COMECE për BE-në: mos ua nënshtroni vlerat e krishtera interesave politike dhe racore
R.SH. – Vatikan
Të rikthehen vlerat e krishtera në qendër të debatit për të ardhmen e Europës, para ndryshimeve dhe sfidave me të cilat duhet të përballen institucionet europiane. Kjo është thirrja e ipeshkvijve anëtarë të Comece-së (Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian), në tekstin e nënshkruar edhe nga Konferenca e Kishave Evropiane, Asambleja Ndërparlamentare për Ortodoksinë dhe rrjeti "Së bashku për Evropën".
"Evropë, ji vetvetja"
Mesazhi u drejtohet institucioneve evropiane, kandidatëve për Parlamentin Evropian dhe partive politike, me rastin e zgjedhjeve të ardhshme të Parlamentit Evropian, që do të mbahen nga 6 deri më 9 qershor 2024. "Evropë, ji vetvetja!": ky është titulli. Nënshkruesit shprehin shqetësimin e tyre për "pasojat e krizave të njëpasnjëshme ekonomike, migratore, shëndetësore dhe energjetike në Evropë dhe në mbarë botën, si edhe për luftërat shkatërrimtare, që na rrethojnë". Të gjitha, sfida që vënë në dyshim vlerat evropiane, institucionet dhe parimet demokratike.
Mënjanimi aktual i vlerave të krishtera
Nënshkruesit nënvizojnë "rëndësinë jetike" të konceptit të demokracisë gjithëpërfshirëse dhe të pjesëmarrjes së gjerë të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes dhe të administrimit të çështjeve evropiane, por, vënë në dukje ata, një pjesë e madhe e evropianëve, që ndjekin vlerat e krishtera, sot, e ndiejnë veten të mënjanuar, “pasi nuk kanë mundësi të shprehin qëndrimet dhe opinionet e tyre”. Anëtarët e Comece-së dhe të organizatave të tjera denoncojnë edhe mospërmendjen e vlerave të krishtera në tekstet e BE-së, gjë që tregon mungesën e vëmendjes për traditën e krishterë si burim të vlerave evropiane. “Vëmë re me keqardhje – lexohet në tekst – se vlera, dikur të mirëqena, si paqja, stabiliteti e begatia, shteti i së drejtës si i kundërt me dominimin e pushtetit, tani janë lënë mënjanë”, ndërsa, për shkak të një ndjenje të përhapur frike dhe pasigurie, përmenden të ashtuquajturat "vlera tradicionale", shpesh duke i instrumentalizuar, si në rastin e koncepteve "atdhe" dhe "fe", që "armatosen, duke shndërruar në heronj figura të dyshimta historike".
Të punojmë së bashku për një axhendë të re politike evropiane
Para këtij realiteti, u bëhet thirrje institucioneve dhe forcave politike të Evropës të kenë parasysh vlerat e krishtera “të përbashkëta për një pjesë të madhe të qytetarëve evropianë”, pasi ato “mund të garantojnë qëndrim të sigurt ndaj ndryshimeve dhe sfidave për t’u përballuar". Comece dhe nënshkruesit e tjerë theksojnë impenjimin e tyre për të bashkëpunuar në promovimin e "një axhende pozitive evropiane, të frymëzuar nga vlerat e krishtera" dhe u drejtojnë grupeve politike dhe kandidatëve në zgjedhjet e Parlamentit Evropian tri kërkesa: "t’i njohin vlerat e krishtera si themel kryesor i Projektit evropian, duke vënë në jetë dialogun e hapur, transparent dhe të rregullt me Kishat dhe shoqatat fetare; të luftojnë instrumentalizimin e vlerave të krishtera për interesa politike dhe etno-racore"; si edhe, “të promovojnë vlerat e krishtera në programet politike dhe në fushatat zgjedhore”.