Imzot Gjergj Meta: Kisha kumton Ungjillin në shërbim të vëllazërimit njerëzor
R.SH. - Vatikan
Presidenti i ri i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta mysafir në studio të Radio Vatikanit - Vatican News flet për misionin që ka Konferenca Ipeshkvore në realitetin e Kishës katolike në Shqipëri, për vlerën e paçmueshme të bashkëjetesës së komuniteteve fetare në vend. "Si komunitete fetare ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin, jetojmë bashkë dhe për këtë arsye edhe bashkë mund të sjellim vlera për shoqërinë", pohon imzot Meta.
Për dialogun e Kishës katolike me shoqërinë, botën e kulturës, për bashkëpunimin e saj me institucionet e vendit për mbarëvajtjen e shoqërisë së sotme në Shqipëri, pohon se "marrëdhëniet e Kishës katolike me institucionet shtetërore ka qenë gjithmonë marrëdhënie korrekte", "mendoj që shteti nga ana e tij duhet ta konsideroj religjionin si një faktor zhvillimi, si një faktor me të cilin duhet të ballafaqohet, duhet të konfrontohet, jo vetëm kur ka probleme. Për të parë se si disa çështje mund t'i zgjidhim së bashku, për shembull kultura: shembull çështje sociale, çështje të varfërisë etj", shton imzot Meta e, së fundi, flet për rolin dhe vendin e gruas në Kishë, përmend Shenjtën Nënë Terezë e të Lumen Marie Tuci, duke uruar Ditën e 8 Marsit të gjitha Grave, po të dëgjojmë bisedën e Presidentit të ri të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë imzot Gjergj Metës me dom David Xhuxhën:
Dëgjues të nderuar, kam kënaqësinë të përshëndes në studio të Radio Vatikanit Vatican News, presidentin e ri të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, ipeshkvin e Rrëshenit, imzot Gjergj Meta. Mirë se erdhët!
Imzot Meta: Mirë se u gjeta, faleminderit shumë! Faleminderit!
Dom Davidi: Si e pritet këtë zgjedhje dhe çfarë do të thotë për ju personalisht, është snjë mision shtesë që u besohet nga sivëllezërit tjerë ipeshkvij?
Imzot Meta: Po, themi janë procedurat e Konferencës tonë Ipeshkvore, janë statutet, atëherë në këtë moment Ipeshkvit menduan që të jem unë që të udhëheq Konferencën e Ipeshkvore, është një besim që më kanë dhënë, për mu një mision që ta kryej sa më mirë me ndihmen e Zotit, me ndihmen e Ipeshkvijve.
Dom Davidi: Konferenca Ipeshvore katolike e Shqipërisë, për dëgjuesit e Radio Vatikanit, çfarë roli, misioni ka dallim nga një ipeshkëv i një dioqeze të veçantë.
Imzot Gjergj Meta: Konferenca Ipeshkvore e një vendi është një organizëm kryesisht baritor, mundohet të koordinojë punën baritore në një territor të caktuar pa prekur punën që bëhet në dioqezat e veçanta, nuk është një superstrukturë e Kishës, por është një strukturë e Kishës që mundohet të koordinojë punën midis ipeshkvijve dhe midis dioqezave të ndryshme për sa i përket shërbimit baritor, sigurisht e drejtës kanonike, por edhe Selia e Shenjtë, në momente të veçanta jep edhe disa të drejta vendimmarrëse Konferencës Ipeshkvore, në bazë të statuteve, pastaj secilit prej Ipeshkvijve, presidentit, zëvendëspresidentit, sekretarit të përgjithshëm ose edhe presidentëve të komisioneve të ndryshme episkopale që ne kemi aty, por kryesisht roli i Konferencës Ipeshkvore është ai i koordinimit të punës baritore dhe sigurisht, nga ana tjetër, edhe i një përfaqësimi përpara shtetit, përpara shoqërisë, për qenë e një Kishe e vetme, në një farë mënyre, sepse shpeshherë termat ndërkëmbehen kur thua Kisha katolike, Konferenca ipeshkvore, është pak a shumë, në disa momente e njëjta gjë edhe pse nuk përkojnë krejtësisht me njëra-tjetrën, por ama Konferenca e Ipeshvore, Presidenca ka edhe këtë rol përfaqësimi zyrtar përballë shtetit, përballë shoqërisë të kishës katolike.
