Rrisurrezione, croce Rrisurrezione, croce

E Shtuna e Madhe “nëpër provën e shkandullit të Kryqit, tek Ngjallja”

E shtuna shkon drejt së Dielës. Kryqi është ngulur mbi kulmin e rruzullimit. Varri i hapur shënon fundin e njeriut të vjetër. Në vdekjen e Krishtit shemben të gjitha fronet e ligësisë, ngritur mbi zemrat e ngurta. Para korpit të varrosur të Krishtit, kuptojmë kush jemi: krijesa që, për të mos vdekur, kanë nevojë për Krijuesin e tyre

R.SH. - Vatikan

Jetojmë sot të Shtunën e Madhe të Pashkëve të Jezu Krishtit, në pritje të lajmit, të cilin engjëjt ia dhanë Marisë nga Magdala dhe grave, që kishin rendur tek varri Jezusit në agimin e së parës ditë pas së shtunës.

Po sot jemi në atmosferën e trishtimit dhe të tronditjes për vdekjen e Jezu Krishtit Zot. Po ajo atmosferë, që e jetuan mёse dymijë vjet më parë, të tijtë. Besimi i Apostujve në Jezusin, në Mesinë e pritur, kalon sonte nëpër provën e vështirë të shkandullit të kryqit. Në sa Krishti arrestohet, dënohet e vdes mbi kryq, ata shpërndahen. Pastaj mblidhen sërisht bashkë, të pavendosur, të çorientuar. Por vetë Jezusi Ngjallur vjen t’i takojë e t’u shuajë etjen plot mosbesim, për të qenë të sigurt. Nuk ështe ëndërr, as shpresë e kotë e as përfytyrim subjektiv ky takim; është i vërtetë, edhe pse i papritur e pikërisht për këtë, edhe më prekës. “Jezusi i vdekur vjen përsëri, ndalet mes nesh e na thotë: ‘Paqja qoftë me ju!” (Gjn 20,19).

Pas këtyre fjalëve, feja gati e shuar në shpirtrat e njerëzve, ndizet përsëri. Po, Zoti e përmbush premtimin, që pati bërë; vërtet ngjallet e ne, si apostujt e shikojmë, e prekim! Ndonëse ndërmjet nesh ka nga ata që vijojnë të dyshojnë e të ngurrojnë. Si Toma. Duke kërkuar “të shtjenë gishtin në duart e Tij. Në këmbët e Tij. Në kraharorin e tij, për të mos mbetur njerëz që s’besojnë, por besimtarë!”.

“Zotëria im e Hyji im!”. Ta përsërisim edhe ne besojmën tonë të fesë në Krishtin e Gjallë, së bashku me Tomën, në këtë Natë heshtjeje e dhimbjeje. Kur Krishti është endè ndër të vdekur e ne, në pritje të Ngjalljes së Tij. Po ç’do të ndodhte, në se nuk do të besonim në ngjalljen e Zotit? Ç’do të ndodhte me ne, e sidomos me gjithë universin?

Na e përshkruan ankthshëm një nga shkrimtarët më në zë të letërsisë gjermane, Jean Paul, në veprën e tij të famshme “Fjalimi i Krishtit të vdekur nga maja e ngrehinës së botës" (Die Rede des toten Christus vom Weltgebäude herab), të cilën e përkthyem lirshëm në gjuhën shqipe, për të jetuar plot shpresë, edhe heshtjen e varrit.

I kapur nga gjeratorja e ëndrrës, e pashë veten në kapelën e një varreze, ndërmjet varreve të hapura, hijeve ravguese e flokëve të ngatërruar të mjegullës së thimtë.

Në qiellin e shkretë, të errët, kërkova ankthshëm diellin, duke besuar se ishte fshehur pas hënës. Eklips, mendova. Dita i lëshoi vendin natës e binte gjak e shi. E qiellin e çanin vetëtimat, si gjarpërinj të zjarrtë. Varret shkapërtheheshin e dyert prej hekuri të kapelës hapeshin e mbylleshin e përplaseshin me një cingërrimë rrënqethëse prej duarve të padukshme. Mbi mua luhateshin hije, që s’ dihej prej nga vinin, e hije të tjera endeshin nëpër ajër.

