Kërko

Papa Françesku pret Kryeipeshkvin imzot  Sviatoslav Shevchuk në Vatikan Papa Françesku pret Kryeipeshkvin imzot Sviatoslav Shevchuk në Vatikan  (ANSA)

Ukrainë, Imzot Shevchuk: “Mos na harroni! Solidariteti shpëton jetë"

Mirënjohja për ndihmën dhe solidaritetin, "baritoria e mortit" zhvilluar nga kleri vendas, forca e ushqyer nga feja në mes të vdekjes së përditshme. Ndjenjat e kreut të kishës greko-katolike pas dy vitesh luftë, për mediat e Vatikanit

R. SH. - Vatikan

“T’i kërkojmë Zotit paqen për popullin tonë, t’i kërkojmë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt,  ta lusim Zotin të na ruajë nga vuajtjet, nga vdekja. Me vetëdijen se Zoti është i gatshëm të na dhurojë edhe më shumë sesa  kërkojmë ne. Kjo na jep shpresë. Në bisedë me mediat e Vatikanit, kryeipeshkvi i madh i KievHalych, Sviatoslav Shevchuk, e përshkruan kështu dëshirën për paqen që vlon në zemrat e popullit ukrainas. Një mall, i shoqëruar me lutje të përditshme, ashtu si e përditshme, është prej dy vitesh fishkëllima e sirenave dhe zhurma e shpërthimeve që po e bëjnë vendin rrafsh me tokë.

Fortlumturia Juaj, prej dy vitesh shumë njerëz në Ukrainë zgjohen pothuajse çdo ditë nga tingujt e sirenave dhe të shpërthimeve. Të tjerë lexojnë lajmet me shqetësim. Të tjerë, akoma, kujtojnë të dashurit në front a në vende shumë të rrezikshme.  E mendimet tuaja, ku shkojnë kur zgjoheni e cilat janë lutjet tuaja të para?

Lutja e parë e mëngjesit kur zgjohem, është ajo e falënderimit. Sepse me të vërtetë çdo mëngjes, kur zgjohesh i gjallë, ke një arsye të thellë për ta falënderuar Zotin për dhuratën e ditës së re, dhuratën e jetës që duhet ta shndërrosh në dhurimin e vetvetes Zotit, Kishës, njerëzve tuaj. Në fund të fundit, unë e gjej kuptimin e kësaj lutjeje falënderimi në këto fjalë të Isaisë Profet: "Ndërsa ti vijon të flasësh, unë të përgjigjem: Ja ku jam në ty". (Is. 58, 9). Është me të vërtetë diçka që më prek thellë dhe që u jep kuptim lutjeve të tjera, sepse është fjalë shprese: më kujton se Zoti është i gatshëm të na japë më shumë se i kërkojmë . Natyrisht, ne i kërkojmë Zotit paqen për popullin tonë, kërkojmë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, lusim Zotin të na mbrojë nga vuajtjet, nga vdekja. Por, përpara se ta nisim këtë lutje me kërkesat tona, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se Zoti i gatshëm të japë më shumë se kërkojmë ne. E kjo na jep shpresë”.

Lufta sjell vdekje, vuajtje, shkakton urrejtje dhe krijon probleme të rënda sociale. Si përpiqet Kisha t'i kundërvihet gjithë kësaj?

