Nënë Tereza: Pashkët, ditë rilindjeje
R.SH. - Vatikan
Nëse doni të ndryshoni botën, shkoni në shtëpi dhe duajeni familjen tuaj. Aty ku është Zoti, ka dashuri. E ku ka dashuri, ka gjithmonë shërbim. Pashkët janë pikërisht çasti më i bukur dhe më domethënës që ju ndihmon të zbuloni rëndësinë e njerëzve më të afërt: qoftë kjo një ditë rilindjeje dhe rritjeje për ju. Uroj që këto Pashkë t'ju bëjnë ta kuptoni rëndësinë e gjërave të vogla, për të bërë pastaj, vepra e ndryshime të mëdha.
Sot në ditën e Krishtit të Ngjallur, hapni zemrat tuaja dhe dashuroni siç nuk keni dashuruar kurrë. E mos harroni: dashuria tregohet me fakte. Realiteti është më bindës sesa idetë abstrakte. Qofshin këto Pashkë një çast i që ju ndihmon të zbuloni thelbin e vërtetë të të dashuruarit. Jezusi është Zoti: prandaj dashuria e tij, etja e Tij janë të pafundme.
Krishti u Ngjall. Ai është guri i themelit. U bënë të gjitha përpjekjet për ta refuzuar dhe për ta mbytur me gurin e ruajtur dhe të vulosur të varrit. Por ai gur u përmbys. Krishti u ringjall.
Mos e refuzoni Krishtin, ju që ndërtoni botën njerëzore. Asnjëherë mos lejoni që shqetësimet tuaja të rriten deri në atë pikë, sa të harroni gëzimin e Krishtit të Ngjallur. Ne kemi nevojë vetëm për dashuri, ashtu siç na do Jezusi; për ndihmë, siç na ndihmon Jezusi, për të dhënë, siç na jep Jezusi dhe për të shërbyer ashtu si shërben Jezusi. Dashuria për Zotin duhet të jetë e natyrshme, si frymëmarrja. Duket absurde, por kjo është logjika e dashurisë….