Brenda varreve të hapura, si djepa mes avullit të ngrirë, shiheshin vetëm ferishte, në gjumë të thellë. Prej qiellit zbriste një mjegull mbytëse. Flokonte dëborë e zezë, që një hije vigane e kapte, si në kurth, duke e shtrydhur gjithnjë më tërbueshëm. E nësa mendimi bëhej re përmbi kokë, pashë rrënjë të shqyera e lisa të çarë e sosjen e shpirtit tim. E lumenj të përbindshëm, që rrokulliseshin në humnerë. Ndjehej gjëma e motit e bota lëkundej në themel. S’e dija se bota paska qenë vetëm ëndërr, e hënë e hyj, veç avull, e degët e selvive, flokë kimerash.

Kisha luhatej në terrina, e shkundur nga dy tinguj të kundërt, të çjerrë, në kacafytje brenda një rrotulle terri. Skeletet vraponin drejt dritareve të tingujve, që ushtonin përbrenda. Hyra, si i shtyrë prej mjegullës, ndërmjet hijeve të panjohura, e pashë, në maje të tempullit, fushën e sahatit të amshimit. Pa numra e pa akrepë. Vetëm një gisht i zi lëvizte në të e të vdekurit mundoheshin më kot të lexonin kohën.

Të shuemët, bashkë me jetën, humbasin edhe kohën. E tashti ishin flakur në gjiret e zbrazëta të amshimit, në asgjënë, që u zbulohej, paradoksalisht, si jeta e vërtetë, kumtuar nga Krishti.

Qirinjve u dhimbsej e mbramja pikë e dyllit në djegie. Koha kishte ndijën e dridhjes. Tingujt binin prej elteri e plasnin mbi rrasat e varreve.
E ja se po shoh duke zbritur nga qielli, mbi elter, një figurë shtatlartë, të fisme. Rrezatonte dhimbje të pashuar. E të vdekurit britën njëzëri:
- Krisht, ka apo s’ka Zot?.
Ai gjegji:
- Nuk ka!
Hijet e të vdekurve, e jo vetëm kraharori, fërgëlluan e, mbas një përqethjeje të hatashme, u thërmuan.
Krishti vijoi:
- Përshkova botë, u ngjita deri në diej, fluturova në Udhët Qumështore, deri në fund të shkretëtirave të qiejve, po Zotin nuk e pashë gjëkund. Zbrita deri atje, ku qenia projekton hijet e veta e rrëmova në fund të humnerave e bërtita sa u tund hapësira: “Ku je, o Atë?”. Po m’u gjegj vetëm stuhia e amshuar, që shfren verbërisht, pa një dorë, që ta drejtojë. E ylberi vezullues i qenieve lartohej përmbi humnera, pa diellin, që duhet ta krijonte, e pikonte poshtë pikë-pikë.
E kur i çova sytë kah bota e pafundme, duke kërkuar syrin hyjnor, ai më nguli në bebe të syrit një zgavërr të hatashme; e amshimi shtrihej mbi kaosin: gërryente e përtypte vetveten.
- Këlthisni më fort, më fort, më fort, ju tinguj kacafytës, davaritini hijet: sepse Ai nuk është!
Hijet luhatëse humbisin, si avull i bardhë, që çohet prej akullit, kur ndihet fryma e ngrohtë. Bota, e mbyllur në vetvete, u shkapërthye. E mbeti pezull ndërmjet qiellit e humnerës. Si arkivol vigan mbi shpatulla yjesh. E gjithçka u zbraz. Erdhën, mandej, që përtej, në tempull - o pamje e hatashme për zemrën - fëmijët e vdekur, që ishin zgjuar në varrezë. Rrënqethje mishi engjëjsh me sy adhurues të frikshëm jetimash. U hodhën te këmbët e figurës shtatlartë para elterit e i thanë:
- Jezus, nuk paskemi pra, një atë?
E ai, me lotët, që i rridhnin si lumë, gjegji:
- Jemi të gjithë jetimë. Unë e ju. Jemi pa atë!

