Ukrainë: vritet një prift ortodoks ukrainas në Khersonin e pushtuar
R.SH. / Vatikan
Forcat ruse vranë një prift ortodoks ukrainas, Atë Stepan Podolchak, në qytetin Kalanchak, në pjesën e pushtuar të Kherson Oblast. Kumtin, që po qarkullon në rrjetet sociale ukrainase, e dha agjencia katolike e lajmeve Risu. Sipas asaj që lexojmë në faqen e internetit "Human Rights in Ukraine", Ati Stepan - prift i Kishës Ortodokse Ukrainase të udhëhequr nga Mitropoliti Epiphanius, i pavarur nga Patriarkana e Moskës - u rrëmbye nga shtëpia e tij më 13 shkurt.
Dy ditë më vonë, më 15 shkurt, e shoqja mori një telefonatë. Duhet të shkonte në morg për të identifikuar burrin e saj. Qendra e Gazetarëve për Hetimet (CJI), citon Svitlana Fominan, kryetare e administratës ushtarake të vendbanimit Kalanchak, që pohon: “Rusët e torturuan për vdekje. Ai ishte njeriu më i pastër që pata ndonjëherë fatin të takoja. Engjëll i zbritur mbi dhe: besnik ndaj Zotit, i pastër në shpirt, i ndershëm, i drejtë. Stepan Podolchak erdhi në Kalanchak nga rajoni i Lviv dhe, së bashku me kongregatën e tij, gjatë më shumë se 10 vjetëve, ndërtoi një kishë, këtu. Ishte gjithnjë pro-ukrainas, i mbante të gjitha shërbesat në gjuhën ukrainase, lutej për Ukrainën, sidomos, kur ra nën thundrën e të huajit. Ndoshta për këtë arsye rusët ia rrëmbyen gjënë më të çmuar që ka njeriu: jetën!
Sipas mediave vendase, prifti u zvarrit nga shtëpia këmbëzbathur, me kokë në thes. Kishte vazhduar, deri në atë çast, shërbimet fetare në gjuhën ukrainase, kur edhe gjuha ishte e pushtuar nga rusët, duke refuzuar ta kalonte bashkësinë e tij nën Patriarkanën e Moskës.