Kërko

E Shtuna e Madhe e Edith Stein, përtej frikës së errësirës!

Edith Stein: "Sa më shumë të errësohet rreth nesh, aq më shumë duhet t'i hapim zemrat për dritën që vjen nga lart".

Edith Stein, shenjtorja që vdiq në Aushvic, shkroi në vitin 1938, nga Karmeli i Këlnit: "Sa më shumë të errësohet rreth nesh, aq më shumë duhet t'i hapim zemrat për dritën që vjen nga lart". Ky, mendimi i motrës Tereza Benedikta e Kryqit, i cili në thelbin e tij, na kujton fjalët e Papës këto muajt e fundit  Liturgjia e së Shtunës së Madhe na flet për errësirën. E edhe  për dritën. Për një errësire dhe një dritë, që shoqërojnë në mënyrë paradoksale njëra-tjetrën; dritë, që shkel edhe thellësitë e errësirës më të padepërtueshme.

Sot Kisha, në heshtje përpara Krishti Zot që vdiq në Kryq, mediton mbi "ikonën e së Shtunës së Madhe", për kohën "e shkurtër por të pafundme" të vdekjes së Zotit: "Errësira e kësaj dite i sfidon të gjithë ata që pyesin veten për jetën, e në veçanti, na sfidon ne, besimtarët. Edhe ne duhet të ndeshemi me këtë errësirë”. Ne, si gjithë të tjerët. E ndoshta- ndoshta edhe më shumë se ata që nuk besojnë në asgjë dhe vazhdojnë dorëheqjen cinike.

Errësira, e keqja, dhimbja, i provokojnë më fort ata që besojnë në premtimin e një Zoti të mirë. Edhe sot na provokojnë, megjithëse nuk jemi në kohë lufte botërore apo kampesh përqendrimi. Edhe pse jetojmë në paqe e nuk e mbajmë mend urinë. Por është sikur ndërmjet nesh të shtrihej një gjysëmhije! Sa vështirë e kemi  të kujtojmë të mirën e përbashkët dhe shpresën e përbashkët. Duket se gjithçka është e paguar, e blerë, e korruptuar. Duket se asgjë nuk është më e lirë, apo e pafajshme. E kjo është errësirë. Jo ajo gjakatare dhe asgjësuese e kohës së luftës.

Në vend të saj, mbi ne shtrihet një errësirë ​​"e butë", që ndonjëherë i ngjet më shumë një farse, sesa një drame; e, në këtë muzg, një krimb gërryen shpresën tonë. Një botë në të cilën njeriu nuk u beson më të tjerëve, është e errët dhe - pa i thënë gjë vetes - mendon të jetojë dhe t’i shërbejë vetëm vetvetes. Për këtë hije tonën, që nuk është tragjike, por që mbështjell, poshtëron dhe mbyt guximin, na foli këto ditë Papa, pasi kishte lexuar fjalët e Edith Stein për errësirën.

Hebreje nga lindja, në vitin 1938 pa qartë, në profecinë e kthjellët të shenjtorëve, se çfarë errësire ​​po grumbullohej në qiell dhe në tokë. E megjithatë foli për një dritë që, në atë errësirë, mund ta hapte shpirtin. Të Shtunën e Madhe Kisha ndalet përpara Jezusit, që vdiq në Kryq, ikonë e vdekjes dhe martirizimit, të cilën miliona njerëz e nderuan dhe vijojnë ta nderojnë edhe sot. “Misteri më i errët i fesë është njëkohësisht edhe shenja më e ndritshme e një shprese pa kufi” vijon të na kujtojë Edith Stein.

Ku është drita?

Po ku është drita? Aty ku nuk e kërkojmë, ku nuk duam të shkojmë: në fund të errësirës. Këtë vit, të plagosur nga vetëdija e së keqes e bërë nga burrat, siç dëshmohet nga luftërat e dhuna. Errësirë ​​dhe dhimbje, pra, në botë por edhe në Kishë. Por kjo errësirë ​​na duhet, “që të bëhemi mirënjohës për dhuratën e Zotit”, për atë dhuratë në vazo balte, e cila megjithatë është më e fortë, më e lirë dhe më e përhershme se çdo mjerim njerëzor. Dhe duket se Kisha kohët e fundit na mëson, si fëmijët, të mos kemi frikë nga errësira. Duke parë një simetri misterioze: sa më e thellë të jetë nata, aq më e madhe është pritja për agim.

Në urtinë e lashtë, Kisha e kremton lindjen e Krishtit disa ditë para solsticit të dimrit, kur dita është e ligshtë dhe e shkurtër e netët, të pafundme. Në thellësitë e errësirës, ​​kur njerëzit dridhen dhe dyshojnë, vjen drita. Sikur errësira që na shqetëson të ishte zbrazëti, apo pyetje që, më në fund, pret të mbushet me Dritën që zbret nga lart!

30 mars 2024, 15:21