Atëherë tingujt e mprehtë kacafytës kërcëlluan më fort; muret e tempullit u drodhën e u shkapërderdhën e në tempull ferishtet u fundosën, e toka e dielli i ndoqën pas, e krejt ngrehina e botës u kapërdi në terr, me gjithë pafundësinë e vet; u shemb në humnerë para nesh - e atje lart, në kulmin e natyrës pa cak, ishte Krishti. E shikonte përposht ngrehinës, të shpuar nga mija diej, të ngjashme me një minierë zgropuar në natë të amshuar, në galeritë e së cilës diejt endeshin e çendeshin, si dritëzat e minatorëve, e Udhët e Qumështit dukeshin si vena argjendi.

E kur Krishti pa turmën e dendur të botëve, procesionin e zjarreve qiellore të zbrazëta e grumbujt ngjyrë korali të zemrave, që rrihnin; pa planetet, njeri mbas tjetrit, duke u shembur në detin e të vdekurve e plasjen e shpirtrave të tyre, si dredha vezulluese bollash mbi valë ujërash, atëherë Ai, i madh, si Kryemortar, çoi sytë nga asgjëja, nga pafundësia e zbrazët, e tha:

- Asgjë nuk mund t’i bëjë ballë kohës. Rastësi e amshuar, e akullt, e çmendur. Sa jeta vetë zgjat për njeriun rrugëtimi drejt vdekjes. Kujtoni: e drejta juaj është pyetja. A e dini çka keni përposht? E kur do ta shembni ndërtesën e edhe mua? Rastësi, ti e di se botët kanë farën e vdekjes në parzëm. Por nuk e di se kur do të kalosh madhërisht me uraganet tua përmes breshërisë së yjeve, duke fikur diell mbas dielli, e kur vesa vezulluese e yjeve do të shuhet nën hapat e tu! Sa i vetmuar është njeriu, në varrin e pafundmë të universit. Kam pranë vetëm vetveten. O atë! Atë! Ku është kraharori yt i amshuar, që ta mbështes mbi të kokën e këputur?

- Ah! Nëse çdo vetje është atë e krijues i vetes, pse nuk mund të jetë edhe engjëll shfarosës i vetvetes? Është ende njeri, ky që kam pranë? Qyqarët ju! Jeta juaj imcake është thjesht një frymëmarrje e natyrës, apo vetëm jehona e saj - pasqyrë konkave, që lëshon rrezet e reve të hirit të të vdekurve mbi tokën tuaj; e kështu lindët ju, figura të terrshme luhatëse. Shiko poshtë, në humnerën, ku rrogomisen retë e hirit - e mjegullnajat plot me botë, që ngjiten nga hiri i të vdekurve: - ardhmëria është mjegullnaja, që ngjitet; e sotmja, ajo që rrogomiset. A e dallon ti tokën?

Krishti pa në teposhte e sytë iu mbushën me lot, e vijoi:
- Ah, njëherë e një kohë isha mbi tokë. I lum! E kisha ende Atin tim të amshuar e nga malet lartoja sytë drejt qiellit e mbështesja kraharorin e shporuar mbi figurën e Tij ngushëlluese e thosha, edhe në çastin e hidhur të vdekjes: “Atë, nxirre birin tënd prej përmbrendcave të veta të përgjakura e lartoje pranë zemrës sate!”.

Ah ju, banorë tejet të lum të dheut. Ju besoni ende në të. Ndoshta tani dielli juaj fshihet ngadalë prapa malesh e ju bini në të dy gjunjtë ndërmjet lulesh, qirinjsh, lotësh e i çoni kah qielli duart e lume e, ndërmjet lotëve hareplotë, lartoni edhe zërin drejt qiellit të hapur e thoni:
- Ti më njeh edhe mua, o i Amshuar, m’i njeh plagët, të gjitha, e si të më mbyllen sytë përgjithmonë, do të më marrësh butë-butë ndër krahë e do t’m’i shërosh të gjitha.

