Kërko

Risurrezione Cristo, sepolcro vuoto, Pasqua Risurrezione Cristo, sepolcro vuoto, Pasqua

Të meditojmë me Ungjillin e Pashkës: Resurrexit!

Nuk arrihet me magji/Besimi në Ty, o Zot i ngjallur./Duhet ecur nëpër një shteg jo të lehtë,/duhet përshkuar një udhë e gjatë./Është udha, që e ka zanafillën/në kumtin ende të dhimbshëm e të errët/ të Marisë Magdalenë:/“E kanë marrë Zotërinë prej varrit!”/Është distanca, që bëhet me vrap/nga Pjetri e Gjoni/të cilët duan të shohin me sy ç’po ndodh.//...O Zot Jezus, O Zot i ngjallur,/udhëhiqe secilin prej nesh/në rrugën e fesë/ që të të takojmë të gjallë/dhe të shndërrohemi nga dashuria jote.

 

R.SH. - Vatikan

Krishti u Ngjall! Krishti u Ngjallë! Vërtetë u Ngjall! Aleluja!

Kremtojmë sot misterin e madh, themelin e fesë dhe të shpresës së krishterë: Jezusi i Nazaretit, i Kryqëzuari, u Ngjall prej së vdekuri, në të tretën ditë, sipas Shkrimeve. Aleluja!

Po çfarë e bën shën Gjonin apostull të shkojë me vrap drejt varrit të Jezu Krishtit? Ai e përjetoi krejt dramën e Pashkëve, pranë Mësuesit të vet, prandaj, na duket e çuditshme që Ungjilli i kësaj së diele të Ngjalljes së Jezusit (Gjn 20,1-9) të përfundojë duke thënë se dishepujt nuk e kishin kuptuar plotësisht Shkrimin Shenjt. E megjithatë, kështu ndodh edhe sot e kësaj dite. Edhe ata, që duken më pranë Hyjit, nganjëherë nuk i kuptojnë disa gjëra. Arsyeja nuk të lë t’i shohësh, duhet dashuria, që e ndihmon zemrën dhe sytë të hapen. Gëzimi i Pashkëve të Krishtit ka nevojë për terrenin e një dashurie besnike, që vetëm Hyji mund të na e dhurojë.

Të ndjekim një pjesë të Ungjillit të së Dielës së Pashkëve marrë nga kreu 20 i Shën Gjonit:

Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit.
Atëherë erdhi me vrap te Simon Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”
Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. Ndërkaq mbërriti edhe Simon Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna  dhe rizën që pati qenë në kokë të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.
Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi. Në të vërtetë, ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin e shenjtë: se duhej që Ai të ngjallej së vdekuri.

Të lutemi së bashku

 

Nuk arrihet me magji

Besimi në Ty, o Zot i ringjallur.

Duhet ecur nëpër një shteg jo të lehtë,

duhet përshkuar një udhë e gjatë.

Është udha, që e ka zanafillën

në kumtin ende të dhimbshëm e të errët

të Marisë Magdalenë:

E kanë marrë Zotërinë prej varrit!”

Është distanca, që bëhet me vrap

nga Pjetri e Gjoni

të cilët duan të shohin me sy ç’po ndodh.

 

Është vetëdija tronditëse

se varri është bosh,

me pëlhurat aty brenda

dhe me rizën e palosur në një vend, veç.

Është ndalesa e Gjonit, më të riut,

që pret jashtë

të hyjë Pjetri i pari.

E është kalimi përmes Shkrimit Shenjt,

të cilit të gjithë duhet t’i nënshtrohen.

 

Ja pra, vetëm pas kaq etapave

mund të shohim e të besojmë.

Të shohim shenjat e të besojmë në Ty, i ringjallur e i gjallë.

Të shohim gjurmët e të kuptojmë praninë Tënde.

 

O Zot Jezus, O Zot i ringjallur,

udhëhiqe secilin prej nesh

në rrugën e fesë

që të të takojmë të gjallë

dhe të shndërrohemi nga dashuria jote.

31 mars 2024, 09:28