Fjala e Zotit e Dielës së Larit 'B'
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të Dielës së Larit, ciklit të dytë 'B', me të cilën fillon Java e Shenjtë e Madhe e Pashkëve të Jezu Krishtit.
Në kёtё tё diele të Larit a të Luleve liturgjia na jep rastin tё reflektojmë mbi mundimin e Zotit tonë Jezu Krishtit. Tё dy emrat e kësaj tё diele pasqyrojnë dy ngjarje qё nё kremtojmë nё kёtё liturgji.
Sё pari Lari, ёshtё një pemë qё nё zonat tona sё bashku me degat e ullirit sillet nё kёtё meshë nga besimtarët dhe bekohet. Para fillimit tё meshës meshtari fton tё gjithë tё pranishmit që nё procesion t’i mbajnë gjethet e larit apo degat e ullirit tё ngritura për tё kujtuar entuziazmin e turmave qё shoqërojnë Jezusin nё hyrjen e tij nё Jeruzalem. Jezusi hyn nё Jeruzalem i rrethuar nga dishepujt e tij, mbi njё gomar si mbret i pёrvujtё e i rrethuar nga turma njerëzish qё bërtasin “Hozana birit tё Davidit. I bekuar qoftё ai qё vjen nё emër tё Zotit.” Kjo ёshtё pjesa e parё e liturgjisё.
Pjesa e dytë e liturgjisë së kësaj së diele ёshtё kremtimi i mundimeve tё Zotit tonё Jezu Krishtit, e për kёtё arsye quhet edhe e Diela e Mundimeve.
Për veç dy leximeve tё para dhe Psalmit, nё kёtё tё Diele tё Larit, në tё gjitha Kishat lexohet Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit, sivjet nga Ungjilli i Markut. Ёshtё një lexim mjaft i gjatë dhe në liturgji e lexojnë mё shume se një person përveç meshtarit. Ёshtё një rrëfim i kësaj ngjarje që ndryshoi rrjedhën e jetës njerëzore, pasi Zoti i gjithëpushtetshëm u dorëzohet njerëzve, vdes për mëkatet e tyre dhe ngjallet për shëlbimin e njerëzimit.
Lavdi në amshim Ty, o Krisht, Mbret Shpëtimtar
Është një dhuratë e madhe të ndalojmë në dëgjim e në kundrim përballë Mundimeve. Zemra do të mbushet me mirënjohje. Jemi të pranishëm në dy skena: e para ajo e gëzimit, hyrja e Jezusit në Jeruzalem, i brohoritur si mbret i një turme entuziaste; tjetra ajo e dhimbjes, tregimi i mundimeve të Zotit, një thesar i madh i paharrueshëm.
Ditët e fundit të jetës së Shpëtimtarit vënë në dukje dashurinë e pakufishme të tij për ne. Jezusi vetë kishte thënë: “Askush nuk ka një dashuri më të madhe se kjo: të japë jetën për miqtë e vet”.
Kënga e shërbëtorit të vuajtur të Isaisë na bën të parashikojmë ndjenjat e Krishtit që përballet me mundimet e tij: ankthi dhe vetmia, por edhe guximi dhe besimi në fitoren përfundimtare. Shën Pali na flet për “poshtërimin” e Krishtit, i cili “poshtëron vetveten duke u bindur deri në vdekje dhe në një vdekje në kryq”.
Në mundimet e tij, sipas Markut Ungjilltar, Biri i Hyjit njeh pafundësinë e poshtërimit më të thellë: i tradhtuar, i arrestuar, i gjykuar dhe i dënuar me vdekje, i detyruar të bartё e çojë kryqin deri në Kalvar, vdes në kryq për ne. Por fitorja është tashmë shumë afër: do të ringjallet të tretën ditë! Neve Jezusi nuk na kërkon asgjë tjetër, vetëm të mbajmë kryqin tonë, bashkë me të.
Tregimi i mundimeve sipas Markut na shpie e dërgon përpara kryqit, që edhe ne siç i ndodh Centurionit romak, të rinjohim në Atë burrë të kryqëzuar, Jezu Krishtin, Birin e Zotit. Kryqi, i mbjellë mbi tokën tonë, bëhet vegla e vetme dhe vlefshme e shpëtimit njerëzor.
