Çelësi i fjalëve të Kishës: lutjet e Krezhmëve
R.SH. – Vatikan
Siç e dimë, Krezhmët janë kohë, gjatë së cilës, ndoshta në një mënyrë krejt të veçantë, e vendosim lutjen në qendër të jetës. Në ditët e sotme është thelbësore të kuptohet rëndësia e lutjes, sepse lutja është, mbi të gjitha, dialog, marrëdhënie personale me Zotin. Sepse njeriu u krijua si qenie e lidhur personalisht me Zotin, gjë që realizohet plotësisht vetëm në takimin me Krijuesin e vet. Udha e jetës çon pikërisht drejt takimit përfundimtar me Zotin. Lutja është gjithashtu edhe dëgjimi i Zotit.
Lutja është rrugë e privilegjuar për të mësuar në shkollën e Zotit, sidomos, nga aftësia e Tij për të falur pafundësisht. Nuk është rastësi që lutja mariane e Shën Gjon Palit II ngre lart pikërisht vlerën e mëshirës:
“Mari, nënë e faljes, na ndihmo ta pranojmë hirin e faljes. Bëje këtë Krezhmë kohë të dobishme, kohë pajtimi dhe kohë shëlbimi për të gjithë ata, që kërkojnë Zotin”.
Për të qenë e frytshme, lutja duhet të na bëjë të dalim jashtë vetes, duhet të na i hapë zemrat për dashurinë e Zotit. Kështu shkruante Shën Ambrozi (339-340-397) duke komentuar Psalmin 118:
“Ai që mbyll dritaret e privon veten nga drita e përjetshme. Nëse e mbyllim portën e shpirtit, e lëmë Krishtin jashtë. Sigurisht, Ai mund të hyjë vetë, por nuk dëshiron të imponohet si i padashur dhe as t’i detyrojë ata, që e kundërshtojnë".
Ndër Etërit e Kishës së lashtë, Shën Qipriani i Kartagjenës, lindur rreth vitit 210 dhe vdekur në vitin 258, ishte ipeshkëv, martir dhe shkrimtar shpirtëror. Ndër veprat e tij më të njohura është edhe një studim i gjerë mbi lutjen “Ati ynë” ("De dominica oratione"), në të cilin ai nënvizon rëndësinë që çdo besimtar ta njohë natyrën e tij prej mëkatari.
“Askush nuk duhet të kënaqet me pretendimin se është i pafajshëm: duke u mburrur, ai që beson se është i pafajshëm, s’bën tjetër, veçse e keqëson pozitën e vet. I ftuar të lutet çdo ditë për mëkatet e tij, njeriu mëson se çdo ditë është mëkatar. Kështu na thotë edhe Shën Gjoni: ‘nëse mendojmë se jemi pa mëkat, mashtrojmë veten dhe të vërtetën që është brenda nesh. Nëse i pranojmë mëkatet tona, Zoti, që është besnik dhe i drejtë, do të na i falë ato’”.
Së fundi, ftesa për të dalë nga vetja, për ta njohur rëndësinë e hapjes së zemrës për praninë e Zotit, përmes kësaj lutjeje të Shën Injacit të Lojolës(1491-1556), themeluesit të jezuitëve:
"O Krisht Jezus,
kur gjithçka është errësirë
dhe e ndjejmë dobësinë e pafuqinë tonë,
na lër ta ndiejmë praninë Tënde,
dashurinë dhe forcën Tënde.
Na ndihmo të kemi besim të plotë
në dashurinë Tënde që mbron
dhe në fuqinë Tënde që përforcon,
që asgjë të mos na trembë a shqetësojë,
që, duke jetuar pranë Teje
të shohim dorën Tënde,
objektivat dhe vullnetin Tënd në të gjitha gjërat".