Kërko

Vangelo III domenica di Quaresima 'B' - Gesù cacciò i mercanti dal tempio Vangelo III domenica di Quaresima 'B' - Gesù cacciò i mercanti dal tempio

Fjala e Zotit e dielës së 3-të të Kreshmëve 'B'

Vendbanimi i Zotit nuk gjendet më në tempullin e Jeruzalemit, por korpi i Jezusit është vendbanimi i vërtetë i Zotit. Vendi ku të gjithë njerëzit mund të takojnë Hyjin është Jezusi, një njeri, me mish njerëzor që është gjithashtu edhe Fjala e Zotit, vetë Biri i Zotit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 3-të të kohës së Kreshmëve, të ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar, duke vijuar kështu përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Pashkëve.

Fjala e Zotit e Dielës së 3-të të Krezhmëve 'B'

Itinerari i kohёs sё Kreshmëve, që Kisha na fton të pёrshkojmё, kalon edhe përmes leximit të Ungjillit sipas Gjonit, për këtë, duke lënë mënjanë tregimin e Markut ungjilltar, në këtë të Diel dhe dy të Diela tё ardhshme ne meditojmë disa fjalë dhe gjeste të Jezusit që sipa Ungjillit të katërt nga Gjoni.

Fragmenti i Ungjillit tё kёsaj sё Diele nga Gjoni (Gjn 2,13-25) flet pёr Jezusin qё dëbon tregtarët nga Tempulli i Jerusalemit: episod ungjillor, që mund të shikohet si gjest profetik, po edhe si padi për judenjtë, të cilët kërkonin nga Jezu Krishti një shenjë, për të pranuar se Ai vepronte në emër të Atit Hyjnor. Por dëbimi i tregtarëve nga Tempulli, shpjegohet edhe në këndvështrimin politiko-revolucionar, duke e vendosur figurën e Jezusit në vijën e zelotëve, të gatshëm për të përdorur edhe dhunën, kur ishte fjala për respektimin e Ligjit Hyjnor.

Duhet kujtuar se në kohët e Jezusit judenjtë prisnin ardhjen e Mesisë, që do ta çlironte Izraelin nga sundimi i romakëve. Po Jezusi i zhgënjeu shpresat e tyre aq, sa disa nga dishepujt e braktisën e Juda Iskariot arriti deri në atë pikë, sa ta tradhtonte. Në të vërtetë është krejtësisht e pamundur ta interpretosh Jezusin si njeri të dhunshëm: dhuna është në kundërshtim me Mbretërinë e Hyjit, është mjet i antikrishtit. Dhuna nuk i shërben kurrë njerëzimit, por çnjerëzimit.

Qortimi i Jezusit për të mos e kthyer shtëpinë e Atit Zot në treg, na kujton qartë atë, që shkruhet në njërin nga Psalmet: “Shkrihem në zell për Shtëpinë Tënde”(69,10). Ky Psalm është lutje për ndihmën e njeriut, që ndodhet në rrezik të madh, krejt pa mbrojtje, përballë armiqve, të cilët e urrejnë me gjithë shpirt. E kjo është pikërisht edhe situata, që do të jetojë Jezusi gjatë mundimeve tё tij.

Zelli për Atin e për shtëpinë e tij do ta çojë Jezusin deri në kryq: zelli i tij, është zell dashurie, që paguhet me kokë, jo zell i atyre, të cilët do të dëshironin që ai t’i shërbente Zotit me forë e dhunë. Në të vërtetë, shenja që Jezusi do të japë, si provë autoriteti, do të jetë pikërisht vdekja e ngjallja e tij. “Rrënojeni këtë Tempull, pati thënë, e në tri ditë do ta ngre përsëri në këmbë”. Shën Gjoni ungjilltar vëren: “Ai fliste për tempullin e Korpit të vet”. Me Pashkët e Krishtit, nis një kult i ri, kulti i dashurisë; e edhe një tempull i ri, që është Ai vetë, Krishti i ngjallur, përmes të cilit çdo besimtar mund ta adhurojë Hyjin Atë “në shpirt e në vërtetësi” (Gjn.4,23). 