Më duhet të them se në këto dy vite të pushtimit në shkallë të gjerë - që në të vërtetë janë dhjetë vjet luftë - Kisha jonë ka pasur një lloj kujdesi baritor që mund ta quaj baritor zie sepse duhet të shoqërojmë njerëzit që qajnë, njerëzit që vuajnë, njerëzit që jetojnë në zi për humbjen e familjarëve, të shtëpisë, të botës së tyre. Sfidë kjo, sepse është shumë e lehtë të jesh bari i njerëzve të lumtur. Ndoshta sot kultura perëndimore ka nevojë, si të thuash, "për baritorinë e kënaqësisë", "baritorinë e rehatisë ", “baritorinë e  botës së konsumit. Ati i Shenjtë shpesh thotë se kjo baritori e paralajmëron njeriun modern kundër kësaj kulture të hedhurinës, që kërkon kënaqësi gjithnjë e më këndshme e me më pak përgjegjësi. Por në rrethanat e luftës kemi të bëjmë me një sfidë krejt tjetër: çdo ditë jetojmë tragjedinë e shkatërrimit të vendit tonë, të qyteteve tona, çdo ditë e shohim vdekjen me sy dhe fatkeqësisht ende nuk e kemi të qartë kur do të përfundojë. Prandaj kemi të bëjmë me një situatë dhimbjeje të thellë të popullit tonë dhe shpesh ndihemi të pafuqishëm përballë saj. Çfarë mund të bëjmë? Ndonjëherë i jepet përparësi pranisë, në vend që të bësh diçka: të jesh i pranishëm pranë njerëzve që qajnë, duke u përpjekur të tregosh se Zoti është me ne. Të gjesh fjalë të përshtatshme për nënën, që vajton birin e vrarë; fjalë, për t'iu afruar një të riu që ka humbur këmbët dhe nuk do më të jetojë ose një fëmije që pa me sytë e vet vdekjen e nënës. Çfarë mund t'i thuash këtij fëmije të gjorë, që nuk di të sillet jo vetëm me të tjerët, por edhe me veten? Ky kujdes baritor i mortit është sfidë, por është edhe kujdes baritor i shpresës, mbasi shohim se feja e krishterë na bën thirrje të çojmë shpresën e ringjalljes në mes të zisë së njerëzve. Këto janë rrethant e jetës sonë, jetës së Kishës dhe i shpalljes së Ungjillit në këtë tragjedi të madhe të luftës në Ukrainë.

Desha t'ju drejtoja edhe një pyetje jo të lehtë: nga e merrni forcën - ju personalisht, priftërinjtë, rregulltarët - për t’i shoqëruar njerëzit në këtë periudhë të errët?

Besoj sinqerisht se është mister. Ne nuk e dimë. Vetëm kur ta kthesh vështrimin drejt kësaj kohe lufte që tashmë ka kaluar - dy vjet - mund ta shpjegosh dhe të kuptosh nga e more forcën. Ndoshta, është e njëjta përvojë e pranisë së Perëndisë që jetoi Moisiu në Sinai kur Zoti i tha: ti nuk mund ta shohësh fytyrën time dhe të mbetesh i gjallë (shih Ek 33, 20). Ne mund ta njohim këtë prani që na frymëzon, që e rimbush forcën tonë vetëm duke parë shpinën e Zotit duke kaluar nëpër dhimbjen tonë. Më duhet të them se ka disa çaste kur ndihesh i ngarkuar: padyshim është lutja, janë sakramentet e Kishës. Sot mund ta ripohojmë këtë frazë të famshme të të krishterëve të shekujve të parë: “Sine dominico non possumus”, pra pa kremtimin e Eukaristisë nuk mund të jetojmë dhe as të punojmë. Pastaj, edhe rrëfimi i shpeshtë: ka një rizbulim të madh të sakramentit të pajtimit që shëron plagët tona shpirtërore, por edhe të psikikës njerëzore. Sepse ne jetojmë çdo ditë në rrezik, në takim me vdekjen. Për shembull, nuk e di nëse do të jetoj edhe një orë: ky është realiteti ynë. Prandaj duhet të jemi gjithmonë gati të vdesim dhe të paraqitemi përpara fytyrës së Zotit tonë. Pastaj është edhe një çast i tretë, që ndikon në veprimtarinë tonë: padyshim, pas çdo bombardimi, çdo sulmi me raketa ne perceptojmë frikën, pësojmë plagë të reja psikologjike, por është e rëndësishme që kjo energji frike të shndërrohet në veprim. Shumë njerëz tregojnë se pas çdo sulmi me raketa vërejnë rritjen e veprimtarisë. Kjo energji që shpërthen brenda teje kur dëgjon zhurmën e luftës dhe dridhjet e shtëpisë tënde duhet të shndërrohet në veprim solidariteti, shërbimi: të bësh mirë të ndihmon të shërohesh, duke e shndërruar dhimbjen në solidaritet me ata që qajnë, e vajtimin në bamirësi të krishterë. Ky shndërrim i "gjallërimit" në "veprim", por në veprim pozitiv, konstruktiv, është diçka që na jep shpresë. Ndoshta këto tre realitete mund të perceptohen si një sekret i rezistencës sonë, sekreti i shpresës së krishterë të popullit ukrainas sot.

Pra, a vazhdon populli ukrainas të shpresojë edhe pse ka çdo arsye për t’ u dëshpëruar?

