Patriarca Neofit , Chiesa ortodossa bulgara Patriarca Neofit , Chiesa ortodossa bulgara

Bullgari, ka vdekur Patriarku i Kishës Ortodokse Neofit

Patriarku Mitropolit i Sofjes Neofit vdiq dje, më 13 mars, në moshën 78-vjeçare pas një sëmundje të gjatë. I lindur në një familje modeste dhe besimtare, me pasion të madh për muzikën dhe këngën, ai ishte patriarku i tretë i Bullgarisë. Edhe më herët ka mbajtur postin e kryesekretarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Bullgare gjatë përçarjes, duke luajtur një rol të rëndësishëm në grindjet e brendshme midis anëtarëve të Sinodit të Shenjtë

R.SH. / Vatikan

Kreu i Kishës së Krishterë Ortodokse Bullgare, Patriarku Neofit, ka vdekur mbrëmë në moshën 78-vjeçare, njofton Sinodi i Shenjtë. Simeon Nikolov Dimitrov vdiq "pas një sëmundjeje të gjatë. Patriarku ishte shtruar në spital që nga nëntori i kaluar për një sëmundje të mushkërive në Akademinë Mjekësore Ushtarake në kryeqytetin Sofje, ku ndërroi jetë”, njofton autoriteti i Kishës bullgare në një deklaratë.

Neofit, që konsiderohej si një person me mendje të mprehtë dhe me karakter të përzemërt, në shkurt të vitit 2013  u zgjodh në udhëheqje të Kishës Ortodokse Bullgare, besimtarët e së cilës përbëjnë dy të tretat e popullsisë së vendit. Ai pasoi Patriarkun më jetëgjatë bullgar, Maxim, i cili drejtoi Kishën Ortodokse Bullgare për më shumë se 40 vjet. Simeon Dimitrov lindi në një familje thellësisht fetare dhe u diplomua në Akademinë Teologjike të Sofjes në vitin 1971.

Udhëheqësi fetar karizmatik, në përgjithësi, u vlerësua si një nga figurat më diplomatike në Kishën Ortodokse Bullgare, në gjirin e së cilës pati shuar me sukses grindjet e brendshme midis anëtarëve të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Bullgare pas vdekjes së Patriarkut Maxim. Dhe ndërsa shumë nga peshkopët e Kishës tërhoqën kritika, për një stil jete jo në përkim me Ungjillin, duke jetuar me salltanet e ngarë makina të shtrenjta, Neofit ishte i njohur për modestinë e tij. Në vitin 2012, hapja e arkivave komuniste të Bullgarisë zbuloi se ai kishte bashkëpunuar me shërbimet sekrete gjatë ish-diktaturës së vendit.

Menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Neofit u bëri thirrje besimtarëve që të "luten për një përfundim të menjëhershëm të luftës", duke përkrahur haptas Kievin edhe pse Kisha Ortodokse Bullgare konsiderohet e afërt me Moskën. Gjatës vizitës apostolike të Papës në Bullgari, në maj të vitit 2019, u takua me Atin e Shenjët Françeskun në Katedralen Aleksandër Nevski të Sofjes.

14 mars 2024, 11:08