                                                            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Dal 20,1-17

Në planin e tij të dashurisë, Hyji zgjedh Moisiun për t’i shpallur ligjin e tij popullit të zgjedhur dhe për të lidhur me të besëlidhjen. Dhjetë urdhërimet kanë vulën e Hyjit, sidomos në fillim kur kujtohet fuqia dhe nisma e Hyjit drejt popullit të tij. Hyji që ka liruar Izraelin kërkon bindje dashurie ndaj ligjit që do të bëhet i përsosur me ardhjen e Krishtit.  

Lexim prej Librit të Daljes

Atëherë Zoti i tha popullit nëpërmjet të Moisiut të gjitha këto fjalë: “Unë jam Zoti, Hyji yt, që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë. Mos ki tjetër zot, përveç meje. Mos bëj kurrfarë idhulli as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti Hyji yt, jam Hyj ziliqar që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë, por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia. Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti s’do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet.

Të bie në mend ta shenjtërosh ditën e shtunë: gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua; kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd: mos bëj kurrfarë pune ti as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti. Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti i bëri qiellin e tokën e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë; prandaj Zoti e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi.

Nderoje babën tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti Hyji yt. Mos vraj! Mos bëj kurorëthyerje! Mos vidh! Mos bëj dëshmi të rrejshme kundër të afërmit tënd! Mos e lakmo shtëpinë e të afërmit tënd. Mos e lakmo gruan e tij, shërbëtorin, shërbëtoren, as kaun, as gomarin, asnjë gjë që i përket atij. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Psalmi 19

Ti, o Zot, i ke fjalët e jetës së pasosur

I përsosur është Ligji i Zotit,

shpirtin përtërin;

për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,

të miturve u jep dijen.

 

Urdhërimet e Zotit janë të drejta,

kënaqin zemrën;

urdhri i Zotit është i qartë,

dritë u jep syve.

 

E panjollë është frika e Zotit,

nuk ndërron në shekuj të shekujve;

gjyqet e Zotit janë të vërteta,

të gjitha një të drejta.

Më të çmueshme se ari,

se më i pastri ar, më të ëmbla se mjalti,

se hoja që rrjedh mjaltë.

 

Leximi i dytë 1 Kor 1, 22-25

Hebrenjtë donin një Hyj që të zgjidhte problemet e tyre me anë të mrekullive; por mbi kryq Krishti hesht. Grekët donin një Hyj që të dërgonte harmoni në univers; dhe Krishti zgjedh vuajtjen dhe vdekjen. Si për të parët ashtu edhe për të dytët Jezu Krishti është një skandal. Por për atë që beson Krishti është fuqia dhe dija e Hyjit.

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve 

Vëllezër, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar – për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit – si për hebrenj si për grekë – Krishtin, fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit; e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar! 

Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, ta ketë jetën e pasosur.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli Gjn 2, 13-25

Jezusi duke dëbuar tregtarët nga tempulli, shpall fundin e ligjit, të tempullit dhe të flisë. Pas ringjalljes së tij paraqet vetveten, trupin e tij të lavdishëm si tempulli i vërtetë i Hyjit. Ringjallja do ta bëje trupin e tij banesën e Shpirtit Shenjt. Jezusi vetë do të jetë prania e Hyjit për të gjithë gjithmonë dhe kudo. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem. Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe thyes të të hollash duke ndenjur aty. Atëherë e punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Thyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat. Shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!” Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrim shenjt: “Zelli për Shtëpinë tënde më bren!”

Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën: “Ç’shenjë na jep se guxon të veprosh kështu?” Jezusi u përgjigj: “Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!” “Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli – i përgjigjën judenjtë – e ti do ta ndërtosh për tri ditë?” Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet. Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit shenjt dhe fjalës që tha Jezusi.