Dom Davidi: ndër hapat e parë që keni bërë si president i ri i Konferencës ipeshvore katolike të Shqipërisë është vizita që e keni bërë tek kryetarët dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri.
Imzot Gjergj Meta: Po ishte më shumë një shenjë nga ana ime, një iniciativë, një nismë imja, u kërkova takim, sepse mendoj që dialogu ndërfetar dhe bashkëpunimi midis religjioneve në Shqipëri është një fakt themelor shumë i rëndësishëm që ndihmon në në arritjen e shoqërisë ndihmon edhe në mbajtjen e ekuilibrave midis besimeve të ndryshme, sepse besimi, aq sa mund të jetë dobiprurës për shoqërinë, i përdorur keq aq mund të jetë edhe dëmsjellës për shoqërinë. Prandaj, detyra jonë e udhëheqësve të komuniteteve fetare është edhe ky, që me njëri-tjetrin të kemi një dialog, një mirëkuptim sa më të mirë, për të gjitha ato çështje që na shqetësojnë bashkërisht. Pastaj, si kuptohet se secili nga na i ka pastaj realitetin e tij të brendshëm, por që unë jam i bindur gjithmonë, duke qenë se edhe vetë jam rritur qysh fëmijë në një ambient multifetar, jam i bindur se shëndeti i një komuniteti fetar është edhe shëndeti i komunitetit tjetër. Në qoftë se një komunitet fetar nuk kon mirë ose ka probleme, këto probleme ndikojnë edhe në jetën e komuniteteve tjera, edhe në jetën e shoqërisë, sepse ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin, jetojmë bashkë dhe për këtë arsye edhe bashkë mund të sjellim vlera për shoqërinë. Prandaj i takova të gjithë personalisht dhe ishin takime shumë të bukura. Sigurisht kam kërkuar edhe të takoj edhe përfaqësuesit e institucioneve për një bisedë dhe për të dhënë gatishmërinë tonë si Kishë përsëri edhe një herë tjetër.
Dom Davidi: Na thuani diçka rreth rolit e marrëdhënies së Kishës katolike në Shqipëri me institucionet që janë shoqërore-shtetërore dhe ato kulturore, që të ndikon në trajtimin e shumë çështjeve që janë me interes të përbashkët të vendit dhe të popullit, nga vlerat deri tek çështjet që shqetësojnë?
Imzot Gjergj Meta: Po mund të them se deri tani marrëdhëniet e Kishës katolike me institucionet shtetërore ka qenë gjithmonë marrëdhënie korrekte, edhe me ipeshkvit, me presidentët e tjerë të Konferencës ipeshkvore, që kanë qenë ndër vite. Edhe këtu mendoj që shteti nga ana e tij duhet ta konsiderojë religjionin si një faktor zhvillimi, si një faktor me të cilin duhet të ballafaqohet, të konfrontohet, jo vetëm kur ka probleme. Për të parë se si disa çështje mund t'i zgjidhim së bashku, për shembull kultura, çështjet sociale, çështjet e varfërisë, e probleme e disa kuadrove ligjore për sa i përket jetës, familjes, religjionet mund të sjellin kontributin e tyre në mbështetje të njeriut. Pastaj ka një pike të rëndësishme që dëshirojmë ta çojmë përpara, marrëdhënia me shkollat që ne kemi në territorin e Republikës së Shqipërisë, që bëjnë një shërbim publik dhe ne kemi kërkuar e do të kërkojmë që statusi i këtyre shkollave të njihet nga shteti edhe për një bashkëpunim të mundshëm privat publik, sepse shkollat tona nuk janë shkolla private, janë shkolla faktikisht publike, në kuptimin që ne nuk i kemi për një biznes ato shkolla, nuk fitojmë nga ato shkolla. Përkundrazi, kemi shpesh vështirësi financiare për t'i çuar përpara dhe në këtë pikë kërkohet një bashkëpunim me shtetin, me organet arsimore të Shqipërisë. Eshtë bashkëpunuar, por mendoj që mund të thellohet akoma më shumë ky bashkëpunim.
