Toka Shenjte ka nevojë për dritën që shkëlqen në zemrat e njerëzve të paqes
R.SH. – Vatikan
E Diela e Larit përkujton hyrjen ngadhnjimtare të Krishtit në Jeruzalem. Çdo vit Qyteti Shenjt i Jerusalemit është plot me shtegtarë, që vijnë nga të katër anët për të marrë pjesë në kremtimet e ndryshme të Javës së Madhe të Pashkëve dhe për të rijetuar ditët e fundit të Zotit. Po sivjet lufta ndërmjet Izraelit dhe luftëtarëve të Hamasit po krijon një atmosferë tjetër në Javën e Madhe duke i kthyer festimet e të krishterëve të Jeruzalemit në zanafillë. Larg atmosferës tradicionale festive, vdekja dhe ringjallja e Krishtit do të festohen në meditim me vetëdijen se drita duhet të rishkëlqejë një ditë: edhe nëse gjithçka mund të duket e humbur, edhe nëse lufta duket se varros për një kohë të gjatë çdo formë shprese. Në një intervistë për Vatican News, Imzot Rafic Nahra, ipeshkëv-ndihmës i Patriarkanës Latine të Jeruzalemit dhe vikar patriarkal për Izraelin, kujton se shpresa jeton në zemrat e atyre, që nuk pushtohen nga dëshira për hakmarrje dhe që, pavarësisht nga rrethanat, vazhdojnë të punojnë për paqen.
Ndërsa hyjmë në Javën e Madhe dhe duke pasur parasysh rrethanat në të cilat të krishterët në Tokën e Shenjtë do ta kremtojnë, çka ndjeni dhe çfarë kuptimi do i jepni këtë vit?
Është një histori e dhunshme, e dhunës së pësuar nga Jezusi. Dua të them se ky vit, veçanërisht në Tokën e Shenjtë, është kontekst dhune; dhunës së kryer dhe dhunës së pësuar. Mendoj se mënyra se si përjetohet kjo dhunë në Ungjill, mund t'i ndihmojë të krishterët ta shikojnë gjendjen e tyre në një mënyrë të re, dhe kjo na shqetëson të gjithë ne, që jemi në Tokën Shenjte. Është e vërtetë se jemi në kërkim të kësaj shprese, edhe pse perspektivat nuk janë shumë të mira, por ne kemi gjithnjë fenë, që na mbështet. Mendoj se kremtimi i sivjetëm i Javës së Madhe dhe i Pashkëve na rikthen perspektivën e vërtetë, që është e jona, perspektivën e fesë së krishterë dhe jo thjesht vështrimin njerëzor ndaj situatës, në të katër anët e dëshpëruar në këto çaste në të cilat jetojmë.
Në këto rrethana dhune që përshkruani, mendojmë se festa do të jetë ndoshta më e përkorë. A nuk është ky çasti i favorshëm për pendesë, në kuptimin e thellë të këtyre kremtimeve në ecje mbi gjurmët e Krishtit?
Askush nuk dëshiron vërtet të kufizohet në gjëra sipërfaqësore. Shumë njerëz nuk kanë as mjete për të organizuar festa në natyrë. Të tjerë, veçanërisht në Palestinë, kanë humbur punën. Edhe në Izrael, jeta është jashtëzakonisht e shtrenjtë. E edhe diskutim i përditshëm i të gjithëve, ndoshta për shkak të kostove të luftës. Pra, festimet e jashtme doemos reduktohen, edhe pse ne na duhet një fjalë dritë, një fjalë shprese. Ajo që shpresoj është që përmes ceremonive të kësaj jave, të bëjmë një udhëtim së bashku, priftërinjtë dhe laikët së bashku.
Zoti na pret. Ngjallja e Jezu Krishtit është shpallja e fitores mbi vdekjen. Një fjalë që merr kuptimin e saj të plotë nëse shohim numrin e gati gjashtë muajve të luftës, më shumë se 30,000 të vdekur palestinezë që nga 7 tetori dhe sulmin terrorist që shkaktoi më shumë se 1,200 viktima izraelite. Ende sot është e paqartë situata e pengjeve. Si mund të shohim dritë, në errësirën e luftës? Nëse e shikojmë në këndvështrimin e përgjithshëm, errësira është pothuajse kudo, por mendoj se ne duhet të jemi gjithmonë në gjendje të shohim praninë e dritës. Është drita e Krishtit që ne presim, drita e ringjalljes, por ka edhe rreze drite, që janë aty dhe që kanë qenë aty që nga fillimi i luftës.
