Kërko

Vigjilja e Pashkëve në Vatikan Vigjilja e Pashkëve në Vatikan

Çelësi i fjalëve të Kishës: Papët dhe Treditëshi i Pashkëve

Me të Enjten e Madhe, java që çon drejt Pashkëve hyn në fazën e saj kulmore. Të përjetojmë çastet qendrore të Treditëshit të Pashkëve, përmes mësimeve të Papëve

R.SH. – Vatikan

Misteri i mundimeve, vdekjes dhe Ngjalljes së Zotit Jezus është thelbi i Javës së Madhe. Treditëshi i Pashkëve fillon me Meshën e Darkës së Mbrame, kremtim që kujton themelimin e Eukaristisë, në mbrëmjen e së Enjtes së Madhe. Përkujtojmë Jezu Krishtin, që bekon bukën, e thyen, ua jep apostujve, duke thënë: "Ky është korpi im". E njëjta skenë përsëritet edhe me kupën e verës: “Ky është gjaku im”, thotë Biri i Zotit, i cili më pas u drejton dishepujve të tij fjalët: “Bëjeni këtë në përkujtimin tim”.

Jezusi na deshi deri në fund

Darka e Mbrame, nënvizon Papa Gjon Pali II gjatë Meshës in Coena Domini, më 12 prill 1979, është "dëshmia e asaj dashurie me të cilën Krishti, Qengji i Hyjit, na deshi deri në fund".

“Çfarë do të thotë: "I deshi deri në fund?" Do të thotë: deri në atë përmbushje, që do të realizohej të Premten e Madhe. Atë ditë do të dëshmohej sa shumë Zoti e deshi botën dhe se si, në atë dashuri, arriti kufirin e skajshëm të dhurimit të vetvetes, pra, deri në atë pikë sa të “dhuronte Birin e tij të njëlindur” (Gjn 6,16). Atë ditë Krishti dëshmoi se "nuk ka dashuri më të madhe se kjo: të japësh jetën për miqtë"”.

Darka e Mbrame
Darka e Mbrame

Krishti na lan me fjalën e Tij

Gjatë liturgjisë së meshës “In Coena Domini” kujtohet gjesti i larjes së këmbëve. Në mbrëmjen e së Enjtes së Madhe, një ditë para kryqëzimit, Jezusi u lan këmbët dishepujve. Krishti "na lan gjithmonë e rishtas me fjalën e tij", kujton Papa Benedikti XVI gjatë kremtimit të Darkës së Mbrame, më 20 mars 2008:

“Për këtë na fton Ungjilli i larjes së këmbëve: të lejojmë që të lahemi sërish nga ky ujë i pastër, të bëhemi gjithnjë të aftë për bashkimin e përzemërt me Hyjin e me vëllezërit. Por nga brinja e Jezusit, pas goditjes me shtizë të ushtarit, doli jo vetëm ujë, por edhe gjak (Gjn 19,34; shih 1 Gjn 5,6.8). Jezusi jo vetëm foli, nuk na la vetëm fjalë. Dhuroi vetveten. Na lan me fuqinë e shenjtë të gjakut të tij, domethënë me dhurimin "deri në fund", në kryq. Fjala e tij është më shumë sesa e folura e thjeshtë; është mish e gjak "për jetën e botës" (Gjn 6,51)”.

Jezusi shpëton gjithë njerëzimin

E Premtja e Madhe është dita e Kryqit, e heshtjes dhe e adhurimit. Është çasti i Mundimeve, i dashurisë së Zotit, që i afrohet çdo njeriu të flakur nga indiferenca dhe urrejtja. Nga Koloseumi, më 3 prill 2015, Papa Françesku nënvizon se te Jezusi i shitur, i tradhtuar dhe i kryqëzuar “shohim tradhtitë tona të përditshme dhe pabesitë tona të zakonshme”. Kryqi, shton Françesku, është "rruga drejt Ringjalljes" dhe e Premtja e Madhe është "rruga drejt Pashkëve të dritës".

“Në fytyrën tënde të rrahur, të pështyrë dhe të shpërfytyruar, shohim gjithë brutalitetin e mëkateve tona. Në mizorinë e Mundimeve të tua, shohim mizorinë e zemrave dhe të veprimeve tona. Në ndjenjën tënde të “braktisjes”, shohim gjithë njerëzit e braktisur nga familjarët, nga shoqëria, nga vëmendja e të tjerëve dhe nga solidariteti. Në trupin tënd me plagë, shohim trupat e vëllezërve tanë të braktisur rrugëve, të shpërfytyruar nga pakujdesi dhe indiferenca jonë. Në etjen tënde, o Zot, shohim etjen e Atit tënd të mëshirshëm që në Ty deshi të përqafojë, të falë dhe të shpëtojë mbarë njerëzimin. Në Ty, dashuri hyjnore, edhe sot i shohim vëllezërit tanë të përndjekur, kokëprerë e kryqëzuar për besimin e tyre në Ty, para syve tanë, ose shpesh, me heshtjen tonë bashkëfajtore”.