Dom Davidi: Në aspektin brenda Kishës katolike në Shqipëri, një Kishë me histori të lavdishme e të trishtë në kuptimin e një çmimi të lartë që ka paguar me martirizim në epoka të ndryshme. Cilat janë sfidat, që ju si Ipeshkvij i shihni më urgjente dhe që kërkoni, të themi kështu, një trajtim ose së paku një përgjigje?
Imzot Meta: Po, në përgjithësi janë sfida që po kalon Kisha dhe, në mënyrë të veçantë Kisha evropiane. Ne jemi një Kishë evropiane në të gjitha kuptimet e fjalës, jo vetëm për faktin se bëjmë pjesë në organizmin e CCE-së, që është Organizimi i Kishave Evropiane, por edhe për faktin se ambienti gjeografik e kulturor historik i përket, dhe i përket Evropës. Më pëlqen të nisem nga kjo perspektivë për të thënë që edhe Kisha në Shqipëri po kalon ato sfida, si për shembull mplakja e besimtarëve, do të thoja shpeshherë edhe braktisja e Kishave nga ana e të rinjve, në mënyrë të veçantë, ndoshta fjala braktisje është një fjalë pak e fortë, por po të themi indiferentizmi, mos interesi. Shpeshherë e vë e të re që ata që janë përreth Kishave, ose janë të vjetër, të moshuar, që kanë një besim të tyre, ose janë të rinj më shumë të lidhur me figura personale, pra me figurën e famullitarit, me figurën e motrës, me figurën e ipeshkvit, por përtej kësaj, pastaj momenti që bie një fakt afektiv, sikurse është lidhja me një famullitar, pastaj zhbëhet edhe grupi.
D. Davidi: E këtu është një rast i veçantë edhe ky vit i kushtuar lutjes, si parapërgatitje të vitit të ardhëm që do të jetë Viti Jubilar, për një nxitje të më tejshme?
Imzot Meta: Këto skadenca jubilare apo këto evente që shpallen nga Selia e Shenjtë janë një rast i mirë. Por nuk janë gjithçka, tekefundit, ne duhet të punojmë aty, pavarësisht jubileut, pavarësisht për të dhënë mesazhin e Ungjillit, i cili vlen për njeriun në çdo kohe vlen edhe kur nuk është i mbyllur brenda strukturave tona, e ky mesazh i Ungjillit gjendet në jetën e njerëzve, edhe tek ata që nuk frekuentojnë Kishën, sepse ka njerëz që jetojnë dashurinë, jetojnë familjen, jetojnë respektin për njëri-tjetrin, jetojnë ndihmën reciproke dhe ne duhet t'i vlerësojmë këtë. Mendoj që Kisha ka nevojë të ndryshojë shumë, shumë. Struktura që kemi krijuar nganjëherë e rëndojnë punën tonë, mendimet nga njëherë ato teoritë më shumë që kemi mbi gjërat, nuk na lejojnë nganjëherë që të lexojmë realitetin siç është. Kam përshtypjen, dhe këtë e them me bindje, që nganjëherë jeta jonë e Kishës, e priftërinjve, e motrave, e Ipeshkvijve, edhe e atyre njerëzve që janë përreth nesh, duket sikur është pak larg nga jeta reale e shumë njerëzve. Dhe kjo krijon një lloj një hendeku që duhet parë me shumë kujdes, duhet parë mirë dhe mendoj që një dialog me shoqërinë, një dialog me njerëzit e kohës sonë, një afërsi, siç e thotë Papa, afërsi me jetën reale të njerëzve, mendoj që është sfida jonë si Kishë.