Imzot Gjonlleshaj: Gallagher në Mal të Zi, për të takuar Kishën dhe krerët e shtetit
R.SH. – Vatikan
Fillon sot, 21 mars, për të vijuar deri të dielën e ardhshme të Larit, më 24 mars, vizita e Sekretarit të Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, në Malin e Zi. Sipas programit të njoftuar nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, gjatë kësaj vizite Ministri i Jashtëm i Vatikanit imzot Gallagher ka në program një takim me presidentin e Republikës së Malit të Zi, Jakov Milatoviq, nesër më 22 mars, pasuar nga takimi me kreun e Parlamentit, Andrija Mandiq, si edhe me kryeministrin Milojko Spajiq.
Po nesër, imzot Gallagher do të marrë pjesë në hapjen e Sesionit të Komisionit të përzier për zbatimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Malit të Zi. Kujtojmë se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Malit të Zi janë vendosur më 6 dhjetor 2006. Selia e Shenjtë e Mali i Zi janë të bindur se ushtrimi i lirisë fetare së çdo qytetari dhe të çdo bashkësie besimtarësh, sipas një kuadri që përkon me parimet e kulturës së sotme perëndimore, është kusht i domosdoshëm për mbrotjen e të drejtave të njeriut në të gjithë planetin. Kisha Katolike, nuk kërkon privilegje për vete, por mundohet të kontribuojë për të mirën e përbashkët të vendit, në gjendjen e krijuar pas ndryshimeve të viteve të fundit.
Të shtunën, më 23 mars, ai do të takohet me bashkësinë katolike të dioqezës së Kotorrit, me të cilën prelati do të kremtojë Eukaristinë, në Kishën katedrale të Shën Trifonit. Të dielën, 24 mars, dita e fundit e vizitës së tij, imzot Gallagher do të takohet me bashkësinë katolike të kryedioqezës së Tivarit dhe do të kremtojë Meshën në konkatedralen e Shën Pjetrit.
Pikërisht kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj, në mikrofonin e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit – Vatican News flet për rëndësinë që ka vizita e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet në Mal të Zi, për Kishën katolike vendore dhe marrëdhëniet me Shtetin e Komunitetet fetar, por ta dëgjojmë imzot Rrok Gjonlleshajn:
Nga dita e sotme e deri të dielën e Larit, më 24 mars, Malin e Zi dhe Kishën katolike në këtë shtet e viziton Sekretari i Vatikanit për Marrëdhënie me Shtetet dhe me Organizatat ndërkombëtare, Shkëlqesia e Tij Imzot Paul Richard Gallagher.
Kjo vizitë, për Malin e Zi, shtet multietnik e multikonfesional, është e rëndësishme dhe me peshë të veçantë, sikur dëshmohet edhe nga disponimi i krerëve të shteti dhe mediave, të cilët kanë ndërmarrë të gjithë hapat e duhur për organizimin dhe mikpritjen te duhur, të Prelatit të lartë të Selisë së Shenjtë.
Në ditën e sotme dhe të nesërmen takohet me të gjithë Krerët e Shtetit, më të cilët do të ketë biseda për të mirën e këtij vendi, si dhe për të mirën e Kishës katolike në këtë Shtet. Për Kishën katolike, respektivisht për Kryedioqezën e Tivarit dhe për Dioqezën e Kotorrit, si dy Kisha dioqezane të vogla, me numër të vogël të klerit dhe të besimtarëve, kjo vizitë konsiderohet shumë e dobishme si dhe si përkrahje e madhe e Selisë së Shenjtë ndaj kësaj grigje të vogël.
Kisha katolike në Mal të Zi ka marrëdhënie të mira me Shtetin dhe më Bashkësitë Fetare, vizita e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhënie me Shtetet dhe me Organizatat ndërkombëtare do ti forcojë edhe më shumë raportet dhe bashkëpunimin tonë të ndërsjell. Këtë e tregon edhe faktin se gjatë kësaj vizite është në program edhe Seanca e Komisionit të Përzier për zbatimin e marrëveshjes bazë të Malit të Zi me Selinë e Shenjtë.
Imzot Paul Richard Gallagher do të vizitojë edhe dy Dioqezat e Malit të Zi. Do të kremtojë Meshën e shenjtë në dy Katedralet katolike. Të shtunën në Kotorr, do të jetë takimi më klerin, rregulltarët dhe rregulltaret e pastaj Mesha shenjte në Katedralen e shën Triponit. Të dielën e Larit, në fillimin e Javës së Shenjtë të Pashkëve do të celebrojë Meshën e shenjtë në Katedralen e shën Pjetrit apostull, në Tivar.
Dua ta falënderoj Zotin për hiret e shumta që na i dhuron, si edhe Selinë e Shenjtë për kujdesin e vazhdueshëm që tregon për ne. E si Kishë, ne premtojmë lutjet, nderimin, dëgjesën dhe besnikërinë.