Ndër të Lumët e rinj të Kishës, 16 martirë, vrarë nga urrejtja për fenë gjatë nazizmit dhe komunizmit

Një meshtar në gijotinë, në Gjermani, në kohën e Hitlerit, si edhe 15 murgesha me origjinë gjermane, vrarë nga ushtarët e Ushtrisë së Kuqe, ose vdekur në kampet e përqendrimit në Rusi. Ndër 19 të Lumët e rinj, për të cilët Papa ka autorizuar shpalljen e dekreteve, janë edhe këta 16 martirë. Për 7 të tjerë hapet procesi i lumnimit

R.SH. – Vatikan

Të vrarë nga urrejtja për fenë në dy diktatura: atë naziste dhe atë sovjetike. Ndër 19 të Lumët e rinj, për të cilët Papa autorizoi sot shpalljen e dekreteve, janë edhe 16 martirë: Max Josef Metzger, meshtar dioqezan, themelues i Institutit Shekullar Societas Christi Regis, vrarë më 17 prill 1944 në Gjermani dhe Christophora Klomfass me 14 murgesha të tjera, nga Kongregata e Motrave të Shën Katerinës Virgjër e Martire, vrarë në vitin 1945 nga regjimi komunist sovjetik.

Papa priti paradite kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, e miratoi edhe nisjen e procesit të lumnimit për 7 persona të tjerë.

15 murgesha të martirizuara gjatë komunizmit sovjetik

15 murgeshat, me origjinë gjermane, banonin në Prusinë Lindore gjatë pushtimit nga Ushtria e Kuqe: të gjitha vdiqën ndërmjet janarit dhe nëntorit 1945. U vranë nga urrejtja e ushtarëve sovjetikë për fenë, pasi u përdhunuan, u torturuan, ose u lanë të vdisnin nga uria, keqtrajtimi e nga sëmundjet në kampet e përqendrimit të Rusisë. Në shenjë përbuzjeje për fenë e krishterë, torturuesit e tyre shpesh prisnin dhe grisnin egërsisht rrobat e tyre rregulltare.

Meshtar për paqen dhe ekumenizmin në kohën e Hitlerit

Meshtari gjerman Max Josef Metzger mbeti viktimë e një diktature tjetër, asaj naziste. I përfshirë në lëvizjet pacifiste dhe ekumenike, në vitin 1917 ai themeloi Lidhjen e Paqes Universale të Kryqit të Bardhë dhe dhjetë vjet më vonë mori pjesë si vëzhgues katolik në Asamblenë e Lozanës, nga e cila lindi Këshilli Ekumenik i Kishave. Me ardhjen e nazizmit, nuk pati frikë të fliste kundër Hitlerit. U arrestua për herë të parë në vitin 1939 dhe, për herë të dytë, në vitin 1943. I dënuar me vdekje, vdiq në gijotinë më 17 prill 1944, në burgun Brandenburg-Görden. Ishte i vetëdijshëm se impenjimi i tij për paqen dhe ekumenizmin, si dhe refuzimi i regjimit nazist në emër të Krishtit, mund t'i kushtonte jetën.

Të Lumët e tjerë të rinj

Ndër të Lumët e rinj të ardhshëm është edhe Patriarku i Antiokisë së Maronitëve Stefano Douayhy, libanez, i cili jetoi në shekullin e 17-të (1630-1704). Punoi intensivisht për të ndihmuar të varfërit, në favor të dialogut ekumenik ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

I Lum do të shpallet edhe José Torres Padilla, meshtar dioqezan spanjoll, bashkëthemelues i Kongregatës së Motrave të Shoqërisë së Kryqit (1811-1878) dhe Camillo Costa de Beauregard, prift dioqezan francez (1841-1910), i mbiquajtur "babai i jetimëve" për themelimin e jetimores Le Bocage në Chambery.

Shtatë të nderuarit e rinj

Shtatë të tjerët, për të cilët fillon procesi i lumnimit, janë: Geervaghese Thomas Panickaruveetil Mar Ivanios, kryeipeshkëv i Trivandrum të Siro-Malabarezëve, që në vitin 1919 themeloi Kongregatën e Urdhrit të Imitimit të Krishtit Bethany Ashram dhe atë të Motrave të Imitimit të Krishtit Bethany Madhom, pionier i ekumenizmit në Indi dhe ipeshkvi i parë i Kishës Katolike Siro-Malankareze; meshtari brazilian Liberio Rodrigues Moreira, i cili në gjysmën e parë të shekullit të kaluar ua kushtoi jetën të sëmurëve dhe të varfërve, kaloi me përshpirtëri të thellë të krishterë sprovat që jeta nuk ia kurseu e qe adhurues i palodhur i Eukaristisë; lajku Antonio Tomiçiq, kroat i Urdhrit të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, i cili në vitet e komunizmit, kur mbante shenja fetare në publik shkaktonte tallje dhe armiqësi, por nuk nuk e hoqi kurrë rroben rregulltare, duke vuajtur publikisht fyerjet dhe duke vijuar, me besim të patundur në Zotin, punën e tij për plotësimin e nevojave të vëllezërve; Maddalena Frescobaldi Capponi, themeluese e Kongregatës së Motrave Pasioniste të Shën Palit të Kryqit; Maria Alfinda Hawthorne, themeluese e motrave domenikane të Shën Rozës nga Lima, lindur në mesin e shekullit të 19-të në një familje protestante në Massachusetts, kthyer në katolike në Evropë së bashku me të shoqin, nga i cili u nda për shkak të alkoolizmit, duke iu përkushtuar më pas shërbimit të Krishtit në pacientët me kancer; Angelina Pirini, laike, drejtuese e Veprimit Katolik famullitar në Celle di Sala, në Cesenatico të Emilia Romagna, e cila vdiq më 1940; e, së fundi, Elisabetta Jacobucci, murgeshë e Institutit të Terciareve Françeskane Alkantarine, e cila jetoi ndërmjet shekujve XIX dhe XX: gjithmonë e gatshme për të pranuar detyrat më modeste, ajo dinte të kombinonte aspektin asketik të kundrimit të Mundimeve të Krishtit me bamirësinë intensive në dobi të jetimëve dhe të moshuarve.

14 mars 2024, 15:17