Gjatë qëndrimit të Jezusit në Jerusalem në kohë të festës së Pashkëve, shumë besuan në emrin e tij, kur panë shenjat që bëri. Porse vetë Jezusi nuk kishte shumë besim në ta, sepse i njihte mirë të gjithë. Nuk kishte nevojë t’i dëshmonte kush për njeriun: sepse ai e dinte mirë çka njeriu ndryn përbrenda. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Ddom Dritan Ndoci

Homelia e Dielës II tё Krezhmëve 'B' nga dom Dritan Ndoci:

E DIELA III E KREZHMEVE: PUNOI NJË FRUSHKULL KONOPËSH DHE I DËBOI NGA TEMPULLI.

(Dal 20, 1-17; Ps 18 (17); 1Kor 1, 22-25; Gjn 2, 13-25)

Në Shkrimin Shenjt që sot liturgjia na vë përpara përmenden disa pjesë të cilat janë shumë të njohura. Pjesa e shkëputur nga libri i Daljes që flet për dhënien e Dhjetë Urdhërimeve nga Zoti, patjetër që është më e njohura për të gjithë ne. Kaq janë të rëndësishme këto Urdhërime, saqë qysh fëmijë secilit prej nesh i është kërkuar që t’i mësojë ata përmendësh.

Edhe pjesa e Ungjillit të sotëm është deri diku shumë e njohur nga të krishterët. Kjo ngaqë aty na duket se kemi të bëjmë me një Jezus ndryshe nga Jezusi i butë e i përvujtë të cilin jemi mësuar ta imagjinojmë zakonisht.

Vendi ku tregtarët kishin zënë vend në Tempull, ishte ajo pjesa e zbuluar e tij ku izraelitët lejohej të afroheshin për lutjet e tyre. Por, duke qenë se shërbesat fetare parashikonin edhe ofrimin e qengjave, zogjve, pëllumbave, etj., atëherë, pak nga pak, vendi filloi të bëhej i papërshtatshëm për lutje, duke ia lëshuar vendin tregtisë.

Prandaj Jezusi ndërhyri me tone në dukje të ashpra, me qëllim që ta theksonte respektin që i duhet dhënë Hyjit në atë vend. Dëshironte që njerëzit ta shihnin Tempullin jo si vend përfitimesh ekonomike, por si vendi ku njeriu takohet me Zotin e vet.

Edhe pse Tempulli nuk ishte qëllim në vetvete, ai gjithsesi meritonte respekt e nderim. Jezusi vetë e shpjegon, në fakt, se Tempulli nuk është qëllim në vetvete, por shëmbëllesë e Tij: «Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!» E ungjilltari, pak më poshtë, sqaron se Jezusi po fliste për tempullin e trupit të vet, bisedë të cilën as nxënësit nuk e kuptuan menjëherë, por që do ta kuptonin vetëm nën dritën e Ngjalljes Tij prej së vdekuri.

Kjo, Ngjallja e Tij, është «shenja» që Jezusi u jep judenjve kur ata e pyesin: «Ç’shenjë na jep se guxon të veprosh kështu?»

Prandaj edhe Jezusi, Bir i vërtetë i Hyjit, «guxon»  të na e “shkundë” ndërgjegjen  sa herë që, më fort se takimin e përzemërt me Hyjin, ne synojmë gjëra të tjera në jetë.

Në një farë mënyre edhe ballafaqimi me Dhjetë Urdhërimet që sot liturgjia na “detyron” të bëjmë, ngjan me atë frushkullën e konopit me të cilën Jezusi dëboi tregtarët nga Tempulli. Edhe nga shpirti ynë Jezusi dëshiron t’i shkatërrojë “pazarllëqet” e pista që ne mund të bëjmë me mëkatin.

Prandaj, duke shikuar kah Krishti i Ngjallur, mund t’i marrim me radhë Urdhërimet e të shohim shkurtimisht se ku kemi nevojë për pastrim. Duke shikuar kah Krishti, atëherë Urdhërimet e Shenjta i duken njeriut veç bekim e ndihmë për ta orientuar jetën e vet kah Hyji.

