Kërko

 Kardinali Pizzaballa gjatë kremtimit të së Dielës së Larit, në Bazilikën e Varrit të Shenjtë Kardinali Pizzaballa gjatë kremtimit të së Dielës së Larit, në Bazilikën e Varrit të Shenjtë  (ANSA)

Kardinali Pizzaballa, të krishterëve të Tokës Shenjte: "Faleminderit për guximin dhe fenë tuaj"

Patriarku latin i Jeruzalemit, Kardinali Pizzaballa në mesazhin për të Dielën e Larit, i përshëndeti të gjithë ata, që nuk do të mund të marrin pjesë në festimet e Javës së Madhe, e edhe shtegtarët, të cilët nuk do të mund të shtegtojnë drejt këtyre viseve të shenjta. Një mungesë që nuk të çkurajon, shkruan ai, sepse “nuk jemi vetëm, as të braktisur dhe, mbi të gjitha, nuk kemi frikë!”.

R. SH. - Vatikan

"Nuk jeni vetëm". Mendimet e Kardinalit Pierbattista Pizzaballa Patriark Latin i Jeruzalemit, në mesazhin për Procesionin e Palmave, u drejtohet të krishterëve të Tokës Shenjte të cilët, për shkak të dhunës dhe të luftës, nuk do të mund të marrin pjesë në festime. Ai i siguron: nuk jeni vetëm, sepse "mbarë Kisha e Jeruzalemit është e bashkuar" me ju, ju përqafon dhe ju falënderon për "dëshminë e forcës dhe të guximit". Imzot Pizzaballa kujton gati gjashtë muajt, që kaluan nga fillimi i luftës. “E dimë mirë - u shkruan atyre që jetojnë nën bombardime - sa e vështirë është të rrish zgjuar në gjirin e natës së zezë, të tmerrshme, që të duket se nuk do të përfundojë kurrë; të rezistosh, i bashkuar dhe i patundur, i rrethuar në të katër anët nga dhuna e nga uria”. Do t’ju jepet e gjithë mbështetja e mundshme – i siguron - qoftë edhe me lutje, që “kjo natë të kalojë sa më shpejt”. Ftesa e kardinalit nuk është për t'i dekurajuar, sepse për të gjithë "do të vijë agimi i  së tretës ditë, shpallja e ringjalljes".

Më pas, mendimet e Patriarkut shkojnë tek shtegtarët nga mbarë bota të cilët, pikërisht për shkak të situatës së tensionit të lartë, nuk mundën të niseshin drejt Tokës Shenjte. “Mos kini frikë” të ktheheni - u drejtohet atyre që quhen “prania e paqes”, në një vend i cili “ka shumë nevojë” për paqen.

Asnjë udhë kryqi nuk mund t'ju çkurajojë

Pa marrë parasysh luftën,  edhe këtë vit u kremtua "hyrja triumfale e Jezusit në Qytetin Shenjt", në një kohë kur - lexojmë përsëri në mesazh - "është më e rëndësishme dhe më e nevojshme të brohorisim me forcë se Jezusi është Mesia ynë, Zoti ynë, se është Kyrios”. E, megjithëse muajt e fundit mund të jemi ndjerë "të humbur, të hutuar, të vetmuar dhe pa  mbështetje ", "të shtypur nga kaq shumë urrejtje", nga një "luftë e tmerrshme, që duket se nuk përfundon kurrë", të krishterët e Tokës Shenjte nuk e kanë humbur guximin, përkundrazi, ngrenë me forcë zërin, për t’i kujtuar mbarë botës se kanë si pikë referimi Jezu Krishtin. “Nuk jemi vetëm, as të braktisur. E, mbi të gjitha, nuk kemi frikë!”- vijon plot optimizëm  Imzot Pizzaballës, sepse as një jetë, që shpesh është “rrugë kryqi” nuk mund të na bëjë ta humbasim guximin.

Lutje, që të vijë paqja

 Toka e Jezusit, edhe pse e Shenjtë, sot është “e plagosur, sepse e pushtuar nga kaq shumë urrejtje, kaq shumë inat”, po dashuria ndaj saj nuk ndryshon. Është dashuria ndaj një "Qyteti shenjt për të gjithë”, edhe pse shpesh “i çshuguruar" nga vetë banorët e tij, e një vendi ku "t'i shërbesh Zotit dhe t'i shërbesh njeriut" duhet të përkojnë, por "që duken si dy ekstreme, që nuk takohen kurrë".

Lutja e imzot Pizzaballës është që paqja të zbresë në Jerusalem dhe të ketë "mirëseardhje të përzemërt dhe të sinqertë të të tjerëve, dëshirë këmbëngulëse për të dëgjuar dhe për të dialoguar, rrugë të hapura, në të cilat frika dhe dyshimi i lëshojnë vendin dijes, takimit dhe besimit, ku dallimet janë mundësi për t’u shoqëruar dhe jo pretekst për mospranim”

Të lutemi, prandaj, që lutja të na e sjellë paqen!

24 mars 2024, 15:37