PËRKUJTIMI I HYRJES SË ZOTIT NË JERUSALEM
Vëllezër e motra: Qysh prej fillimit të kreshmëve i përgatitëm zemrat tona me pendesë dhe me vepra dashurie; sot jemi bashkuar, që me mbarë Kishën t’i bëhemi gati misterit të Pashkëve të Zotit tonë, domethënë: mundimeve dhe të ngjallurit të tij, për të cilën gjë edhe hyri në Jerusalem, qytetin e vet. Prandaj ta ndjekim Krishtin me fe të gjallë dhe përkushtim duke e përkujtuar këtë hyrje shpëtimprurëse. Me anë të hirit u bëmë pjesëtarë të Kryqit, të kemi kështu pjesë edhe në të ngjallur në jetë.
Të lutemi
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shenjtëroi me bekimin + tënd këta rremba, kështu që ne, të cilët me gëzim po e përcjellim Krishtin Mbret, nëpër të të mund të arrimë në Jerusalem e amshuar. Ai që jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve. Amen!
Ungjilli Mk 11, 1-10
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Kur iu afruan Jerusalemit, te Betfaga e te Betania, afër Malit të Ullinjve, Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha: “Shkoni në fshatin që është para jush. Posa të hyni, do ta gjeni një gomar të lidhur, të cilit askush ende nuk i hypi në shpinë. Zgjidheni e ma bini. Po qe se ndokush ju pyet: ‘Çka po bëni ashtu?’ – përgjigjuni: ‘Po i duhet Zotërisë’, dhe ai menjëherë do ta kthejë prapë këtu.” Ata shkuan, e gjetën gomarin e lidhur përjashta te dera në rrugë dhe e zgjidhën. Disa që ndodhën aty i pyetën: “Çka po bëni? Pse po e zgjidhni gomarin?” Nxënësit përgjigjën si u kishte thënë Jezusi. Nuk i penguan. Ata ia çuan gomarin Jezusit, qitën mbi të petkat e veta dhe Jezusi hypi në të. Shumë njerëz i shtrinë petkat e veta udhës e disa tjerë gemat që këputnin nëpër ara. Si ata që shkonin para Jezusit, si ata që i shkonin pas, klithnin: “Hosana! Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit! Qoftë bekuar Mbretëria që po vjen e atit tonë Davidit! Hosana në qiejt më të lartat!” Fjala e Zotit. Lavdi Ty, o Krisht!
Të lutemi
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që, për t’i dhënë njerëzimit shembullin e përvujtërisë, deshe që Shëlbuesi ynë të mishërohej dhe të vdiste në kryq: bëj në mirësi që t’i përngjajmë atij në duresë, e të marrim pjesë në të ngjallurit të tij. Amen!
Liturgjia e Fjalës Hyjnore
Leximi i parë Is 50, 4-7
Lexim prej Librit të Izaisë profet
Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin. Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi. Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrihnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli, pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Psalmi 22
O Zot, o Zot, përse hoqe dorë prej meje?
Gjithkush më shikon, më përqesh,
shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:
“Shpresoi në Zotin: le ta lirojë,
le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”
Më rrethuan qen me shumicë,
turmë bakëqijsh më rrethuan gjithkah.
M’i shporuan duart e këmbët,
mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi.
Petkat e mia ndër vete i ndajnë,
e mbi petkun tim qeshin short.
Por ti, o Zot, mos rri larg meje,
fuqia ime shpejto të më ndihmosh!
E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd,
do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:
“Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,
mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!
Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë.”
Leximi i dytë: Fil 2, 6-11
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Krishti Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Hyjit Atë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi, dhe i dha emrin që është mbi çdo emër. Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
+ Ungjilli Mk 14,1-15,47
Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Markut
Pas dy ditësh do të ishin Pashkët dhe Pabrumet. Kryepriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën si ta zënë me dredhi Jezusin e ta vrasin. Sepse thoshin: “Jo në Festë, assesi, që të mos bëhet kryengritje në popull.”
Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit të Gërbulur. Ndërsa ishte ulur të hajë bukë, hyri një grua me enë alabastri me erëra të mira nardi të pastër e të shtrenjtë. E theu enën prej alabastri dhe ia zbrazi Jezusit mbi kokë. Për këtë punë disa u hidhëruan dhe i thoshin njëri‑tjetrit: “Pse të derdhet ky parfum? Parfumi mundi të shitej më shumë se treqind denarë e t’u jepeshin skamnorëve.” Dhe e prozhmonin atë grua.
“Lëreni! Pse po e trazoni ‑ u tha Jezusi. ‑ Ajo kreu një vepër të mirë kundrejt meje. Sepse, skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete dhe do të mund t’u bëni mirë kur të doni, përkundrazi mua nuk do të më keni gjithherë. Ajo bëri çka mundi: që më parë ma leu trupin tim për varrim. Përnjëmend po ju them: kudo që ‑ në botën mbarë ‑ do të predikohet Ungjilli, do të tregohet edhe çka bëri kjo ‑ në përkujtimin e saj.”
Judë Iskarioti, njëri prej të Dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë Jezusin.
Kur ata dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t’i japin të holla. Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.
Ditën e parë të Pabrumeve, kur flijohej qengji i Pashkëve, nxënësit e tij i thanë:
“Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?”
Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha:
“Shkoni në qytet e atje do t’ju takojë një njeri që mbart një katrovë uji: shkoni pas tij. Ku të hyjë ai, thuajini të zotit të shtëpisë: ‘Mësuesi thotë: ku është salloni im, ku do të mund të ha Pashkë me nxënësit e mi?’ Ai do t’ju tregojë në katin e sipërm një sallon të madh, të shtruar e të përgatitur. Aty na përgatitni darkën.”
Nxënësit u nisën, arritën në qytet dhe gjetën gjithçka ashtu si u kishte thënë dhe e përgatitën darkën e Pashkëve.
Kur u bë natë, Jezusi erdhi me të Dymbëdhjetët.
Ndërsa ishin në tryezë dhe po hanin, Jezusi u tha:
“Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë: ‘njëri që po ha me mua. ’“
Nxënësit u trishtuan e filluan ta pyesin njëri pas tjetrit:
“A mos jam unë?”
Jezusi iu përgjigj:
“Njëri prej të Dymbëdhjetëve! Një që po ngjyen me mua në pjatë. Njëmend, Biri i njeriut po shkon, siç u shkrua për të, por i mjeri ai që po e tradhton Birin e Njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të që as të mos kishte lindur fare!”
Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha:
“Merrni, ky është trupi im!”
Pastaj mori gotën, u falënderua e ua dha. Të gjithë pinë prej saj. U tha:
“Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë. Për të vërtetë, po ju them: nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri atë ditë, kur do ta pi të ri në Mbretërinë e Hyjit.”
Pasi kënduan himnin, u nisën drejt Malit të Ullinjve.
Jezusi u tha:
“Të gjithë ju do të shkandulloheni në mua, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Do t’i bie bariut
e delet do të shpërndahen.’
Por, pasi të ngjallem do t’ju dal para në Galile.”
Atëherë Pjetri i tha:
“Në qoftë se të gjithë do të shkandullohen, unë jo, assesi!”
Jezusi iu përgjigj Pjetrit:
“Për të vërtetë, po të them: sot, pikërisht sonte, para se të këndojë gjeli dy herë, tri herë do të më biesh mohit.”
Pjetri ngulte këmbë edhe më tepër në fjalën e vet:
“Edhe nëse do të më duhet të vdes bashkë me ty, unë nuk do të të mohoj!”
Po ashtu thoshin edhe të gjithë të tjerët.
Dhe arritën në vendin që quhej Gjetseman. Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:
“Rrini këtu derisa të lutem.”
Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi ta kapë frika dhe ta ndiejë veten ngushtë, e u tha:
“Shpirti im është i trishtuar për vdekje. Mos u largoni e rrini zgjuar!”
U largua pak, ra përmbys për dhe e lutej që, nëse ishte e mundur, t’i rrijë larg ai çast.
E thoshte:
“Abba! Atë, ti mundesh gjithçka! Largoje prej meje këtë gotë, por jo çka dua unë, por çka do ti!”
U kthye, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, a po fle? Po a nuk qe i zoti të rrish zgjuar për një orë të vetme? Rrini zgjuar dhe lutuni të mos bini në tundim. Shpirti është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.”
