SH. - Vatikan

Massimiliano Menichetti

Sot bëhen dy vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë. Sa vuajtje kemi parë, sa dhimbje. Njoha forcën, fenë e një populli që, pavarësisht nga dhuna, përpiqet ta ruajë zemrën nga urrejtja. Një populli, të cilit iu desh të ikte, të shihte njerëzit e tij duke vdekur, të strehohej në tunele, një populli të detyruar të marrë armët dhe të përdorë bombat në përpjekjen për t’u mbrojtur.

Të shumta historitë heroike, që i kaluan kufijtë, si ajo e Oleksandr-it, çiklistit që, në Kharkiv, me një grup shokësh, shpërndan ndihma për të sëmurët, invalidët dhe të varfërit; si ajo e murgeshave redentoriste, të frikësuara, por edhe të vendosura në fe, ndërsa lëvizin nëpër rrënojat e vendit të tyre duke ndihmuar, duke shpëtuar, duke ngushëlluar çdo nevojtar. E duke vënë sytë, krahët, fytyrat në shërbim të së mirës. Pamë tmerre dhe plagë shumë të thella në korp e në zemër. E nuk mund t’i harroj më shikimet e fëmijëve pa buzëqeshje.

Dëgjova baballarë, nëna, fëmijë... takova në tregimet e tyre një popull krenar, të dashuruar me tokën, me traditat dhe origjinën e tij, që vazhdon të shikojë drejt qiellit me shpresë, ndërsa sytë e larë me lot pyesin, njëheresh me të gjithë njerëzit e drejtë: kur do të përfundojë e gjithë kjo? Ukraina nuk është e vetme në këtë orë të errët, është në përqafimin e lutjes së Kishës e cila mbështet dhe ndërton paqen, që ndryshon zemrën e njeriut, e sigurtë se drita fiton gjithmonë mbi errësirën.

24 shkurt 2024, 12:16