Shtohet ndër të rinjtë kërkesa për përshpirtëri
R.SH. – Vatikan
Të rinjtë e mbarë botës kanë etje për përshpirtëri. Kështu del nga një sondazh ndërkombëtar mbi vlerat dhe fenë e rinisë, promovuar nga grupi kërkimor “Footprints. Të rinjtë: Pritjet, Idealet, Besimet” i Universitetit Papnor të Shna’ Kryqit në Romë, së bashku me shtatë universitete të tjera (Universidad Panamericana i Meksikës, Universiteti Katolik i Buenos Ajresit në Argjentinë, Universidad de Navarra në Spanjë, Universiteti Strathmore i Kenias, Universiteti Saint Mary i Londrës, Universiteti i Azisë dhe Paqësorit në Filipine dhe Universiteti Shtetëror i Campinas të Brazilit) dhe me mbështetjen e agjencisë spanjolle Gad3. Sondazhi u zhvillua nëntorin dhe dhjetorin e kaluar në tetë vende: Argjentinë, Brazil, Itali, Kenia, Meksikë, Filipine, Spanjë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, në një kampion prej 4.889 të rinjsh të moshës 18-29 vjeç. Ky shtim i kërkesës për përshpirtëri shihet veçanërisht në Kenia, Filipine dhe Brazil, ku 82 - 92 për qind e të rinjve identifikohen si "besimtarë".
Megjithëse Italia dhe Spanja kanë hyrë në një proces shekullarizimi, nga të intervistuarit del në pah bindshëm besimi në Zotin. Vërtet, 60 për qind e të rinjve katolikë spanjollë dhe italianë e konsiderojnë pjesëmarrjen në meshë po aq themelore sa marrjen e Eukaristisë. Pastaj, vijnë vendet me pozicion "të ndërmjetëm" për sa i përket manifestimit të fesë së të rinjve: Meksika (71 për qind) dhe Argjentina (51 për qind). Ndryshe është situata në Mbretërinë e Bashkuar, ku 48 për qind e të intervistuarve e quajnë veten besimtarë. Ndër ta, 88 për qind pohojnë se luten disa herë në javë dhe 68 për qind ndjekin meshën të paktën një herë në muaj.
Statistikat tregojnë se feja në Filipine, Kenia dhe Brazil jetohet me përkushtim të madh. Në vendin aziatik, katolicizmi është mbizotërues me 67 përqind praktikantë; në Kenia katolikët përfaqësojnë 26 për qind, ndërsa 71 për qind e të intervistuarve janë të feve të tjera. Në Brazil, besimi më i praktikuar është ai i krishterë, ndërmjet protestantëve (31 përqind) dhe katolikëve (27 përqind). Sipas sondazhit, Filipinet, Kenia dhe Brazili kanë qëndrime të ngjashme. Në këto tre vende, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve e konsiderojnë veten besimtarë dhe pranojnë se përshpirtëria është e pranishme në jetën e tyre dhe shtohet me kalimin e viteve.
Në përgjithësi, të rinjtë luten shpesh, marrin pjesë me bindje në kremtimet dhe organizimet e fesë së tyre. Për më tepër, ka një përqindje të madhe grash besimtare në Kenia (93 përqind), Filipine (83 përqind) dhe Brazil (81 përqind). Në përgjithësi, numri i grave katolike është më i lartë edhe në nivelin global (52 përqind).
Për sa i përket mendimit që kanë për Kishën, shumica e besimtarëve e konsiderojnë atë një institucion, që kontribuon për të mirën e shoqërisë (76 për qind). Përsa i përket problemeve shoqërore, një pjesë e rëndësishme e kampionit të anketës denoncon korrupsionin politik (94 për qind e besimtarëve, 85 për qind e jobesimtarëve) dhe problemet që lidhen me ekologjinë (93 për qind e besimtarëve, 85 për qind e jobesimtarëve). Dënimi me vdekje dhe justifikimi i luftës hasin njëlloj kundërshtime ndër katolikë, anëtarë të feve të tjera dhe ateistë. Konvergjencë mendimesh vërehet edhe në kundërshtimin e legalizimit të prostitucionit (70 për qind).
Ndërmjet atyre, që në kampion identifikohen si "ateistë", shihet gjithsesi interesi për jetën pas vdekjes dhe për t’i dhënë kuptimin e duhur vuajtjes; përqindjet janë më të larta për Kenian dhe Filipinet. Po në këto dy vende, shumica e të intervistuarve deklarojnë se e konsiderojnë lutjen aspekt të rëndësishëm të jetës.
(FRANCESCO RICUPERO L’Osservatore Romano, 4 mars 2024, f. 9)