Kërko

Në bazilikën e Shën Bartolomeut, në Romë, lutja për misionarët martirë

Të martën e ardhshme, më 26 mars, në orën 18.30, në bazilikën e Shën Bertolomeut në Ishull, në Romë, Dita e Lutjes dhe Agjërimit për misionarët martirë, kryesuar nga Kardinali Farrell

R.SH. / Vatikan

24 marsi i ardhshëm është Dita e tridhjetë e dytë e lutjes dhe e agjërimit në kujtim të martirëve misionarë, organizuar nga Missio, organ baritor i Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Me këtë rast të martën, më 26 mars, në orën 18.30, në Bazilikën e Shën Bartolomeut në ishullin Tiberin, në Romë, në Shenjtëroren e "Martirëve dhe Dëshmitarëve të Rinj të Fesë" të shekujve 20 dhe 21, do të kremtohet "Mbrëmësorja e lutjes në kujtim të atyre, që dhanë jetën vitet e fundit për kauzën e Mbretërisë së Zotit”. Do ta kryesojë Kardinali Kevin Joseph Farrell, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, që do të komentojë edhe Ungjillin, i cili përfaqësohet për të krishterët dhe për botën, nga vetë jeta dhe vdekja e këtyre grave dhe burrave.

Një dhuratë për Kishën e Romës

Do të kujtohen emrat dhe historitë e rregulltarëve dhe rregulltareve, laikëve dhe barinjve, misionarëve regjistruar nga agjencia Fides e, përveç tyre, edhe ortodoksë, anglikanë e ungjillorë të bashkuar në ekumenizmin e gjakut, që kujtohet gjithnjë nga Papa Françesku. "T’i kujtosh këta dëshmitarë të fesë dhe të lutesh në këtë vend - ishin fjalët e tij me rastin e vizitës në prill 2017 - është dhuratë e madhe. Dhuratë për Bashkësinë e Shën Egjidit, për Kishën e Romës, për të gjitha bashkësitë e krishtera të këtij qyteti dhe për shumë shtegtarë. Trashëgimia e gjallë e martirëve na jep paqen dhe bashkimin! Ata na mësojnë se me forcën e dashurisë e të butësisë mund të luftojmë kundër arrogancës, dhunës, luftës, për paqen, që mund të arrihet me durim”.

Ecja në rrugët e fesë dhe bamirësisë

"Në këtë vend kujtohen përfaqësues të kishave dhe bashkësive të ndryshme të krishtera që, së bashku me bijtë dhe bijat e Kishës së Romës,  flasin për shpresën, që buron nga gjaku i derdhur prej tyre në kontinente dhe rrethana të ndryshme historike", vëren Imzot Marco Gnavi, kreu i Zyrës për ekumenizmin, dialogun ndërfetar dhe kultet e reja të dioqezës së Romës. Në muajt e fundit, Shenjtërorja u pasurua me kujtimet e motrës Maria de Coppi, Komboniane, tetëdhjetë e katër vjeçare, e vrarë në Mozambikun verior dhe të Luisa Dell'Orto-s, motrës së vogël të Ungjillit të Charles de Foucauld, vrarë në Haiti. E edhe me vizitën e Kryeipeshkvit të Canterbury, Justin Welby, i cili u lut këtu pranë relikeve të martirëve anglikanë të vrarë në emër të paqes në Ishujt Solomone të cilët, kundër së keqes në të gjitha format e saj, rezistuan për të mirën e njerëzimit, të fekonduar nga Ungjilli”.

Dëshmi për t'u mbajtur mend

Dita e Martirëve Misionarë festohet më 24 Mars, sepse në atë datë, në vitin 1980, u vra kryeipeshkvi salvadorian Shën Oscar Arnulfo Romero teksa kremtonte Eukaristinë” - kujton Atë Giulio Albanese, drejtor i Zyrës për Bashkëpunim Misionar ndërmjet Kishave të dioqezës së Romës. “Kujtimi i misionarëve dhe martirëve frymëzohet nga kjo ngjarje tragjike, jo vetëm për të kujtuar flijimin e atyre që gjatë shekujve dhuruan jetën duke shpallur Lajmin e Mirë, por edhe për të pohuar ndërgjegjësimin se misioni është shprehje e dashurisë së mëshirshme të Zotit. Këta burra dhe gra vullnetmira ishin vërtet dëshmitarë e martirë të vlerave të Mbretërisë së Zotit: të drejtësisë, paqes, kujdesit për krijimin. Gjithçka, në emër të Zotit”.

Tema e zgjedhur "Një zemër që digjet"

"Një zemër që digjet" është tema e zgjedhur për këtë ditë. Ajo kujton forcën e dëshmisë së martirëve që, si Jezusi përmes Fjalës dhe flijimit, ndezin dhe ngrohin zemrat e të gjitha bashkësive të krishtera, duke frymëzuar përkushtimin ndaj të tjerëve dhe të së mirës së përbashkët".

Në Shën Bartolomeun takon edhe Martirët shqiptarë

Në në Bazilikën e Shën Bartolomeut, në Romë, mund të soditësh edhe relike, që të kujtojnë martirët shqiptarë të vrarë mizorisht nga diktatura më e egër komuniste: ostensorë, rruzare, petka meshe, ardhur nga kohë që vazhdojnë t’i kujtojnë njerëzimit martirizimin e pashoq të Kishës së vogël, trimneshë! Ruhen në kapelën e tretë, më të djathtën, kushtuar Shën Françeskut të Asizit. Të bie menjëherë në sy një kelshenjt, që u përkiste disa meshtarëve shqiptarë, për kremtimin e fshehtë të Eukaristisë në burgun e Shkodrës, në kohën e regjimit komunist.

Më pas, natyrisht, një Kryq, nga ata që shpërndaheshin në mënyrë klandestine në Shqipëri, pas ndalimit nga regjimi komunist, në vitin 1967, të çdo manifestimi të kultit fetar e relike të tjera, si ato që i shikojmë tashmë në Muzeun e Martirizimit, në Shkodër, në një vend që fillimisht ishte strehë e përgatitjes së fretërve e më pas u kthye në burgun më të tmerrshëm të kohës, në Degën e Punëve të Brendshme, prej nga ditë-natë dilnin britmat e thekshme të të torturuarve! Doemos Rruzarja, pastaj. E, dy hapa më tej, edhe diskoteka e Aleksandër Men', priftit ortodoks rus, vrarë në vitin 1990;  ose Skapulari i Sofiàn Boghiu, murg rumun, i cili vdiq në 2002 e  Relikja e të Lumit Jerzy Popiełuszko, meshtar polak, i vrarë në 1984.

Pikërisht në këtë vend kushtuar martirëve të “kohëve moderne” do të vendosen, pasi të mblidhen, edhe dëshmitë e martirizimit të të krishterëve 25 vitet e fundit. Ky vend,  ishulli Tiberin, në Romë, që në kohën e romakëve ishte tempull me një pus kushtuar perëndisë së mjekësisë Eskulapius, të cilit njerëzit i luteshin për të rifituar shëndetin, u kthye në vend dëshmie për martirët. Simbolik, ky kënd, ku dhjetëra objekte dhe dëshmi radhiten sipas kritereve gjeografike, për të dëshmuar se në të gjitha vendet e botës, edhe sot rrezikohet jeta për Fenë në Krishtin! E se njerëzimi i sëmurë ka shumë nevojë të lutet, për të rifituar “shëndetin e humbur!”.

21 mars 2024, 11:19