Kërko

Santa Madre Teresa di Calcutta Santa Madre Teresa di Calcutta

Në festën e gruas, kujtojmë Nënë Terezën, simbol bamirësie e lumnie!

Nënë Tereza konsiderohet si një nga gratë më të rëndësishme në historinë e njerëzimit. Nga më të kujtuarat sot, kur gratë festojnë në mbarë botën Ditën e tyre. E një nga më të vlerësuarat jo vetëm nga bota fetare, por edhe nga njerëzit që e konsiderojnë dinjitetin e të sëmurit si britmë për ndihmë!

R.SH. / Vatikan

Shën Nënë Tereza e shkroi historinë e grave me fjalë e vepra plot frymëzim, duke krijuar një model jete që di të vlerësojë gjërat e vogla, në shërbim të idealeve të mëdha! Eshtë, prandaj, protagoniste për kongregacionin e saj, atë të Misionarëve të Bamirësisë, por edhe avanguardiste për disa çështje shoqërore të diskutuara ndër vite.

Prandaj i prin grupit të grave të rralla, që lanë gjurmë në rrugët e përdredhura e jo pak të rrezikshme të historisë mijëvjeçare të njerëzimit, në të cilën fytyrat si ajo e Nënë Terezës nuk duken aq shpesh!

Po, kush ishte Nënë Tereza?

Sot ajo është Shën Tereza e Kalkutës, e shenjtëruar më 4 shtator 2016. Po kur nisi rrugën e saj të lumnueshme, quhej Anjeze Gangje Bojaxhiu, e lindur më 26 gusht 1910, në Shkup. E ishte bijë e një bakalli shqiptar.

Udhëtimi i saj shpirtëror filloi në vitin 1928, në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare kur, e etur për t'u bërë misionare, u bashkua me Motrat e Loretos në Irlandë. E atje mori emrin Terezë, sepse endërronte t’i ngjiste Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Menjëherë pas kësaj, u nis për Indi, ku për shtatëmbëdhjetë vjet me rrallë dha mësim në liceun e vajzave.

Në vitin 1948 themeloi kongregacionin katolik romak të grave që i kushtonin vëmendje të varfërve. Pasi mori nënshtetësinë indiane, veshi sarin e grave të varfra, që u bë simbol i mëshirës njerëzore pa kufi!

Në vitin 1952 themeloi Nirmal Hriday, vend ku strehoheshin njerëz me sëmundje të pashërueshme, të cilët shoqëroheshin me dinjitet drejt ditës së fundit të jetës.

Më 6 janar 1971, Papa Pali VI i dha Çmimin e Paqes Papa Gjon XXIII.

Më pas,  në vitin 1979, fitoi Çmimin Nobel për Paqen për angazhimin e saj ndaj të varfërve më të varfër dhe vlerësimin e çdo qeniejeje njerëzore. Nënë Tereza kërkoi që 6000 dollarët e Çmimit t'u dhuroheshin menjëherë të varfërve të Kalkutës.

E kush tjetër në këtë botë plot fshehtësi dhuroi ndonjëherë kaq para në shërbim të plagëve të hapura në njëmijë mënyra nga vetë njerëzimi? Duke mbajtur për vete sarin e varfanjakeve, e sandalet e ngrëna nga udhët e gjata nëpër shtigjet e botës së madhe, që nisi ta shikonte si grua të pashoqe në vise e në shekuj!

Në vitin 1980 mori Bharat Ratna, çmimin më të lartë civil të vendit, nga qeveria indiane.

Në vitin 1997 ndërroi jetë, dy vjet më pas, Papa Gjon Pali II nisi Çështjen e Lumnimit.

Tani flen në Indinë e saj të largët të shumëdashur, nën një pllakë të bardhë, të thjeshtë, mbi të cilën lexojmë një verset të gdhendur, marrë nga Ungjilli i Gjonit:

“Duajeni njëri-tjetrin siç ju desha unë ju” (Gjn 15,12.)

Pse po e kujtojmë sot, në  Ditën kushtuar Gruas? Si një nga gratë më të rëndësishme në historinë e njerëzimit?

Sepse gjithë jetën ua kushtoi të varfërve, nevojtarëve, lebrozëve.

Gjithë jetën mbrojti  dinjitetin e njeriut.

Sidomos të njerëzve që jepnin shpirt në prehërin e saj prej Nëne!

Nënë,  që luftoi për të shëruar jo vetëm lebrën, por edhe “sëmundje” të tjera të padenja për njeriun, si aborti dhe kontracepsioni.

 Lexon jetën e Nënë Terezës e të duket se e pati gjithnjë Zotin pranë. Shpallur e Lume nga Gjon Pali II, më 19 tetor 2003. Nënë Tereza u shpall shenjtore 19 vjet pas vdekjes së saj dhe 17 vjet pas fillimit të kauzës së kanonizimit. Ajo është një nga protagonistet më të njohura në historinë e katolicizmit të shekullit të njëzetë..

U shpall Shenjte më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku, gjatë një kremtimi në Vatikan. Por në imagjinatën kolektive, ikona globale e luftës kundër varfërisë, vdekur në vitin 1997, konsiderohej tashmë shenjtore që më të gjallë. Duke u bërë arketip i bamirësisë së krishterë! Mbarë bota shqiptare kishte dërguar atë ditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, përfaqësuesit e vet. Hera e parë që nga koha e Skënderbeut, që shqipërtarët lartonin një Bijë mbi piedestalin e Heronjve të kësaj bote ngarkuar me plagë.    

A nuk e meritonte të kujtohej sot, Ditën e Gruas, kur bota e madhe kujton emrat e bijave të veta më të shquara, që lanë gjurmë të pashlyeshme në rrugët e pafundme të saj?

08 mars 2024, 19:48