Kërko

Presidente della Conferenza Episcopale d'Albania Mons Gjergj Meta incontra capi religiosi d'Albania Presidente della Conferenza Episcopale d'Albania Mons Gjergj Meta incontra capi religiosi d'Albania

Imzot Meta takime me krerët e feve, të gjithë për të mirën e përbashkët të Shqipërisë

Presidenti ri i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Meta takon krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri. Marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare, bashkëpunimi për të mirën e përbashkët të popullit e mbarëvajtjen e shoqërisë, ishin në qendër të takimeve, gjatë cila imzot Gjergj Meta kujtoi se "veprimi i përbashkët mes të gjitha komuniteteve është për të kontribuar në të mirë shoqërore të vendit tonë. E mira e një komuniteti të caktuar është e mira e përbashkët"

R.SH. - Vatikan

Presidenti i ri i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta takon krerët e komuniteteve fetare të pranishme Shqipëri. Marrëdhëniet vëllazërore dhe bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve fetare për të mirën e përbashkët të popullit dhe mbarëvajtjen e shoqërisë, ishin në qendër të takimeve të përzemërta. Imzot Gjergj Meta kujtoi se "veprimi i përbashkët mes të gjitha komuniteteve është për të kontribuar në të mirë e shoqërisë së vendit. E mira e një komuniteti të caktuar është e mira e përbashkët dhe aplikimi në shoqëri i vlerave fetare duke ruajtur laiciteti", po më hollësisht të ndjekim njoftimin e zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, dom Mark Pashkja

dom Mark Pashkja

Imzot Gjergj Meta u prit në një takim mjaft vëllazërorë nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos. Përveç bashkëpunimit midis dy komuniteteve dhe marrëdhënieve ndërfetare, Imzot Meta theksoi rolin e punën që Hirësia e tij ka luajtur gjithë këto vite në shoqërinë Shqiptare.

Në një klimë mjaft miqësore, ai u prit në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nga Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Gjatë takimit dy palësh, Imzot Meta theksoi rëndësinë e veprimit të përbashkët mes të gjitha komuniteteve për të kontribuar në të mirë shoqërore të vendit tonë. E mira e një komuniteti të caktuar është e mira e përbashkët dhe aplikimi në shoqëri i vlerave fetare duke ruajtur laiciteti, është rruga e duhur për një vend më të mirë nënvizoi Imzot Meta.

Në takimin me kreun e Vëllazërisë Ungjillor,  Pastor Ergest Bitrin, u diskutua mbi rëndësinë e takimeve ekumenike dhe domosdoshmërinë e momenteve të përbashkëta që tejkalojnë ato institucionale. Nga të dyja palët u nënvizua fakti se ajo çka bashkon të gjitha komunitetet e krishtera pa dallim është, Fjala e mishëruar si qendër jete. Pikërisht këtu gjendet edhe drita që udhëheq veprimtarinë dhe jetën e të gjithë të Krishterëve pa dallim.

Takimi me kreun e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Edmond Brahimaj u zhvillua në një klimë mjaft të këndshme përvec se miqësore. Në bisedat e rastit,  udhëheqësit përkatës,  kujtuan kontributin e shquar që këto dy komunitete kanë dhënë në etapat e ndryshme historike të shtetformimit për vendin tonë. Baba Edmond Brahimaj duke uruar përzemërsisht Imzot Meten për detyrën e re, kujtoi bashkëpunimin e çmueshëm që ka karakterizuar në vite këto dy besime.

Takimi me Sekretarin e përgjithshëm të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Z. Genti Kruja ishte pjesë e agjendës së Imzot Metës. Në takimin e tyre në mjediset e këtij institucioni u fole gjatë dhe me entuziazëm për projektet e përbashkëta mes komuniteteve fetare.

Një vizitë kortezie zhvilloi edhe me Kryetarin e Komitetit të Kulteve Z. Klodian Bulku. Gjatë bisedës me të, Imzot Meta rinovoi gatishmërinë e bashkëpunimit mes Kishës dhe shtetit. Ai gjithashtu duke shprehur vlerësimin maksimal për rolin e shtetit, shprehu domosdoshmërinë e koordinimit të sfidave dhe problematikave mes palëve, të cilat qëndrojnë nën mbikëqyrjen e këtij institucioni.

01 mars 2024, 14:12