Kërko

Mons Simon Kulli, vescovo di Sapa, Albania Mons Simon Kulli, vescovo di Sapa, Albania

Imzot Kulli: Krishti, shpresa jonë është Ngjallur!

Pashkët janë me të drejtë festa e të gjitha festave, merr kuptim të ri gjithçka në Dritën Shëlbimprurëse të Krishtit të Ngjallur. Mesazhi i Imzot Simon Kullit, ipeshkvit të dioqezës së Sapës, me rastin e Pashkëve 2024

R.SH. / Vatikan

Mesazhi i Imzot Simon Kullit, ipeshkëv i dioqezës së Sapës, me rastin e Pashkëve 2024

Mesazhi i Imzot Simon Kullit, ipeshkëv i dioqezës së Sapës, me rastin e Pashkëve 2024

KRISHTI, SHPRESA JONË ËSHTË NGJALLUR

Mesazhi i Imzot Simon Kullit me rastin e Pashkëve

Të dashur vëllezër dhe motra,

në këtë të kremte të Pashkëve Krishti shpresa jonë është ngjallur.

"Në dritën tënde, ne e shohim dritën tonë"; janë këto fjalë liturgjike, me të cilët dëshiroj që edhe ne të gjithë, në mënyrë të veçantë besimtarët e Dioqezës së Sapës, të mund të vishemi e të ndriçojmë para tjerëve.

Pashkët janë me të drejtë festa e të gjitha festave, merr kuptim të ri gjithçka në Dritën Shëlbimprurëse të Krishtit të Ngjallur. 

Si simbol të kësaj drite të Krishtit, Kisha ndez qiriun e pashkëve."Krishti dje dhe sot. Fillimi dhe mbarimi. Atij i përkasin kohët dhe shekujt. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në shekuj e në amshim". Janë këto fjalët e bekimit të qiriut të pashkëve që tingëllojnë me krejt forcën e gëzimit në këtë Pashkë të Shenjtë.

Të gjithë bartim në zemër dritën e Hyjit që ai na e ka sjellë dhe që e kemi marrë nëpërmjet sakramentit të pagëzimit. Ne jemi bartësit e dritës së tij. Kjo dritë e Ungjillit duhet ta mbushë jetën tonë personale dhe shoqërore dhe përcakton udhën tonë jetësore, na jep njohjen e se vërtetës dhe forcën e bindjes ndaj saj.

Vëllezër dhe motra, Historia e Biblës është historia jonnë. Historia e kishës që mbërrin deri në ditët tona, është një udhë e nisur nga vetë Krishti, e trashëguar prej të parëve tanë, por në ketë udhë edhe ne bëjmë pjesë në shtegtimin tonë drejt qiellit. Edhe  udha e kishës në Shqipëri kalon përmes historisë së përditshme të popullit tonë, e prek atë me hirin e Krishtit të Ringjallur dhe i jep forcën e besimit në Hyjin. Ndërsa kremtojmë gëzimin e fitores mbi të keqen dhe vdekjen, nuk mund të harrojmë se misteri i vuajtjes dhe i dhimbjes vazhdon të ndrydhë shumë njerëz në vendin tonë, sepse është i madh dhe i rëndë misteri i mëkatit dhe i egoizmit që e errëson dritën e dashurisë.

Shumë të dashur vëllezër dhe motra, tregojuni njerëzve të kohës sonë me fjalë e me vepra dhe me një jete të shenjtë, se Krishti, shpresa jonë, është ngjallur, se ai i prin historisë dhe pret çdo njeri. Krishti e ka rrokullisur gurin dhe ka hapur një udhë të re. Asnjë udhë tjetër, përveç kësaj të Krishtit, asnjë pushtet, asnjë pasuri, asnjë lavdi tokësore, asnjë sukses njerëzor nuk mund ta shmangin përplasjen me gurin e rëndë të dëshpërimit. Ka vetëm një rrugë për t'i shpëtuar vdekjes: kjo rrugë është Krishti.

Shoqëria jonë ka nevojë për këtë lajm dhe për këtë dritë dhe duhet ta shohë atë dritë vetëm në vendin e vet ku është i bekuar nga Zoti. Prandaj ju ftoj të gjithëve mos e braktisni folenë tuaj. Ta ndërtojmë vendin tonë e t’ua trashëgojmë brezave pasardhës. Ta marrim përgjegjësinë secili prej nesh e të bëhemi zot të vendit tonë. Me ndihmën e Zotit, me përkushtimin e palëkundur, dhe me kontributin tonë në çdo fushë, të rrisim ekonominë tonë dhe ta mundim edhe të keqen që ekziston në shoqërinë shqiptare, si korrupsioni, droga, apo edhe veprime të tjera kriminale. Qëndroni në vatrën tuaj familjare, gëzojini prindërit dhe gjyshërit tuaj sa i keni akoma gjallë. Ta falenderojmë Zotin për aq sa na ka dhënë, e ti shijojmë e ti gëzojmë në vendin tonë të shqiponjave. Asgjë më shumë nuk ka vlerë në këtë jetë se sa Paqja dhe Dashuria. Mos mendoni vëllezër e motra se kënaqësia e njeriut gjendet vetëm tek pasuria. Një shpirt njeriu është i pasur kur jeton shëndetshëm me familjen e tij; aty është lumturia e vërtetë. Vërtetë se edhe nevoja ekonomike i duhet njeriut, por me djersën e ballit Zoti ia jep gjithkujt për të gëzuar edhe të mirat materiale. Ta ndërtojmë jetën dhe shoqërinë tonë sa më të begatë. Shoqëria jonë ka nevojë për pushtetin e atij që vjen nga vuajtja dhe kryqi dhe të Gjallin sepse ai është pushtet dashurie. Shoqëria dhe bota e sotme ka nevojë për tharmin e Krishtit. Lutem që Krishti i Ringjallur t’ju mbushë me hire dhe bekime që të jeni tharmi i një shoqërie më të mirë dhe më të lumtur.

Uroj secilin prej jush, Me shëndet Pashkët!  Bekimi e paqja e Krishtit të Gjallë qofshin përherë në zemrat e në familjet tuaja.

Vau Dejës, 30 mars 2024

+ Imzot Simon Kulli

Ipeshkëv i Sapës

29 mars 2024, 13:43