Mjerë ju, të mjerët! S’ka plagë që shërohet pas vdekjes, kur njeriu i pushtuar nga ankthi, më në fund shtrihet, i thyer më dysh, e shpreson të bjerë në fashë, në pritje të agimit të ditës më të bukur, përplot me vërtetësi, virtyte, gazmend. E ja se zgjohet në gjirin e kaosit të shtërngatshëm, në mesnatën e amshuar, e s’del më dritë për të, e nuk i shtrihet asnjë dorë shëruese e s’shihet kurrnjë Atë i amshuar.
- Mortar, që merr frymë pranë meje, nëse e ndjen veten ende gjallë, adhuroje! Përndryshe e humbe përgjithnjë!

Kur rashë përdhe e vërejta brenda ngrehinës së ndritshme të botës, pashë edhe dredhat në lëvizje të gjarpërit të amshimit, që e kishte kapërthyer universin - e mandej, mijëra dredha të tjera rrotull natyrës. I shtynin botët njerën kundër tjetrës e gjithçka u ngushtua, u err, u kap në kurth të ankthit - e një rrumb vigan këmbane trokiti orën e fundme të tokës e rrogomisjen e ndërtesës së botës...
... kur më doli gjumi. U zgjova te dita e kthimit, me zjarrin e mallit për jetë në shpirt...

Shpirti im qau prej ngazëllimit, kur u kujtua se mund ta adhuronte përsëri Zotin, e gëzim e lot e besim në shpirtin tim u bënë lutje.
E kur u çova, dielli varej në teposhte e fshihej dalë-nga-dalë mbas kallëzave të praruara, bukëplote, të grurit e lëshonte hijen e paqtë të perëndimit mbi hënën vocrrake, që lartohej në qiell. E ndërmjet qiellit e tokës, një botë gazmore, kalimtare, hapte flatrat puplake e jetonte, si unë, para syve të Atit të amshuar. E gjithë natyra për rreth tingëllonte, me tinguj të paqtë, si jehonë e largët e këmbanave të mbrëmjes...

Shpirti im qau nga gëzimi
”, shkruan Jean Paul në fund të këtij vegimi, që disa kritikë e vlerësuan menjëherë si shprehje tipike të nihilizmit të skajshëm e si mohim të plotë të amshimit, që i hapi rrugën shekullit të ‘vdekjes së Zotit’.

Por lexuesi i vëmendshëm e ndjen menjëherë se pas zgjimit prej makthit, në shpirtin e njeriut lind shpresa, madje siguria se Zoti ishte aty! Zoti është! Nuk jemi jetimë, të braktisur në udhët e fatit e të vdekjes së amshuar, të lënë në mëshirën e asgjësë.

Ai, që mohon Zotin, është më i vetmuari në univers. Njeri i zhytur në mort, jetim, pa Atin e madh. Gjëmon mbi kufomën vigane të natyrës, që i ngjet sfinksit të gurtë egjiptian, humbur përgjysmë në rërën e Universit. E nuk gjallon, sepse nuk është më në bashkim me shpirtin universal; e lind e rritet e vdes në varr.

Kuptimi i fondit të fjalimit është i qartë: ateizmi e lë botën pa “diellin e vet’ e pa qendrën e gravitetit. Prandaj leximi i këtij vegimi e shkund shpirtin njerëzor nga kotja shpirtërore, duke i ndezur rishtas para sysh, dritën e besimit në Zotin, domethënë, në jetën e pasosur. Nga radhët tronditëse të “Fjalimit të Krishtit të vdekur”, na lind siguria se Krishti është i gjallë mes nesh!
Nga plagët e tij jeni shëruar” (1 Pt. 2,24) – është ky lajmi që u jepte Pjetri atyre që u kthyen të parët në fenë e Krishtit.