Urdhri i parë thotë: «Të mos kesh asnjë Hyj tjetër përveç meje!» Jo pak janë ata që i bien mohit haptas fesë. Por më të shumtë janë ata që e mohojnë fenë pa fjalë. Janë ata që e harrojnë Zotin dhe jepen me gjithë zemër pas parasë, famës, pushtetit.

Ka edhe prej atyre që thjesht flenë në një gjumë letargjik të indiferentizmit shpirtëror, duke lënë mënjanë sakramentet, lutjen, Fjalën e Zotit, veprat e dashurisë. Të tjerë, pastaj, jepen pas zgjidhjeve të tjera: pas magjisë e pas fallxhoreve. Për të mos folur pastaj për ata që krijojnë si “idhuj” të jetës së tyre njerëzit që joshin me famën dhe elegancën e tyre nëpër skenat botërore, por që, në fakt, propozojnë një jetë shumë larg Fjalës së Zotit.

Duhet të kujtohemi se vetëm Zotit duhet t’i shkojë adhurimi ynë. Vetëm Ai e meriton këtë.

«Mos e merr Emrin e Zotit nëpër gojë kot», thotë urdhri i dytë. Sa e sa herë ne të krishterët e marrim nëpër gojë kot emrin e Zotit. Tepër pak respektohet ky Emër i Tejetshenjtë. «Shenjt i madh emri i Tenzot, mos e merr nëpër gojë ti kot!», thotë një uratë e vjetër. Shumë njerëz bëjnë bé kot, madje edhe në rrenë. Nëse do ta donim Zotin, do t’ia donim edhe Emrin. Kështu, në fakt, ndodh edhe në marrëdhëniet tjera njerëzore: kur dikush tallet me emrin e dikujt që duam, ndihemi të vrarë përbrenda dhe reagojmë. Përse nuk u dashka ta vlerësojmë këtë reagim të Zotit në këtë urdhërim, kur kërkon respekt për Emrin e Tij të dashur?!

Por ky urdhërim nuk ka për qëllim kryesisht që të na mësojë se si të flasim: më fort dëshiron të na mësojë se  si të jetojmë! Duke kërkuar respekt për Emrin e vet, Zoti ndalon që, në Emrin e Tij, ne të kryejmë të keqen. Ndalon që njeriu të vrasë në Emër të Zotit apo ta përdorë Emrin e Tij për të krijuar rrjete përfitimi vetjak. Shumë vepra të këqija shpesh herë reklamohen si të mira pikërisht duke u futur brenda edhe pak përdorim të Emrit të Zotit apo pak “përshpirtëri”.

 «Kujtohu ta shenjtërosh ditën e shtunë!» Për ne të krishterët vlen e diela, dita e ringjalljes së Jezusit. Bankat boshe që shpesh shohim në kishat tona, nuk kanë mbetur boshe për shkak të punëve të shumta që kanë njerëzit. Sikur ta kishim për zemër Zotin, do të bënim çmosin edhe ta takonim Atë. Shumicës, djalli ua ka mbushur mendjen se «mjafton të mos i bësh keq kujt për të qenë mirë me Zotin». Sikur të ishte ashtu, atëherë edhe një jo i krishterë qenka mirë me Zotin, nëse nuk i bën keq kujt! Si qenkemi mirë me Zotin nëse nuk afrohemi për ta dëgjuar Fjalën e Tij dhe nuk marrim Jezusin në Kungimin e Shenjt?! Zotit nuk duhet t’i lutemi vetëm për Krishtlindje e për Pashkë! Disa të krishterë të shekujve të parë qenë martirizuar ngaqë dëshironin të merrnin pjesë në Meshën e së dielës. Me shumë guxim ata pohuan: «Pa Meshën e së dielës ne nuk jemi të krishterë.»

«Ndero babën e nënën!» – thotë urdhri i katërt. Janë të shumtë ata që, bindjen ndaj prindërve, e përjetojnë si një peshë. Prandaj edhe i shpërfillin pa problem porositë që u japin prindërit, duke arritur deri edhe në reagime histerike kundër tyre. Por duhet të kuptojmë se janë shumë të rralla rastet kur, duke dëgjuar prindërit, dikush të ketë përfunduar keq në jetë. Përveç kësaj, nderimi i duhur ndaj prindërve, është një praktikim shumë efikas për nderimin që duhet t’i japim Hyjit.