Përsëri u largua dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë. Kur u kthye prapë i gjeti fjetur, sepse sytë u ishin rënduar. Nuk dinin as ç’t’i përgjigjeshin. Erdhi të tretën herë dhe u tha:
“Ende po flini e po pushoni? Mjaft më! Erdhi ora! Ja, Biri i njeriut po lëshohet në duar të mëkatarëve. Çohuni të shkojmë! Ja, po afrohet ai që po më tradhton!”
Ndërkohë që ai ende po fliste, ia behu Juda, njëri prej të Dymbëdhjetëve e bashkë me të një shumicë e madhe njerëzish me shpata e me shkopinj, të dërguar prej kryepriftërinjve, prej skribëve e prej pleqve. Tradhtari i tij u kishte dhënë këtë shenjë: “Ai që do të puth unë, ai është. Atë kapni e merreni me vete me kujdes të madh!” Si arriti, menjëherë iu afrua Jezusit, i tha: “Rabbi!” dhe e puthi. Ata vunë dorë në të dhe e kapën. Njëri prej të pranishmëve nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia shkurtoi veshin.
Jezusi mori fjalën dhe u tha:
“Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj të më kapni sikurse unë të isha cub! E, pra, përditë isha me ju në Tempull duke mësuar e nuk më kapët… Ani, le të shkojë në vend Shkrimi i shenjtë!”
Atëherë të gjithë nxënësit e lanë dhe ikën.
Ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë dhe skribët.
Pjetri e përcjell prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Po rrinte aty bashkë me shërbëtorë dhe po nxehej pranë zjarrit. Krerët e priftërinjve dhe mbarë Këshilli i lartë kërkonin ndonjë dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, po nuk e gjenin. Njëmend shumë vetë dëshmuan rrejshëm kundër tij, porse dëshmitë nuk ishin në përkim. Disa u çuan e dëshmuan rrejshëm kundër tij e thanë:
“Ne e kemi dëgjuar duke thënë: ‘Unë do ta rrënoj këtë Tempull të punuar me dorë njeriu dhe për tri ditë do ta ndërtoj një tjetër që s’do të jetë i punuar me dorë. ’“
Por dëshmia e tyre as në këtë pikë nuk ishte në përkim.
6Atëherë u ngrit kryeprifti në mes të Këshillit dhe e pyeti Jezusin me këto fjalë:
“Pse nuk po përgjigjesh asgjë? Çka po dëshmojnë këta njerëz kundër teje?”
Jezusi heshte. Nuk u përgjigj asgjë. Kryeprifti prapë e pyeti e i tha:
“A je ti Mesia, Biri i Hyjit të Bekuar?”
Jezusi iu përgjigj:
“Unë jam! Po edhe ju ‘do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në anën e djathtë të Hyjit të gjithëpushtetshëm, dhe duke ardhur me re të qiellit. ’“
Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta dhe tha:
“Ç’na duhen më dëshmitarët? Ju vetë e dëgjuat blasfeminë. Ç’ju thotë mendja?”
Të gjithë gjykuan se meritonte të vritej.
Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t’ia mbulojnë fytyrën e ta rrahin me grushta e t’i thonë: “Profetizo!” E shërbëtorët i binin shuplaka.
Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një shërbëtore e kryepriftit, dhe kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia lëshoi mirë sytë dhe i tha:
“Edhe ti ishe me këtë Nazarenas, me Jezusin.”
Ai e mohoi me këto fjalë:
“As s’di as s’po marr vesh se çka po flet.”
Pastaj u çua e doli në treme (edhe gjeli këndoi. ) Shërbëtorja, kur pa filloi t’u flasë të pranishmëve: “Ky është një prej tyre!” Pjetri prapë mohoi. Pak më vonë edhe ata që ishin aty i thanë Pjetrit:
“Me të vërtetë, ti je një prej tyre! Se edhe ti galileas je!”
Atëherë ai ia filloi të lëshojë be e rrufe:
“Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni.”
Menjëherë gjeli këndoi për së dyti e Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi ia tha: “Para se gjeli të këndojë dy herë, tri herë do të më mohosh.” Dhe shpërtheu në vaj.
