Kisha Evropiane: për votime, që promovojnë vlerat e krishtera dhe projektin evropian
R.SH. – Vatikan
“Ne, ipeshkvijtë delegatë të Konferencave Episkopale të Bashkimit Evropian, ftojmë të gjithë qytetarët, veçanërisht katolikët, të përgatiten dhe të votojnë në zgjedhjet e ardhshme evropiane, në qershor 2024”. Kështu fillon deklarata e Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE) para zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian, që do të mbahen nga 6 deri më 9 qershor. Ipeshkvijtë katolikë mbështesin projektin “për një Evropë të bashkuar në larmi, të fortë, demokratike, të lirë, paqësore, të begatë dhe të drejtë”, për të cilën ndiejnë përgjegjësi, prandaj, i ftojnë katolikët t’i zgjedhin mirë deputetët, që përfaqësojnë vlerat e tyre dhe mund të punojnë për të mirën e përbashkët në Parlamentin e ardhshëm Evropian.
“Kemi nevojë për politikanë të guximshëm”
Pasi përshkojnë historinë e projektit të integrimit evropian, që filloi 70 vite më parë, nga etër themelues, shumë prej të cilëve ishin katolikë të bindur, ipeshkvijtë vënë në dukje se Evropa e sotme dhe Bashkimi Evropian po kalojnë kohë të vështira e të pasigurta. Sfidat janë të shumta, nga luftërat tek emigracioni, nga pasojat e ndryshimeve klimatike tek përdorimi i Inteligjencës Artificiale, nga zgjerimi i Bashkimit Evropian tek roli i Evropës në botë e shumë të tjera. “Kemi nevojë për politikanë të guximshëm – shkruajnë 24 ipeshkvijtë delegatë të COMECE-së, me në krye ipeshkvin italian imzot Mariano Crociata – politikanë të aftë e të motivuar nga vlera, politikanë që punojnë vërtet për të mirën e përbashkët”.
Të votojmë për njerëz e parti, që promovojnë vlerat dhe idenë e krishterë për Evropën
“Si të krishterë – vijon deklarata e COMECE-së - duhet të përpiqemi ta shoshisim mirë kë dhe për cilën parti të votojmë në një çast kaq të rëndësishëm për të ardhmen e Bashkimit Evropian”. Ipeshkvijtë këshillojnë të shihen me kujdes programet zgjedhore të kandidatëve e të partive, duke ndjekur edhe udhëzime nga Konferencat Ipeshkvnore të shteteve anëtare. “Është e rëndësishme – shkruajnë prelatët - të votojmë për njerëz e parti, që e mbështesin qartë projektin evropian, që… duan të promovojnë vlerat dhe idenë tonë për Evropën, si respektin dhe promovimin e dinjitetit të çdo njeriu, solidaritetin, barazinë, familjen dhe shenjtërinë e jetës, demokracinë, lirinë, subsidiaritetin, mbrojtjen e ‘shtëpisë sonë të përbashkët’”. Përfaqësuesit e COMECE-së janë të vetëdijshëm se shumë nga propozimet politike dhe legjislative të Bashkimit Evropian nuk janë në përputhje me vlerat e krishtera, por janë të bindur se katolikët duhet të kontribuojnë në përmirësimin e mjeteve, që ofron demokracia.
Do të votojnë edhe 16-vjeçarët në Austri, Belgjikë, Gjermani dhe Maltë
Kujtojmë se Parlamenti Evropian, bashkë me Këshillin, me të cilin ndan pushtetin legjislativ dhe me Komisionin (që e zgjedh dhe e kontrollon), është institucioni ku marrin formë vendimet e Bashkimit Evropian. Është i vetmi, që zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët e 27 shteteve anëtare. Selinë e ka në Strasburg. Aktualisht, përbëhet nga 705 anëtarë, por në legjislaturën e ardhshme do të zgjidhen 720 eurodeputetë. Vendet më të përfaqësuara, bazuar në popullsinë e tyre, janë Gjermania (96 vende), Franca (81), Italia (76), Spanja (61), Polonia (53), pastaj vijnë të tjerat deri tek Qiproja, Luksemburgu dhe Malta me 6 eurodeputetë secili. Në përgjithësi mosha e votimit është 18 vjeç, por kësaj radhe do të votojnë edhe 16-vjeçarët në Austri, Belgjikë, Gjermani dhe Maltë.
Të votohet me përgjegjësi
Pikërisht të rinjve, shumë prej të cilëve do të votojnë për herë të parë, u drejtohen ipeshkvijtë evropianë në fund të letrës së tyre, duke i nxitur t’u afrohen kutive të votimit. “Inkurajojmë – shkruajnë ata - edhe të rinjtë katolikë evropianë, të cilët ndiejnë thirrjen për t'u impenjuar në politikë, ta ndjekin atë, duke u përgatitur si duhet, si intelektualisht ashtu edhe moralisht, që të kontribuojnë në të mirën e përbashkët, me frymë shërbimi”. Duke cituar thirrjen e ish-kryetarit të Komisionit Evropian, Jacques Delors, drejtuar studentëve në Bruges, më 17 tetor 1989, kur u kërkoi të luajnë rolin e tyre në projektin evropian, “i cili bashkon popujt dhe kombet, për të mirën e jo për të keqen”, ipeshkvijtë e COMECE-së e përfundojnë deklaratën e tyre me kërkesën drejtuar rinisë dhe gjithë qytetarëve të Evropës për t’u impenjuar në këtë projekt, “që është e ardhmja jonë, edhe duke votuar me përgjegjësi në zgjedhjet e ardhshme”.