Kërko

 Mons Rrok Gjonlleshaj, arcivescovo di Tivar (Bar) Montenegro Mons Rrok Gjonlleshaj, arcivescovo di Tivar (Bar) Montenegro

Imzot Rrok Gjonlleshaj: mesazhi Pashkës 2024

Kremtimi i Pashkëve është thirrje për një rilindjeje. Feja në Krishtin e Ngjallur na ndihmon të jetojmë një jetë të mbushur me kuptim dhe shpresë, përball botës që ofron pakuptimësi dhe mungesë shprese. Në këto Pashkë, le të përpiqemi të ringjallim marrëdhënien tonë me komunitetin tonë - famullinë, me kremtimin e Eukaristisë së së dielës ku Krishti na bashkon në festën e tij të dashurisë.

R.SH. / Vatikan

Mesazhi i Pashkës 2024 nga kryeipeshkvi i Tivarit, në Mal të Zi, imzot Rrok Gjonlleshaj:

Mesazhi i Pashkës 2024 nga kryeipeshkvi i Tivarit, në Mal të Zi, imzot Rrok Gjonlleshaj

Pashkët 2024

"Kjo është dita që na dhuroi Zoti; të galdojmë e të gëzojmë në të!"

Të dashur vëllezër dhe motra, kremtimi vjetor i Ringjalljes së Krishtit, festa jonë më e madhe, është mundësia për të forcuar fenë tonë, për të mbushur zemrën me gëzim dhe shpresë, për të ringjallur dashurinë tonë për Zotin, për njerëzit me entuziazmin që vjen nga fitorja e Krishtit të Ngjallur.

Jemi të vetëdijshëm se koha në të cilën jetojmë është e vështirë në të gjitha fushat e jetës njerëzore. Papa Françesku ka folur për këtë në mesazhin e këtij viti të Krezhmëve: "Në këtë orë historike, sfidat janë të mëdha, gjëmat janë të dhimbshme. Po përjetojmë luftën e tretë botërore, e cila po zhvillohet copa-copa. Le të guxojmë ta shohim botën tonë jo sikur po vdiste, por në procesin e lindjes, jo në fund, por në fillim të një kapitulli të ri të madh të historisë".

Përveç të këqijave të shumta, që janë fryt i mëkatit dhe i refuzimit të vazhdueshëm të hirit të Zotit dhe të porosisë së shëlbimit, duhet të vërejmë me trishtim se mes njerëzve ka një tjetërsim në rritje dhe se shoqëritë janë të rrënuara nga korrupsioni dhe interesi vetjak, duke krijuar pa dhembshuri dhe shqetësim sisteme të padrejta. Luftërat e tërbuara, urrejtjet dhe padrejtësitë, janë në kundërshtim me planin e Zotit për shpëtimin dhe lirinë e të gjithë njerëzve, por ato janë edhe rezultat i zgjedhjes së lirë, zgjedhje e cila nuk e dëshiron të mirën e përbashkët, por i hedh poshtë urdhërimet dhe ligjet e Zotit.

Të jemi gjithmonë pranë Zotit tonë Jezu Krishti dhe Ungjillit tij: vetëm Ai është Udha, e Vërteta dhe Jeta, vetëm tek Ai duhet të jetë e gjithë shpresa, gëzimi dhe dashuria jonë.

Pashkët na kujtojnë dhe na këshillojnë se, pavarësisht nga kaq shumë sfidash të jetës, nuk duhet të humbasim shpresë. Pas errësirës së së Premtes së madhe dhe heshtjes së së shtunës së Shenjtë, këmbanat e agimit të Pashkëve dhe brohoritja e gëzueshme "Alleluja" lajmërojnë gëzimin e një jete të re.

Misioni ynë i krishterë është të dëshmojmë fitoren e Krishtit mbi vdekjen dhe mëkatin, të jetojmë dashurinë për çka Ai duroi turpin e Kryqit dhe të  dëshojmë fenë, të përtërirë nga hiri i Pashkëve. Zemrat tona të plagosura nga vuajtjet do të gjejnë ngushëllim dhe forcë duke u mbështetur pikërisht në zemrën e Krishtit të shporuar në drurin e Kryqit.  

Feja në Krishtin e Ngjallur na ndihmon të jetojmë një jetë të mbushur me kuptim dhe shpresë, përball botës që ofron pakuptimësi dhe mungesë shprese. Në këto Pashkë, le të përpiqemi të ringjallim marrëdhënien tonë me komunitetin tonë - famullinë, me kremtimin e Eukaristisë së së dielës ku Krishti na bashkon në festën e tij të dashurisë. Krishti le të jetë gjithmonë i pranishëm në festimet tona familjare nëpërmjet lutjes dhe mirënjohjes së përbashkët.

Kremtimi i Pashkëve është thirrje për një rilindje shpirtërore dhe njerëzore, për ringjalljen e entuziazmit të nxënësit që transmeton pa u lodhur gëzimin e Ungjillit për shpëtimin e të gjithë njerëzve. Dashuria jonë vëllazërore le të jetë konkrete dhe efikase, duke i pasur gjithnjë në mendje fqinjët tanë në nevojë, të cilët mund t'i ndihmojmë me lutje dhe vepra dashurie. "Ne nuk mund të bëjmë vepra të mëdha, po mund të bëjmë vepra të vogla me dashuri të madhe" (Shën Nënë Tereza).

Vëllezër dhe motra, le të lejojmë që prania e Krishtit të ndriçojë jetën tonë të përditshme dhe të na ndihmojë të jemi në këtë botë të shqyer dhe të plagosur, ndërtues të vërtetë të Mbretërisë së Tij të dashurisë, paqes dhe drejtësisë.

Për shumë mote Pashkët, ju qofshin të lumtura dhe të bekuara!

Imzot Rrok Gjonlleshaj

30 mars 2024, 15:55