«Mos vra!» Ka rreth 3200 vjet që është dhënë ky urdhërim dhe ende nuk ia ka dalë t’i ndalojë vrasjet, luftërat, abortet. Ka shumë mënyra për ta justifikuar vrasjen, por duhet ta dijmë se ne jemi krijuar për të dhuruar e krijuar jetë përreth nesh e jo për ta marrë atë. Po ta mendojmë, gjithnjë ekzistojnë mënyra të tjera për t’i zgjidhur konfliktet. Është dashuria ajo që ne njerëzve na bën të ndihemi mirë e jo urrejtja.

«Mos bëj kurorëshkelje!» është një urdhër të cilit ende nuk i ka kaluar “data e kadencës”. Urdhri përfshin të martuarit, të cilëve u kërkon besnikërinë reciproke, por edhe të pamartuarit, të cilëve ua ndalon ta shprehin dashurinë e tyre intime ndaj ndokujt me të cilin nuk janë të martuar. Ky urdhërim e fton besimtarin që ta orientojë ai trupin e tij e jo trupi ta orientojë atë. Këtu përfshihen edhe vullneti, dëshirat, planet, gjëra të cilat i thekson urdhri i nëntë që thotë: «Mos e lakmo njeriun e huaj për të keq!» Zoti nuk e ka dhënë këtë urdhër për ta frenuar dashurinë, por për ta mbrojtur atë. E, dashuria, ka realisht nevojë për mbrojtje. Ka shumë nevojë.

Urdhërimi «Mos vidh!» mbase është urdhërimi që thyhet më shpesh. Ky urdhërim nuk ndalon vetëm vjedhjet nëpër xhepa, por edhe gjithë ato mori mashtrimesh të cilat njerëzit janë në gjendje t’i shpikin. Vjedh ai që me dashje ngatërron llogaritë, ai që nuk thotë të vërtetën mbi mallin që shet. Vjell gjyqtari kur nuk ushtron drejtësinë, por jepet pas parasë. Vjell mjeku kur nuk ndërhyn në të mirën e jetës pa përfitime ekonomike. Vjedh profesori që nuk e kalon studentin në provime pa i dhënë para. Pastaj ekziston edhe vjedhja e dinjitetit, vjedhja e intelektit, kur popujve nuk u mundësohet shkollimi dhe puna. E problemi kryesor është kur vjedhja bëhet mendësi.

Por pyetja që ndihmon të kapërcehet kjo mendësi do të ishte: «A besojmë me të vërtetë në Provaninë e Hyjit?» Për t’ia arritur shmangies së një mendësie të tillë mashtruese, na ndihmon porosia e Urdhrit të dhjetë që thotë: «Mos e lakmo asnjë gjë të huajën!» duke mësuar që të edukojmë deri edhe dëshirat tona.

 Na bën mirë t’i rikujtojmë këto gjëra. Na bën mirë ky “frushkull” shpirtëror. Sikur të mos e bënim, ndërgjegjja jonë do të rrezikonte të plogështohej e të mbushej me gjithfarë vesesh.

Në jetën tonë ishte dashur të zinte vend ngultas dashuria për Krishtin e kryqëzuar e jo veset dhe mendësia mëkatare e botës. Prandaj Shën Pali nuk druhej t’u thoshte Korintasve: «Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar... fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.»

“Frushkulli” i ëmbël që Jezusi i kryqëzuar mund të përdorë brenda nesh, na ndihmon t’i sjellim sytë tanë sërish kah Zoti me fe të gjallë dhe, në këtë ecje krezhmore, të jepemi – edhe pse me ligështinë e natyrës sonë – pas kryerjes së zellshme të vullnesës së Tij.

Ai nuk do të na lërë vetëm.

 

Dom Dritan Ndoci

 

 

02 mars 2024, 10:24