Menjëherë në mëngjes krerët e priftërinjve mbajtën kuvend bashkë me pleq e me skribë ‑ mbarë Këshilli i lartë e, pasi Jezusin e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit. Pilati e pyeti:
“A je ti mbreti i judenjve?”
“Ti thua!” ‑ iu përgjigj Jezusi.
Kryepriftërinjtë e paditnin rëndë. Pilati e pyeti përsëri:
“Pse s’po përgjigjesh asgjë? Shih se sa po të padisin!”
Jezusi s’u përgjigj më asgjë aq sa Pilati mbeti i habitur. Pilati për çdo të kremte të Pashkëve u lëshonte atë të burgosur që ata kërkonin. Në atë kohë ishte në burg një njeri që quhej Barabë, i burgosur bashkë me kryengritës të tjerë, të cilët në një kryengritje kishin bërë vrasje. Njerëzit u ngjitën lart e filluan të kërkojnë prej Pilatit të bëjë atë që kishte zakon të bëjë për ta. Pilati iu përgjigj:
“A doni t’jua lëshoj mbretin e hebrenjve?”
Sepse e dinte mirë se kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar prej smire. Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën t’ua lëshojë më mirë Barabën. Pilati foli përsëri dhe u tha:
“Çka (doni) të bëj me atë që (ju thoni se) është mbreti i judenjve?”
“Kryqëzoje!” ‑ bërtitën ata përsëri.
“Po ç’të keqe ka bërë?” ‑ u tha Pilati.
Por ata bërtitën edhe më të madhe: “Kryqëzoje!”
Pilati, duke dashur të kënaqë turmën ua lëshoi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dha ta kryqëzojnë. Ushtarët e shtinë Jezusin brenda pallatit ‑ d. m. th. në pretorium, dhe e bashkuan mbarë kohortën.
E veshën me mantel të kuq dhe në kokë i vunë një kurorë të gërshetuar me ferra. Atëherë filluan ta përshëndesin: “Të falemi, mbreti i judenjve!” Dhe i binin kresë me kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar para tij, kinse e nderonin. Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, ia veshën petkat e tij dhe e hodhën përjashta për ta kryqëzuar.
Ushtarët e detyruan një kalimtar që po kthehej nga fusha, Simonin prej Cirenës, babanë e Aleksandrit e të Rufit, të mbartë kryqin e Jezusit.
Jezusin e çuan në një vend që quhet Golgota, që në përkthim do të thotë: ‘Vendi i Kafkës’. I dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.
Atëherë e kryqëzuan dhe:
‘i ndanë petkat e tij,
duke hedhur short’ ‑ çka t’i bjerë secilit.
Ishte ora tre kur e kryqëzuan.
Ishte i shkruar mbishkrimi i fajit të tij: “Mbreti i judenjve.” Bashkë me të kryqëzuan edhe dy cuba, njërin në anën e tij të djathtë, kurse tjetrin në të majtën e tij.
Kalimtarët e shanin ‘duke tundur kokën’ e thoshin: “Hej, ti që e rrënon Tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëtoje, deh, veten, zbrit prej kryqit!” Po ashtu edhe kryepriftërinjtë e skribët e vinin në lojë me njëri-tjetrin dhe thoshin: “Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë! Mesia! Mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim e të besojmë!” E fyenin edhe ata që ishin të kryqëzuar me të.
Kur u bë ora gjashtë errësira e mbuloi mbarë dheun deri në orën nëntë. Në orën nëntë Jezusi lëshoi një gjëmë të madhe: “Eloi, Eloi, lema sabahthani?”Që përkthehet: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?” Disa prej atyre që ishin pranë, kur e dëgjuan, thanë: “Ja, po thërret Elinë!”
Njëri prej tyre u lëshua me vrap, e lagu shpuzën në ‘uthull’, e vuri në kallam, ia dha ta ‘pijë’ duke thënë: “Lëreni të shohim pale a po vjen Elia ta ulë nga kryqi!”
Jezusi lëshoi një britmë të madhe ‑ e dha shpirt.
Atëherë perdja e Tempullit u nda më dysh prej majës e deri në fund. Centurioni që rrinte përballë Jezusit, kur pa se si i doli shpirti, tha:
“Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri i Hyjit!”
