Kërko

 Vangelo III domenica di Quaresima 'B' - Gesù cacciò i mercanti dal tempio Vangelo III domenica di Quaresima 'B' - Gesù cacciò i mercanti dal tempio

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës III të Kreshmëve ‘B’

Përdhosën Tempullin, o Jezus/shtëpinë e Atit tënd Qiellor,/duke e kthyer në shesh tregu,/...Ia shpërfytyruan faqen,/duke i ngjitur lloj-lloj maskash të shëmtuara,/që nuk lënë të shihen tiparet/ e mëshirës e të dhembshurisë së pafundme të Hyjit Atë…./Prandaj Ti reagove me forcë,../Por, njëkohësisht, kujtove edhe/se mbi rrënojat e tradhtisë e të pabesisë/ngrihet një Tempull i ri/për ata, që e kërkojnë Zotin me sinqeritet./Je Ti, o Jezus, Fjala që orienton/dhe shfaq vullnetin Hyjnor të Atit...

R.SH. - Vatikan

Në qendër të Ungjillit të kësaj së Diele të 3ë të Krezhmëve, ciklit të dytë, marrë nga kreu 2 i shën Gjonit është qortimi i Jezusit për të mos e kthyer shtëpinë e Atit në treg, na kujton qartë atë, që shkruhet në njërin nga Psalmet: “Shkrihem në zell për Shtëpinë Tënde”(69,10). Ky Psalm, është lutje për ndihmë e njeriut, që ndodhet në rrezik të madh, krejt pa mbrojtje, përballë armiqve, të cilët e urrejnë me gjithë shpirt. E kjo është pikërisht edhe situata, që do të jetojë Jezusi gjatë mundimeve.
Në këtë të Diel III të Kreshmëve, Fjala e Zotit na tërheq vëmendjen edhe ne, besimtarëve të kësaj kohe, sepse ashtu si për tregtarët e atëhershëm të Tempullit të Jerusalemit, edhe për ne sot, nganjëherë, feja ka një vlerë që duket sikur s’ka të bëjë me lavdinë e Hyjit dhe me shenjtërinë e jetës, për të cilën jemi të thirrur nga Jezusi. Të ndjekim një fragment nga Ungjilli i kësaj së diele të 3-të Krezhmëve sipas Gjonit

13 Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem. 14 Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe thyes të të hollash duke ndenjur aty. 15 Atëherë e punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Thyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat. 16 Shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim, shtëpi tregtie!” 17 Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrim shenjt: “Zelli për Shtëpinë tënde më bren!” 18 Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën: “Ç’shenjë na jep se guxon të veprosh kështu?” 19 Jezusi u përgjigj: “Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!” 20 “Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli - i përgjigjen judenjtë - e ti do ta ndërtosh për tri ditë?” 21 Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet. 22 Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit shenjt e fjalës që tha Jezusi. 23 Gjatë qëndrimit të Jezusit në Jerusalem në kohë të festës së Pashkëve, shumë besuan në Emrin e tij, kur panë shenjat që bëri. 24 Porse vetë Jezusi nuk kishte shumë besim në ta, sepse i njihte mirë të gjithë. 25 Nuk kishte nevojë t’i dëshmonte kush për njeriun: sepse ai e dinte mirë çka njeriu ndryn përbrenda.

Të lutemi së bashku:

Përdhosën Tempullin, o Jezus

shtëpinë e Atit tënd Qiellor,

duke e kthyer në shesh tregu,

sikur Zoti të kishte dalë për t’iu shitur

atij, që paguan më shumë.

Ia shpërfytyruan faqen,

duke i ngjitur lloj-lloj maskash të shëmtuara,

që nuk lënë të shihen tiparet

e mëshirës e të dhembshurisë së pafundme.

Ndyen me lloj-lloj shkëmbimesh

ç’ishte më e shenjtë

më fisnike, më madhështore:

dhuratën e Pranisë hyjnore pa interes e të lirë,

që duhet pritur me zemrën plot mirënjohje,

me zemrën e të varfërve dhe të të vegjëlve.

Prandaj Ti reagove me forcë,

duke u bërë, madje, i dhunshëm,

sepse para të patolerueshmes

nuk mund të rrihet duarkryq.

Por, njëkohësisht, kujtove edhe

se mbi rrënojat e tradhtisë e të pabesisë

ngrihet një Tempull i ri

për ata, që e kërkojnë Zotin me sinqeritet.

Je Ti, o Jezus, banesa ku bëhet e pranishme,

e gjallë dhe e frytshme, mirësia e Atit;

je Ti, o Jezus, Fjala që orienton

dhe shfaq vullnetin e Tij;

je Ti, o Jezus, porta drejt misterit të pashqyrtueshëm

që na ofron bashkimin e amshuar,

të cilin asgjë s’do ta prishë, kurrë.

02 mars 2024, 10:21