Më duhet të them se jemi të lënduar, por jo të dëshpëruar. Siç thotë Shën Pali, ne jemi të përbuzur, por jo të shkatërruar (shih 2 Kor 4, 9). Çdo ditë ne përjetojmë vdekjen e Zotit tonë Jezu Krisht në mishin tonë, për të përjetuar ringjalljen e tij. Njerëzit që besojnë në jetën e përjetshme, njerëzit që besojnë në Krishtin e ringjallur, gjejnë shpresë.

Dhe më duhet të them se shpresa nuk është një ndjenjë e kotë, duke besuar verbërisht atë që nuk e njeh. Jo, kjo nuk është shpresë e krishterë. Kuptimi i shpresës së krishterë është të Ngjallurit: ne me siguri do të ngrihemi përsëri.  E kemi këtë shpresë në jetën tonë sot, por ajo do të zbulohet plotësisht vetëm në jetën e ardhshme. Prandaj shpresa e krishterë është një virtyt që përfshin vullnetin, mënyrën e të të menduarit, arsyen dhe ndjenjat tuaja. Prandaj, është shpresa e krishterë ajo, që na hap perspektiva të reja. Në Ukrainë shpesh mund të dëgjojmë frazën latine “Contra spem Spero” (Shpresoj kundër çdo shprese) e cila u bë edhe titulli i një poezie të poetes së famshme ukrainase Lesja Ukrainka (1871-1913): shpresojmë në mënyrë të krishterë kundër dëshpërimit njerëzor. Prandaj syri i krishterë mund të shohë në këto kushte dritën e besimit, që ndoshta jobesimtarët nuk mund ta perceptojnë.

Sinodi i peshkopëve katolikë grekë në Ukrainë, i cili u mblodh në fillim të shkurtit, kishte si temë kryesore kujdesin baritor të familjes. Cilat janë sfidat kryesore në këtë fushë dhe çfarë po përpiqeni të bëni si Kishë?