Prej së largu vërenin edhe disa gra. Ndër to ishte: Maria Magdalenë, Maria, nëna e Jakobit të Ri dhe e Jozefit, edhe Saloma, të cilat e kishin përcjellë dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile, edhe shumë të tjera që me të u ngjitën në Jerusalem.
Kur u bë natë dhe, pasi ishte përgatitja ‑ d. m. th. nata e së shtunës ‑ erdhi Jozefi prej Arimatesë, këshilltar i shquar e që edhe ai priste Mbretërinë e Hyjit, mori guxim dhe hyri te Pilati e ia lypi trupin e Jezusit. Pilati, i habitur se kishte vdekur, thirri centurionin dhe e pyeti a kishte vdekur tashmë. Si mori vesh prej centurionit, ia dhuroi trupin Jozefit. Ky bleu pëlhurën, e uli nga kryqi Jezusin, e mbështolli në pëlhurë dhe e futi në varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur në grykë të varrit. Fjala e Zotit
Homelia e Dielës sё Larit a Dielës sё Luleve nga Dom Dritan Ndoci:
"HYJI IM, HYJI IM, PËRSE HOQE DORË PREJ MEJE?!" (Is 50, 47; Ps 22 (21); Fil 2, 6-11; Mk 14, 1 – 15, 47)
Me ritin e bekimit të Larit kemi përkujtuar atë hyrje solemne që Jezusi bëri në Jerusalem pak ditë para se të përballej me mundimet dhe vdekjen në kryq. Liturgjia e Fjalës sot na vë përpara, në mënyrë të veçantë, Ungjillin e Shën Markut.
Mundimet dhe vdekja e Jezusit patjetër që janë historia që më së shumti mund ta habisë mendjen njerëzore: kjo sepse bëhet fjalë për mundimet dhe vdekjen e Birit të Hyjit të bërë njeri. Shumë më tepër se sot, kjo gjë mbase habiste aso kohe edhe rangjet intelektuale të cilat e përjashtonin mundësinë që një Perëndi të mund të vuante.
Duke treguar këtë ngjarje tejet të rëndësishme të mundimeve të Krishtit, secili prej ungjilltarëve vë në pah ndonjë aspekt të veçantë.
Ungjilli i Shën Markut, sikurse edhe ai i Shën Mateut, kanë diçka shumë të veçantë në këtë pikë: e vetmja shprehje që vënë në gojën e Jezusit gjatë kryqëzimit të tij, është ajo gjëma e madhe që Jezusi lëshon: «Eloi, Eloi, lama sabahthani?!» – «Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?!» Me këtë shprehje të vetme, ungjilltarët na vënë përpara në mënyrë shtanguese misterin e madh përballë të cilit gjendemi.
Kjo britmë e Jezusit në kryq është një shprehje që mbart në vetvete shumë mister, sepse duket sikur po bëhet fjalë për një ndarje mes Personave Hyjnorë: duket sikur Biri është braktisur nga Ati. Shumë shenjtër e teologë janë përpjekur të futen në errësirën e përjetuar nga Jezusi në ato çaste në kryq, por askush nuk ka dalë në ndonjë përfundim të saktë në shpjegimin e kësaj britme të Jezusit. Ai çast që na shëlboi, është i pakapshëm në plotësi nga ne.
Megjithatë, disa gjëra kanë arritur t’i thonë. Pikë së pari thonë se kjo britmë tregon më së miri dramën reale që po ndodhte në trupin e shpirtin e Jezusit. Përballë kësaj drame, bien poshtë të gjitha ato rryma filozofike që, duke u ndeshur me krishtërimin, patën tendencën të pohonin se vuajtja e Jezusit nuk kishte qenë reale, por vetëm se dukej si e tillë. E thoshin këtë të bazuar në parimin grek se vuajtja nuk i përkiste perëndive.
Por vuajtja e Jezusit ishte reale. E dëshmon këtë edhe urata e Jezusit në Gjetseman: «Abba! Atë, ti mundesh gjithçka. Largoje prej meje këtë gotë!» Jezusit i është dashur patjetër që ta përkulte vullnetin e tij njerëzor (si ai që përkul me duar një shufër të fortë hekuri), për të arritur tek fjalët «... por jo çka dua unë, por çka do ti!»
