Kërko

Imzot. Jan Sobilo me banorët e Zaporizhzhias, Ukrainë Imzot. Jan Sobilo me banorët e Zaporizhzhias, Ukrainë  (M. Krawiec SSP)

Ipeshkvi i Zaporizhies: jetojmë gjithnjë në të Premten e Madhe

Në Pashkët e treta të luftës në Ukrainë, Imzot Jan Sobilo lutet për viktimat e konfliktit dhe bën thirrje për t’i dhënë fund gjakderdhjes! “Kjo Javë e Shenjtë, që po jetojmë, mund të jetë e fundit. Rëndësi ka të jesh me Jezusin dhe të kuptosh vlerën e jetës, të vuajtjes dhe të vdekjes” - kujton.

R. SH. - Vatikan

"Në këmbët e kryqit të Jezusit, lutem për të gjithë ushtarët e gjymtuar dhe ata që dhanë jetën e tyre për lirinë e Ukrainës". Imzot Jan Sobilo, ipeshkëve ndihmës i dioqezës së Kharkiv-Zaporizhias lutet, duke e ditur se kjo javë e shenjtë "mund të jetë e fundit e jetës dhe se i gjithë amshimi  do të varet prej saj, prandaj - porosit - të përpiqemi ta forcojmë marrëdhënien tonë me Jezusin, për të qenë gati edhe për një vdekje të mundshme”.

Kjo -  kujton - tashmë është e Premtja e tretë e Madhe në këtë luftë. Nga njëra anë jemi mësuar me kryqin e konfliktit, nga ana tjetër me kryqin e vetvetes. Plagë që i kemi pasur prej kohësh, por që nuk po e dimë se si mund të shërohen në të ardhmen e afërt. Lufta është në vazhdim dhe nuk dihet sa do të zgjasë. E kjo është shumë e dhimbshme. Në të njëjtën kohë, shoh se njerëzit janë mësuar me të shtënat, me faktin se dikush ka vdekur, se ushtarët e plagosur po kthehen. Ata duhet të jetojnë dhe e dinë që edhe në kohë lufte duhet të veprojmë, duhet të shkojmë të marrim bukën, duhet të lutemi. Në fillim të luftës disa e kishin problem lutjen, por tani e shoh se janë mësuar ta organizojnë: pa të nuk ka asnjë mënyrë për ta mbijetuar këtë periudhë të gjatë lufte, kur jetojmë si në të premten e madhe! Po ne nuk i humbasim kurrë shpresat!

Kryqi i Jezusit do të triumfojë e do t’i ringjallë shpresat për Ukrainën!

Në kryqin e Zotit Jezus është e gjithë shpresa jonë. Jemi të vetëdijshëm se nuk do të na shpëtojnë as diplomatët dhe as politikanët. Ata mund të ndihmojnë dhe të jenë mjet në duart e Zotit, por ne e mbështesim gjithë shpresën tek kryqi i Zotit Jezus. Ky kryq çon në fitoren e Ukrainës sonë, por edhe në fitoren e gjithë qytetërimit të krishterë. Tani na duhet të jetojmë një periudhë shumë të ftohtë pushtimi, lufte dhe shantazhi, që po propagandohet në të gjithë botën nga Rusia. Prandaj shpresojmë vetëm në fitoren e Krishtit! E dimë dhe besojmë se kjo fitore do të vijë për Ukrainën dhe se nga Ukraina, e gjithë Bota do të thithë ajrin e pastër të fitores! Mendoj se vetëm pas fitores së Ukrainës, pas përfundimit të kësaj lufte mizore, do t’i kuptojmë fjalët e Zojës së Fatimes, kur  na pati kërkuar të lutemi për kthimin e Rusisë.

 Lutje, tek këmbët e Kryqit

Në këmbët e kryqit të Jezusit, u kërkoj të gjithë njerëzve vullnetmirë të mbarë botës, të mbështesin Ukrainën me lutje dhe kthesë të thellë, sepse lufta është edhe pasojë e mëkatit të secilit prej nesh. Një mëkat i rëndë është si  raketë e madhe Iskander, e cila ka fuqinë të prishë një ndërtesë të lartë banimi dhe të vrasë shumë njerëz. Një mëkat i vogël është si një plumb pushke që mund të plagosë rëndë një ushtar ose civil. Prej këndej, nevoja për kthimin tonë, për pajtimin tonë me Jezusin, për agjërimin tonë të kërkuar nga Zoja. Zëri i Saj na kujton përsëri se me agjërim dhe lutje mund të ndalojmë edhe luftën. I kërkoj me shumë përvujtëri gjithë botës lutje dhe agjërim. Një zemër e penduar mund ta çojë lutjen deri mbi retë e zeza, prandaj le të tingëllojë tek këmbët e Kryqit të Jezusit thirrja për kthimin tonë, me lutje të thellë, me agjërim, në mënyrë që të presim kohë të reja sa më shpejt të jetë e mundur: kohë paqeje të thellë, paqeje të vërtetë, të cilën Jezusi dëshiron të na e japë dhe të cilën ne, duke bashkëpunuar me Të, mund ta shpejtojmë, me lutje, agjërim dhe kthesë personale”

"Në këmbët e kryqit të Jezusit, lutem për të gjithë ushtarët e gjymtuar dhe ata që dhanë jetën e tyre për lirinë e Ukrainës". Imzot Jan Sobilo, ipeshkvi ndihmës i dioqezës së Kharkiv-Zaporizhia, gjithashtu lutet, duke e ditur se kjo javë e shenjtë "mund të jetë e fundit e jetës sonë dhe se gjithë përjetësia do të varet prej saj, prandaj le të përpiqemi të forcojmë marrëdhënien tonë me Jezusin për të qenë gati edhe për një vdekje të mundshme”.

29 mars 2024, 15:36