Sot plani baritor i Kishës sonë, për të cilin ramë dakord në nivel Sinodi, mund të përmblidhet në këndvështrimin e shërimit të plagëve të njerëzve. Një nga prioritetet e kësaj vëmendje baritore është kujdesi baritor ndaj familjeve që përjetojnë zi. Është e rëndësishme të kuptojmë se si të shoqërojmë familjen dhe ne kemi bërë një analizë të thellë të situatës së jetës së familjes ukrainase. Para së gjithash, kuptuam se shumica e familjeve ukrainase fatkeqësisht jetojnë në një situatë ndarjeje të detyruar. Shumica e burrave sot luftojnë. Kjo do të thotë se këto familje jetojnë pa praninë e përditshme të babait. Pastaj kemi emigrim masiv: rreth 14 milionë ukrainas janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Shumica dërrmuese janë zhvendosur brenda vendit, veçanërisht nga rajonet lindore drejt pjesëve qendrore dhe perëndimore. Më pas, pothuajse 6 milionë njerëz u larguan nga Ukraina. Disa u kthyen, të tjerët vazhduan në vende të tjera. Do të thotë se këto familje janë të ndara sepse burrat nuk mund të largohen nga Ukraina. Shumica dërrmuese, 80%, e refugjatëve ukrainas të luftës në Evropë janë gra të reja me fëmijët e tyre. Është tragjedia e madhe e ndarjes. Statistikat zyrtare na tregojnë se në vitin 2023, në Ukrainë u regjistruan më shumë se 170 mijë martesa, numri më i ulët në historinë e vendit të pavarur. Në disa vite janë regjistruar 600 mijë martesa të reja. Por ka një statistikë tjetër që na trembi vërtet: përveç martesave të pakta, pati edhe 120 mijë divorce. Duke iu përgjigjur kësaj sfide të madhe, shteti ukrainas ofron sot martesën e regjistruar njëditore, domethënë njerëzit mund të aplikojnë online dhe brenda një dite bashkimi i tyre civil do të regjistrohet në qeveri. Kjo nga njëra anë duket se e lehtëson këtë regjistrim të martesës civile, por nga ana tjetër banalizon vetë konceptin e familjes. Nëse brenda një dite mund të regjistroheni, do të thotë që të nesërmen mund të divorcoheni dhe diçka e rëndësishme merret lehtë, pa   përgjegjësi të thellë. Ka edhe një situatë tjetër që na bën të reflektojmë. Para luftës, sfidat e mëdha përbëheshin nga dy lloje familjesh: familjet jofunksionale, domethënë ato që jetonin krizë, që ishin në prag të divorcit dhe që Kisha duhej t'i shoqëronte për të forcuar këtë lidhje familjare dhe me familjet e emigrantëve, kur nëna, gruaja kërkonte punë në Itali, Greqi dhe vende të tjera evropiane dhe burri mbetej në shtëpi me fëmijët. Rikthimi i nënës në familje është vërtet sfidë: si t’i riintegrosh këta njerëz në shoqërinë ukrainase, në familjen e tyre. Por tani kemi katër sfida të reja për kujdesin baritor të familjes. Para së gjithash, kemi familje që kanë humbur një të afërm, familje të reja, për shembull, një grua e re që ka humbur burrin dhe nuk mund t'u shpjegojë fëmijëve të saj se kur do të kthehet babai i saj. Këto vejusha të reja në Ukrainë sot quhen "tulipanët e zinj". Është me të vërtetë një tragjedi dhe ne duhet t'i shoqërojmë këto familje. Tragjedia tjetër është ajo e familjeve të të plagosurve rëndë në luftë. Sot, sipas statistikave zyrtare, në Ukrainë kemi 200 mijë njerëz, ish-ushtarakë dhe civilë, të plagosur rëndë. Dhe familja mban të gjithë barrën e shoqërimit dhe të ndihmës sociale dhe mjekësore të të dëmtuarit. Shpesh këto familje braktisen nga shteti i cili nuk është në gjendje të ofrojë ndihmën e duhur sociale. Këta njerëz të lënduar rëndë që kanë nevojë për kujdes të veçantë mjekësor shpesh nuk kanë as ushqim të mjaftueshëm. Vlerësohet se nga këta 200 mijë të plagosur, 50 mijë kanë humbur këmbët apo krahët, veçanërisht të rinjtë dhe kanë nevojë për rehabilitim dhe kujdes të veçantë. Të shoqërosh këta persona do të thotë jo vetëm të kujdesesh për trupin, ata kanë nevojë për terapi psikologjike profesionale, por kjo nuk funksionon pa shoqërim shpirtëror. Dhe si mund ta shoqërojmë shpirtërisht një të re 23-vjeçare që ka humbur krahët? Është vërtet një sfidë e madhe. Më pas kemi familje të tjera që kanë marrë lajmin se një i afërm i tyre është zhdukur në front dhe nuk ka asnjë lajm për të. Zyrtarisht 35 mijë persona janë regjistruar si të zhdukur. Ju nuk mund ta imagjinoni ferrin që kalojnë nëna dhe babai pa asnjë lajm për fëmijën e tyre apo gruaja që jeton pa lajme për burrin e saj! Imagjinoni një grua 25-vjeçare me dy fëmijë duke thënë: “Unë nuk di si të lutem, sepse nuk e di nëse burri im është gjallë apo ka vdekur. jam e ve apo jo? Si mund ta organizoj jetën time?”.  Kjo bëhet torturë sepse fëmija pyet çdo ditë, çdo mëngjes: "Kur do të kthehet babai im?". E nëna nuk di çfarë të përgjigjet, nuk di si t'i tregojë fëmijës së saj nëse babai i tij është gjallë apo ka vdekur.