Ungjijtë e tjerë na vijnë në ndihmë në këtë pikë: Ungjilli i Lukës pohon se Jezusi, gjatë kësaj urate në Gjetseman, u djersit gjak. Pra, aq ankth ndjente brenda vetes, saqë i gjithë trupi i tij ishte tejet i tensionuar dhe damarët e lëkura filluan të pësonin dëmtime.
Kaq të rënda mund të kenë qenë këto dëmtime, saqë dikush mendon se uji, i cili së bashku me gjakun që doli nga kraharori i Tij i shporuar – siç e pohon Ungjilli i Gjonit –, duhet të jetë krijuar brenda kraharorit të Jezusit pikërisht për shkak të ndonjë dëmtimi të ndodhur në ato çaste ankthi të fortë në kopshtin e ullinjve.
Prandaj, britma e Jezusit nuk del nga hiçi, por nga humnera e madhe u vuajtjes në të cilën gjendet.
Pastaj disa teologë të tjerë shpjegojnë se, kjo britmë e dhimbshme e Jezusit, e cila në pamje të parë mund të na bëjë të mendojmë për ndonjë dyshim të Jezusit në dashurinë e Atit të vet, ka sidomos qëllim të na bëjë të shohim nga afër se Jezusi pikërisht kështu është duke u bërë Qengji mbi të cilin po bien pasojat e mëkatit njerëzor, pasoja të cilat, në fakt, do të ishte dashur t’i merrte mëkatari. Por tani është Ai që po i merr mbi veten e Tij. Prandaj thotë Shën Pali në letrat e tij: «Jezusin Hyji e trajtoi si mëkat», pra e trajtoi si do të meritonte të trajtohej mëkatari.
Pastaj, britma e Jezusit, në pamje të parë, të bën të mendosh se Ai këtu është pa Hyjin, por është krejtësisht e kundërta: “pa Hyjin” Ai po i drejtohet Hyjit.
Britma e Jezusit nuk është britma e një ateisti të shkandulluar nga vuajtja, i cili përballë misterit të vuajtjes do të bërtiste: «S’ka Perëndi», por është britma tipike e besimtarit i cili, në vogëlsinë e natyrës së vet njerëzore, i drejtohet Hyjit për t’i kërkuar dritë, sqarime, forcë. E gjithë kjo pikërisht ngaqë ai vazhdon të besojë. Është çasti i betejës me Zotin, betejë e shenjtë, për të cilën Jobi, në Besëlidhjen e Vjetër, qe përgëzuar nga vetë Hyji.
Jezusi prek fundin e humnerës në të cilën, në fakt, do të ishte dashur të gjendej mëkatari, por edhe prej atje Ai vazhdon të jetë në kontakt me Atin e vet.
Sa Krishti ndodh shpesh që një njeri të vuajë – mbase edhe më shumë –, por të vuajë si Krishti, nuk ndodh përveçse tek ai që vazhdon ta vuajë misterin lemeritës të vuajtjes në uratë të drejtuara Hyjit të vet.
Të gjithë përballemi me misterin e vuajtjes, por jo të gjithë e përjetojmë si Jezusi, duke e vazhduar uratën tonë, duke vazhduar t’i kërkojmë ndihmë Atij që të na mësojë se si ta përballojmë atë.
Jezusi ishte i vetëdijshëm se vuajtja e Tij ishte edhe misioni i Tij. Përse të mos e mendojmë edhe ne kështu?
Tregohet në historinë e një shenjti se, gjatë sëmundjes së fundit të jetës së tij, ndodhte që të humbiste shumë gjak nga plagët e veta. Pasi i dhanë vajimin, e lanë për pak kohë të vetëm në dhomë. Por kur u kthyen, për habinë e të gjithëve, gjetën të shkruar nëpër muret e dhomës fjalët: «Këtu bëhet vullneti i Zotit.». Ato fjalë ai i kishte shkruar duke lyer gishtin me gjakun e vet.
T’i kërkojmë, pra, edhe ne Jezu Krishtit që, sa më fort që të zhytemi në soditjen e misterit e mundimeve të Tij, aq më fort të mësohemi edhe ne që ta përballojmë misterin e dhimbjes ashtu siç e jetoi Ai: me shikimin e drejtuar nga Ati ynë qiellor.