Atë Faltas: në Gaza, fëmijë të vetmuar dhe gra që lindin pa asnjë ndihmë
R. SH. - Vatikan
“Dje festuam Ditën e Gruas, ndërsa në Gaza që nga fillimi i luftës janë vrarë 9000 gra”. Këtë e kujtoi At Ibrahim Faltas, famullitar i Rojtarisë së Tokës Shenjte. Në artikullin e përsëritur nga agjencia e informacionit SIR. Frati kujton me trishtim të thellë: "Nuk mund t'ua mbyllim sytë, as zemrat fëmijëve të uritur dhe të frikësuar. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë duke ditur se 60 mijë gra shtatzëna në Gaza vuajnë nga uria dhe kequshqyerja në gjendjen e tyre delikate, kur përgatiten për t’i bërë botës dhuratën e jetës".
Faltas: në konfliktin e Lindjes së Mesme u vranë 10 mijë të mitur. Disa ende nën gërmadha
At Faltas ndodhet këto ditë në Itali për të vizituar fëmijët e sëmurë nga Rripi, të cilët kanë mbërritur falë kanaleve humanitare të aktivizuara nga Ministritë e Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme të Italisë e shoqata të tjera humanitare dhe tashmë janë të shtruar në spitale të ndryshme. “Në këtë luftë që shkatërron Tokën e Shenjtë - kujton me trishtim françeskani – kanë vdekur shumë fëmijë dhe shumë gra. Shumë fëmijë janë jetimë, shumë nëna kanë humbur fëmijët e tyre. Nuk mund të dallojmë dhe nuk bëjmë dot renditje ndërmjet mënxyrave të pafundme të luftës”. Faltas përshkruan situatën aktuale në Gaza: “Fëmijëve u mungon ushqimi dhe, si shumë fëmijë të tjerë në botë, po vdesin nga uria. Shumë mbetën jetimë dhe shumë u rritën para kohe. Gratë që rrezikojnë jetën e tyre për të dhuruar jetë, kanë të drejtë të kujdesen dhe të mbrohen”.
Operacione çezariane, pa anestezi
Padia e famullitarit të Rojtarisë së Tokës Shenjte është e fortë kur kujton se “gratë e Gazës lindin në kushte të tmerrshme higjienike dhe me pak forca. Ata përballen me prerje cezariane pa anestezi në spitale pa energji elektrike, pa ujë, pa ilaçe”. Ndaj është urgjente t'u japim përgjigje konkrete "fëmijëve që kërkojnë ndihmë për të jetuar, të vegjëlve, që po dalin në jetë me kaq shumë vështirësi", që po durojnë të uritur, "sepse uria e tyre duhet të presë deri sa njerëzit e pushtetshëm të botës t’u japin lejë të ushqehen, ose të japin pëlqimin indiferent dhe të heshtur për t'i lënë të vdesin nga uria". Kush do t'i fshijë traumat e përjetuara?
Në Itali anija me fëmijët e Gazës, Faltas: vendi tregon sërish fytyrën e tij më të mirë
Atë Ibrahim Faltas nënvizon se shumë nga viktimat e vogla të luftës "po sillen si të rritur për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë”. Unë i dëgjoj historitë e tyre - tregon ai për SIR – i lexoj historitë e tyre dhe përpiqem të kuptoj se si bëjnë disa të rritur që të mos ndjejë nevojën dhe domosdoshmërinë për t’u ndaluar, për të ndihmuar, për të mos bërë më padrejtësi”. Ai e pyet veten se si do të jetë e mundur të "fshihet trauma e dikujt, që ishte nën rrënoja dhe u shpëtua ndërsa anëtarët e tjerë të familjes së tij vdiqën pranë tij" ose "të ngushëllohet ai fëmijë disavjeçar, i cili përpiqet të ngushëllojë nënën e tij, që ka humbur një fëmijë tjetër?".
Një lutje, për ata pësojnë krimet e luftës!
"Të lutemi - përfundon famullitari - që drita e së vërtetës, e cila mposht hipokrizinë, të hyjë në ndërgjegje. T’i mbrojmë ata që vuajnë të këqijat e luftës, të jemi zëri i atyre, që nuk kanë më zë për të kërkuar të vërtetën, drejtësinë, paqen”.