Ne flasim shumë për dhunën, hakmarrjen, por ka njerëz të mrekullueshëm që bëjnë punë të shkëlqyera, pa e lënë veten të pushtohen nga kjo atmosferë dhune. Po jap një shembull: numrin e mjekëve dhe infermierëve arabë që trajtojnë hebrenjtë në spitale. Unë shoh gjithashtu hebrenj që po përfshihen: janë trembëdhjetë njerëz, fëmijë dhe të rritur nga Gaza në Jerusalem, që trajtohen në një spital izraelit. Këtyre njerëzve tani u thuhet se duhet të kthehen në shtëpi në Gaza. Dhe ka hebrenj izraelitë që po bëjnë gjithçka munden për të siguruar që këta fëmijë të mund të qëndrojnë, në mënyrë që të mbrohen. Nuk duhet të na bëjë përshtypje gjuha e urrejtjes, që sundon sot. Pra, ky është një shembull. Por ne mund të sjellim një mori shembujsh të njerëzve, që përpiqen të mendojnë, të veprojnë kundër frikës së ndërsjellë, kundër një fjale tejet shqetësuese urrejtjeje; fjalimit, i cili ka frymë nacionaliste. Drita është e pranishme. Është nëpërmjet njerëzve, që e kanë këtë dritë në zemrat e tyre.
Kur Jezusi hyri në Jerusalem, u prit triumfalisht, pastaj u gozhdua në kryq dhe u braktis nga vetë njerëzit, të cilët e brohoritën kur erdhi për të shpëtuar racën njerëzore dhe për të shpallur paqen. A po ndryshon terreni sot, në mënyrë që këto zëra paqeje të dëgjohen përsëri?
Sigurisht sot dëgjohet shumë pak, shumë pak pranohet. Kjo do të thotë se kushdo që flet për paqe, shikohet me sy të keq. Këtë mund ta shpjegojmë edhe si një lloj mungese dhembshurie e mirëkuptimi. Ndërsa në të vërtetë, nuk është aspak mungesë dhembshurie, madje është akt i vërtetë dhembshurie. Por ndjehet edhe një frymë shumë e fortë hakmarrjeje, për fat të keq. Fjalimet e paqes sot nuk dëgjohen. Por ne nuk duhet të mposhtemi nga kjo frymë. Mendoj se është pikërisht çasti për të mbjellë farët e vogla të paqes dhe për të vazhduar të veprojmë kështu, duke e ditur se kjo nuk është hera e parë në histori që ka akte të tilla dhune. E di mirë se kur kalojmë ngjarje të tilla, kemi përshtypjen se nuk do të ketë të ardhme. Por, jo, kjo nuk është e vërtetë. Pati dhunë të tmerrshme edhe para kësaj, po njerëzit arritën të pajtohen.
Ju mendoni se është ende shpejt që shoqëria t’u bëjë më shumë vend këtyre zërave të paqes? A nuk kërkon kjo një kthesë shpirtërore?
Sigurisht që një shndërrim i brendshëm është i nevojshëm, një ndryshim opinioni. Sot ka presion shumë të fortë mbi një lloj atmosfere të përgjithshme. Ka ende dëshirë për hakmarrje nga pala izraelite. E edhe nga ana palestineze, me gjithë dhunën që pëson, nuk mungon dëshira për hakmarrje. Edhe atje ka ndikim të madh në nivel shoqëror. Që të kesh sukses, të mos tërhiqesh dhe ta ruash këtë dritë të brendshme, të mos e lejosh veten të pushtohesh nga dëshira për hakmarrje, por t'i shikosh të tjerët si qenie njerëzore, pavarësisht nga ngjarjet që kanë ndodhur, kjo sigurisht kërkon hirin e Zotit. E unë mendoj se për ne të krishterët çka ka më shumë rëndësi, është mesazhi i faljes, në zemër të Ungjillit. Sot ne jemi të ftuar të mendojmë përsëri. Mund të ketë të krishterë në këtë luftë që thonë me vete se vuajtja është e tillë, se mungesa e dritës është e tillë, që mund të tundohen ta harrojnë fjalën paqe. Po Ungjilli na kujton se nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse të lëvizim në drejtimin e faljes.
Intervista u realizua nga Jean-Charles Putzolu