Gaza, atë Romanelli: ringjallja fillon përsëri nga Kalvari ynë
R.SH. / Vatikan
Jeruzalem. Tre ditë pas masakrës. Kalvari mbeti vend fatkeqësie: kryqe, çekiçe, gozhdë, litarë… Vesa e mëngjesit mbulon lulet e egra që rriten ndërmjet shkëmbinjve. Heshtje. Gurë të thyer. Vetmi. Duket se gjithçka ka marrë fund. Prej këndej Zoti "u largua" nga Toka, edhe pse nuk e braktisi kurrë. Shpirti Shenjt i Shëlbuesit u nda nga Trupi i tij pikërisht atje, në Kalvar, në atë ditë të errët, rreth orës tre pasdite. Kaluan tri ditë nga ajo fatkeqësi... e, shumë afër prej andej... është Vendi i fillimit të ri të vërtetë të njerëzimit: Varri i Krishtit. Po, por varri tashmë është bosh! Ai doli i gjallë, u ringjall dhe atje nuk do të kthehet kurrë më.
Ndërkaq Kalvari i Gazës vijon. Vijim fatkeq, me të vdekur, të plagosur, të sëmurë, të uritur, njerëz të braktisur prej fatit, pengje e të burgosur, vetmi dhe depresion. Vetëm vesa e mëngjesit mbi disa fije bari dhe disa lule nga ato pak bimë të mbetura, tregojnë se pranvera erdhi.
Pranvera është këtu. E edhe kështu nuk mund ta mbulojmë diellin me duart tona. E të shtihemi kinse realiteti i Gazës është i mirë. Jo, gjërat janë keq, shumë keq, shumë keq! Por as ne, si besimtarë në Zotin e Ngjallur, nuk mund ta mbulojmë Diellin tjetër, që është Jezu Krishti i kthyer nga të vdekurit.
Në Gaza, edhe falë festimeve të Pashkëve, e dimë se Krishti është ringjallur atje. E se u prit sot nga shumica e vëllezërve tanë në fe në Kungimin Shenjt. Por ne besojmë edhe se, me hirin e ardhjes së Tij, Ai e mbush dhe e ndriçon çdo shpirt të drejtë.
Mund të ndodhë që shumë nuk e kanë njohur ende planin e Dashurisë së Perëndisë të zbuluar në Jezu Krishtin, Emanuelin, Birin e Zotit dhe djalin e Davidit, të Virgjërin nga Virgjëresha, por kjo nuk do të thotë se ata nuk mund të merrnin pjesë në mënyrë misterioze në hirin të Pashkëve. Shën Pali na mëson se kushdo që ka lindur pa ligj, do të gjykohet pa ligj. Duke qenë kështu, i takon Krishtit të gjykojë dhe të shohë çdo qenie njerëzore, duke përfshirë secilin prej nesh. Ne e dimë se Ai i do ata që e kërkojnë. Ata, që kanë zemër të sinqertë dhe jam i bindur se shumica e këtyre njerëzve të bekuar në këto troje, në thellësi të shpirtit të tyre, nuk e dëshirojnë këtë luftë. Nuk e duan, madje e urrejnë.
Nga Gaza, nga këto varre, shumë, në të vërtetë shumë, presin ditën e ringjalljes përfundimtare. Por ne, që kemi parë shumë herë popuj të tërë të rilindur nga hiri, mund të mendojmë se ringjallja do të fillojë përsëri prej atje. Ndoshta ka mbetur edhe pak kohë, për fat të keq. Por Zoti, duke qenë i Drejtë, nuk do t'i braktisë ata njerëz të varfër në Kalvar. Herët a vonë do të mbërrijë drita e një shprese të re, njerëzore, e kufizuar sigurisht, por që do të jetë, në të njëjtën kohë, shenjë dhe mundësi për të gjithë ata, që të besojnë Të, që e presin dhe e duan!
Me një zemër të mbushur me gëzimin e Ngjalljes, madje edhe në mes vuajtjesh, bashkësia jonë katolike në Gaza ju uron Gëzuar Pashkët dhe ju falënderon për lutjet dhe për ndihmën.