Këto plagë, që për fenë e ndokujt në fillim janë pengesë, sepse shenja të dukshme të falimentimit të Jezusit, po këto plagë bëhen, në takimin me të Ngjallurin, prova të një dashurie ngadhënjimtare. Këto plagë që Krishti i mori për dashurinë tonë, na ndihmojnë të kuptojmë kush është Zoti e të përsërisim edhe ne: “Zotëria im e Hyji im!”. Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar!                                                                                    …

E Shtuna e Madhe shkon drejt së Dielës së Pashkëve. Kryqi Krishtit është ngulur mbi kulmin e rruzullimit. Varri i hapur shënon fundin e njeriut të vjetër. Në vdekjen e Krishtit shemben të gjitha fronet e ligësisë, ngritur mbi zemrat e ngurta. Para korpit të varrosur të Krishtit, kuptojmë kush jemi: krijesa që, për të mos vdekur, kanë nevojë për Krijuesin e tyre. Në varrezën e heshtur, që mbështjell kopshtin e ullinjve, përhapet një përshpëritje e lehtë. Varret thithin ajrin e freskët të prillit e ndjejnë blerimin në zemër, nësa dëgjojnë jehun e një zëri, që i flet njerëzimit të gjallë e të vdekur: “Unë jam i gjallë! Jam me ju!”.

Kush është Jean Paul?

Johann Paul Friedrich Richter, që tashmë njihet me emrin letrar Jean Paul 1763-1825), është një nga autorët më të diskutueshëm e enigmatikë të letërsisë gjermane. Schileri e shikonte si njeri të rënë nga hëna. Goete, si personifikim i ankthit të kohës së tij! Ndoshta pse ishin krijesa të pangjashme, që krijuan vepra të pavdekshme në rrethana krejt të ndryshme: njëri nën shkëlqimin e dritave të forta të mjedisit aristokratik, ku e kishte ulur fati; tjetri, nën dritën e mekur të një qiriu, në skutat e Gjermanisë së kohës së vet, në mes të varfërisë më të frikshme.

Prej këndej, ikja nga realiteti, tipar i veprave të shkrimtarit të madh, që jetoi larg kohës së vet e edhe më larg mendësisë së universiteteve, ku studioi një herë teologji, pastaj estetikë e gjeometri, për të ikur përgjithmonë, i neveritur nga mediokriteti, që e rrethonte. I mbyllur në vetmi të thellë, krijoi një mori romanesh, duke nisur nga “Lozha e padukshme” (1798); “Espero” (1795); “Jeta e Quintus Fixlein” (1796); “Siebenkäs”; “Titan” (1800) e shumë të tjerë.

Në veprat e tij elementi i gjithëpranishëm është ëndrra. Ai lindi, jetoi, krijoi e vdiq duke rrëmuar në skutat më të fshehura të shpirtit njerëzor, të jetës së tij, e deri të vdekjes. Poet pasiv e ëndërrimtar, dëgjoi vetëm fjalën, që i fliste shpirti i tij i shqetë. E këndoi me të, duke krijuar poemat e romanet e tij të famshme lirike në prozë, në kohën e “Sturm und Drang”(Stuhi e Vrull) që nisi të frynte në Gjermani, duke u radhitur ndërmjet të mëdhenjve të kohës së tij e të atyre, që do të vinin pas: Kierkegaard e Nietzche.

Shkroi për njeriun, problemet e tij, lidhjen me natyrën, me fatin, me dashurinë, me jetën shoqërore, duke gërshetuar vegimin me realitetin, me ngjyrime kozmike, groteske, patetike, si e shikojmë në radhët tronditëse të “Fjalimit të Krishtit të vdekur”, përmes të cilit lind siguria se Krishti ështё i gjallë mes nesh!

Shih Ferdinando Castelli, “El gran teatro del mundo. Scenografie letterarie”, Libreria Editrice Vaticana, Città del Vaticano, 2012, fq 44-49.

 

30 mars 2024, 09:57