Mundimet e Krishtit
Mundimet e Krishtit

Kryqi është zbulesa e dashurisë

E Premtja e Madhe është edhe dita e Udhës së Kryqit në Koloseum, amfitetri romak, ku u martirizuan të krishterët e parë. Më 12 prill 1974, Papa Pali VI kujton kuptimin e Mundimeve të Krishtit: Jezusi është i pafajshëm, por "mori mbi vete shumën e pallogaritshme të mëkateve të botës, të mëkateve tona". "Kryqi është zbulesa e dashurisë".

“Mësimi i parë që vjen nga Udha e Kryqit është thirrja për ta njohur, për ta nderuar e për të simpatizuar me dhimbjen torturuese të Krishtit dhe të njerëzve vëllezër, të lidhur me të dhe të përfaqësuar prej tij në fatin e errët të dhimbjes. Ndërsa, çasti i dytë është ai i dhembshurisë, i simpatisë. Nëse realisht e kemi ndjekur, me ndonjë analizë të kujdesshme, dramën e Mundimeve të Jezu Krishtit, nuk mund të na shpëtojë fakti i zotërimit të plotë të vetvetes prej Tij. Madje, i butësisë së tij, i qetësisë së tij sovrane. Përballë tradhtisë së mefshtë, akuzave, sharjeve dhe fyerjeve, fjalët e Tij janë jashtëzakonisht të matura, nuk reagon, hesht. Heshtja e Jezusit është serioze, misterioze. Fjalët e rralla, që dalin nga buzët e tij, lartohen në një atmosferë superiore”.

Drita e Pashkëve

E Shtuna e Madhe është dita e hutimit të dishepujve, të tronditur nga vdekja e Mësuesit të tyre. Jezusi është në varr, por në këtë ditë lotësh, zemra e Marisë është plot besim. Nëna e Jezusit qëndron vigjilente, duke pritur. E kështu, në errësirën e së Shtunës së Madhe shpërthen drita e Vigjiljes së Pashkëve. Zoti u ringjall me të vërtetë! “Prej këtej – pohon Papa Gjoni XXIII në mesazhin radiofonik Urbi et Orbi të 21 prillit 1962 – frymëzohet jo vetëm apostullimi misionar, por edhe mbrojtja e guximshme e parimeve mbi të cilat është ngritur e gjithë ndërtesa e dinjitetit njerëzor, e qytetërimit të krishterë”.

“Pikërisht, përmes Ngjalljes së Krishtit, Ungjilli u përhap në mbarë botën, duke i rezistuar valës së forcave të së keqes, duke kapërcyer vështirësi të të gjitha llojeve. E keqja, e cila e ka fillesën në ‘princeps huius mundi’, si edhe pengesat që ekzagjerohen nga dobësia njerëzore, që shumëfishohen nga kompromiset, arritën ta thyejnë rezistencën fizike të krijesave të panumërta të brishta të gatshme për flijim gjatë shekujve. Por kaq e jo më shumë! Ungjilli mundi të depërtonte si farë frytdhënëse në shpirtrat e popujve. Dominus regnavit! Pjetri, i gjallë në pasardhësit e tij, vazhdon t'i sjellë botës kumtin e madh të Ringjalljes”.

Krishti u ngjall, varri bosh
Krishti u ngjall, varri bosh

Jezusi është mes nesh

Pashkët janë kulmi i Treditëshit, që përfundon me mbrëmësoret e së Dielës së Ringjalljes. Në këtë ditë, pas së shtunës, kumbon lajmi i gëzueshëm. Më 10 prill 1955, të dielën e Pashkëve, Papa Piu XII e filloi mesazhin e tij Urbi et Orbi me kumtin e engjëllit në agimin e Ringjalljes: "Surrexit, u ringjall". Krishti, pohon Papa Pacelli, "jeton mes nesh":

“Krishti është mes nesh! Shkëlqen me një dritë të parezistueshme realiteti i jetës aktive të Jezusit në Kishë. Ju vetë jeni dëshmitarë. Kjo Kishë, e cila nuk mund të jetë fryt i projekteve njerëzore – madje, është mohim i instinkteve të çrregullta dhe për këtë arsye, e urryer nga bota (shih Io. 15,18-19) - reziston, sepse në të është Ai, që ia ripërtërin freskinë e jetës dhe të rinisë. Është Zoti i bërë njeri dhe i ringjallur, që hyn brenda saj për ta ringjallur përjetësisht dhe shpirtërisht njerëzimin, duke u komunikuar atyre që besojnë në Të të vërtetën, hirin, paqen e Tij”.

28 mars 2024, 15:39