Sa herë që lajmërohet një shkëmbim i ri i të burgosurve dhe kur shfaqen persona të regjistruar më parë si të zhdukur, këto shpresa ringjallen, por krahas shpresës ringjallet edhe dhimbja, zhgënjimi dhe vuajtja e thellë. Pastaj kemi edhe një kategori tjetër që janë familjet e robërve të luftës. Shoqërimi i tyre është një sfidë shumë e vështirë. Më duhet të them se në çdo famulli që vizitoj më paraqiten lista të pafundme familjarësh robër lufte. Unë i mbledh vazhdimisht këta emra, i shikoj këto fytyra të rinjsh dhe ia përcjell Atit të Shenjtë. Herë pas here shkruaj një letër me një listë të re të robërve të luftës. I jam thellësisht mirënjohës Atit të Shenjtë për angazhimin e tij për çlirimin e robërve të luftës. Ne e dimë se ku janë disa, për të tjerët nuk e dimë. Lutemi që një ditë të lirohen dhe të kthehen në shtëpi. Kjo është tabloja e vuajtjeve të familjes ukrainase sot, kështu ka prekur lufta në zemrën e shoqërisë ukrainase, pra, të familjes. Një përmasë tjetër e jetës së shoqërisë ukrainase janë fëmijët. Po shohim një rënie dramatike të lindjeve në Ukrainë. Sipas statistikave shtetërore, 210 mijë fëmijë kanë lindur në vitin 2023. Për vitin 2024 priten vetëm 180 mijë lindje. Një e treta e asaj që ndodh normalisht në Ukrainë. Zyrtarisht qeveria ukrainase pretendon se 527 fëmijë u vranë dhe 1224 u plagosën me shkallë të ndryshme të ashpërsie. Natyrisht, një krim i madh kundër dinjitetit të fëmijës janë dëbimet nga qeveria ruse e fëmijëve ukrainas nga zonat e pushtuara në Rusi, që u ndanë nga prindërit e tyre. Autoritetet ukrainase thonë se kanë identifikuar dhe verifikuar informacione për rreth 20,000 fëmijë që u deportuan në Rusi gjatë luftës në shkallë të gjerë. Numri i përgjithshëm i fëmijëve që, sipas burimeve ruse, janë sjellë, në mënyra të ndryshme, nga territoret e pushtuara në Rusi është afërsisht 700 mijë. Qeveria ukrainase pretendon se që nga 24 janari  2024, u fol për 388 fëmijë, që është një numër relativisht i vogël. Jemi mirënjohës që Gjykata Ndërkombëtare po studion këtë fenomen dhe tashmë po e cilëson si krim kundër njerëzimit. Por ne duhet të lutemi për këta fëmijë sepse janë ndër më të dobëtit dhe më të cenuarit dhe gjatë luftës ata që vuajnë më shumë, ata që marrin plagët më shkatërruese janë më të dobëtit. Ky fenomen i fëmijëve të luftës në Ukrainë është një tjetër fatkeqësi humanitare me të cilën ne sot, si Kishë, duhet të përballemi, duhet t'u japim zë këtyre fëmijëve të heshtur, t'i ndihmojmë prindërit të gjejnë fëmijët e tyre dhe gjithashtu t'i shoqërojnë ata. Takova disa fëmijë që ishin dëbuar nga rusët dhe më pas përmes mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshirë misionin e kardinalit Matteo Zuppi, u kthyen në familje. Këta fëmijë kanë vërtet nevojë për kujdes të veçantë, meritojnë vëmendje të madhe, shoqërim baritor shumë të veçantë, sepse në moshën e tyre të vogël kanë përjetuar të gjithë mizorinë e mundshme njerëzore që ne të rriturit as nuk mund ta përfytyrojmë dhe disa prej tyre janë shfrytëzuar seksualisht. Kjo është një britmë dhimbjeje që lartohet nga Ukraina që të mund ta dëgjojë gjithë bota!

Cili është mesazhi juaj për katolikët në mbarë botën dy vjet pas fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë?  

Të bëjmë gjithçka për t'i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë! Të kërkojmë të gjitha mjetet për të frenuar agresorin, sepse lufta sjell gjithmonë me vete vdekjen, tragjedinë, shkatërrimin e njeriut dhe të gjithë shoqërisë. Unë do të doja që sot vëllezërit dhe motrat tona në Evropë dhe në mbarë botën të kuptojnë se lufta në Ukrainë nuk është "lufta ukrainase", domethënë nuk është thjesht fenomen që mund të mbyllet brenda kufijve të vendit tonë të vuajtur: është realitet që po pushton botën, është si  vullkan që shpërtheu në territorin ukrainas, por tymi dhe llava e tij shkojnë më tej. Kjo luftë herët a vonë do t’i prekë të gjithë, jo vetëm ushtarin në front dhe familjen e tij, por edhe të gjithë ata që jetojnë afër ose larg kufijve të Ukrainës, shoqërinë evropiane dhe madje edhe shoqërinë botërore. Prandaj kërkojmë solidaritet. Mos na harroni, sepse nëse harroni dhe braktisni, ky tërmet që po përjetojmë sot në Ukrainë do të trondisë gjithë botën. Ne shpresojmë se solidariteti do të shpëtojë vërtet jetë, se solidariteti mund të na ndihmojë të gjejmë zgjidhje, që ndoshta nuk i kemi menduar ende sot. Mos e harroni Ukrainën, mos na braktisni në zi e në dhimbje!

23 shkurt 2024, 13:38