Kërko

 Gesù in Croce, Esaltazione della Santa Croce Gesù in Croce, Esaltazione della Santa Croce

Çelësi i fjalëve të Kishës: Kryqi

Jemi në përfundim të periudhës së Krezhmëve e afër së Dielës së Larit, me të cilën fillon Java e Madhe dhe e Shenjtë e Pashkëve, prandaj nuk mund të mos mendojmë për vuajtjet e mundimet e Zotit tonë Jezu Krisht, që do t’i përkujtojmë javën e ardhshme. Simbol i këtyre mundimeve është “kryqi”, por për të krishterët, ai është edhe shenja e ringjalljes e premtimi për jetën e amshuar. Pikërisht për “kryqin” do të flasim në emisionin e sotëm.

R.SH. / Vatikan

Jemi në përfundim të periudhës së Krezhmëve e afër së Dielës së Larit, me të cilën fillon Java e Madhe dhe e Shenjtë e Pashkëve, prandaj nuk mund të mos mendojmë për vuajtjet e mundimet e Zotit tonë Jezu Krisht, që do t’i përkujtojmë javën e ardhshme. Simbol i këtyre mundimeve është “kryqi”, por për të krishterët, ai është edhe shenja e ringjalljes e premtimi për jetën e amshuar. Pikërisht për “kryqin” do të flasim në emisionin e sotëm.

Ekzekutimi i tmerrshëm kapital, me anë të kryqëzimit, e ka origjinën në Lindje, por u praktikua gjerësisht nga romakët si dënim kundër skllevërve dhe rebelëve të provincave të ndryshme të perandorisë. Edhe në Izrael, mbreti Aleksandër Ianeo (103-76 a.C.), kryqëzoi 800 farisej para grave e bijve të tyre, ndërsa ai vetë drekonte me disa konkubina. Kryqi ishte një hu, që ngulej në tokë (prandaj në Veprat e Apostujve flitet shpesh për “drurin”); aksi horizontal sillej në vendin e flijimit nga i dënuari, që gozhdohej në të e më pas ngrihej bashkë me të. Këmbët vendoseshin mbi një mbështetëse, e cila mbante trupin, në mënyrë që të zgjatej agonia e vuajtja, ndërsa në një copë dërrase në majë të kryqit specifikohej arsyeja juridike e dënimit me vdekje. Kujtojmë se për Jezu Krishtin, kjo lloj tabele kujtonte se Ai pretendonte të ishte mbret i judejve, me një frazë të shkruar në hebraisht, që ishte gjuha lokale, në greqisht, gjuha e paganëve dhe në latinisht, gjuha zyrtare e kohës.

Përveçse në tregimin mbi kryqëzimin e Jezusit, të cilin ungjilltarët e shkruajnë duke pasur parasysh mesazhin, që duan të komunikojnë (për shembull, për shën Gjonin, kryqi është selia mbretërore e lavdisë së Pashkëve të Krishtit), mbi domethënien teologjike të kryqit flitet sidomos në shkrimet e Shën Palit. Apostulli i Popujve e sheh atë si shenjë themelore të fesë së krishterë, majën më të lartë të Mishërimit: vërtet, mbi kryq, Biri i Zotit zbulohet plotësisht si njeri, pasi hyn në humnerën e në errësirën e vdekjes.

Prandaj – thotë Shën Pali në Letrën e parë drejtuar Korintianëve – “predikimi për kryqin, për ata që dënohen, është marri” dhe predikimi për Krishtin e kryqëzuar është “për hebrenj shkandull e për paganë marri, por për të grishurit – si për hebrenj, si për grekë” është “fuqi e Hyjit dhe dije e Hyjit” (1 Kor 1,18.23-24). Si atëherë edhe sot, ka njerëz që nuk e kuptojnë pse të krishterët e nderojnë kaq shumë kryqin, por ata nuk e kanë parasysh se kryqi i Krishtit nuk është vetëm vuajtje, por mbi të gjitha ringjallje.

Në këtë dritë, kryqi bëhet motiv lavdie për të krishterin (Gal 6,14), pavarësisht se është emblemë e një akti të shëmtuar e të tmerrshëm, të ngjashëm me karrigen elektrike të ditëve të sotme. Përvijohet kështu, si tek Shën Pali, ashtu edhe tek Shën Gjoni ungjilltar, një interpretim i veçantë i kryqit. Ai është vertikal, thonë dy shenjtorët, prandaj bashkon qiellin me tokën: për këtë arsye, përmes kryqëzimit, mund të paraqitet qëllimi i vërtetë i vdekjes së Jezusit, që është ringjallja e Tij. Pashkët e Krishtit përshkruhen kështu si një “lartim” mbi kryq; ngritja e trupit të martirizuar të Jezusit mbi atë dru është “ekzaltimi” i lavdishëm i Pashkëve, burim shëlbimi e shpëtimi për të gjithë njerëzimin.

Në dialogun e Tij me Nikodemin, Jezusi e pati krahasuar kryqëzimin me lartimin e gjarprit në shkretëtirë e pati përfunduar: “Po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i Njeriut, që kushdo beson në të, ta ketë jetën e pasosur”(Gjn 3,14). E vetëm pak para mundimeve të Tij, pati thënë: “Kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit”(12,32). Shën Pali, duke përshkruar në një himn vdekjen e Krishtit në kryq, shenjë e skajshme e përvujtërisë, pohon: “Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër” (Fil 2,9). Udha e kryqit kthehet kështu në udhë drite e “nëse ndokush do të vijë pas meje” thotë vetë Krishti, i cituar në Ungjillin sipas Lukës, “ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë” (Lk 9,23).

21 mars 2024, 10:42