Flamuri  i Urdhrit të Maltës Flamuri i Urdhrit të Maltës 

Urdhri i Maltës: përfundoi në Krakoví, takimi i spitalorëve nga e gjithë bota

“Shpërvilini mëngët dhe shërbeni me kompetencë”: kjo, parulla e Konferencës së 30-të Ndërkombëtare të anëtarëve të institucionit të lashtë rregulltar laikal, e cila përfundoi sot me disa seminare. Ndërmjet tyre, ata që përfshiheshin në strukturën organizative dhe në kampet ndërkombëtare e kombëtare për njerëz me aftësi të kufizuara, të cilët organizohen çdo vit.

R. SH. - Vatikan

Przemysław Radzyński – Krakovi

Konferenca e 30-të Ndërkombëtare e Spitalorëve të Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, e cila filloi të premten e kaluar, përfundoi sot, më 17 mars, në Krakovi të Polonisë.“Shpërvilini mëngët dhe shërbeni me kompetencë”: ky, lajtmotivi i takimit të rreth 120 spitalorëve dhe drejtuesve të organizatave humanitare, që veprojnë në kuadër të Urdhrit të Maltës në 35 vende. Zgjedhja e kryeqytetit polak për të vlerësuar situatën lidhur me ndërhyrjet më të rëndësishme humanitare që po zhvillohen aktualisht në botë, synon të nënvizojë afërsinë me popullsinë ukrainase, të shkatërruar nga lufta, dhe përpjekjet e mëdha humanitare të të gjitha entiteteve të Urdhrit të Maltës, veçanërisht ato në kufi me Ukrainën, për të ndihmuar refugjatët, të zhvendosurit, të lënduarit, si dhe për ta falënderuar veçanërisht popullsinë polake, e cila mirëpriti mijëra refugjatë në shtëpitë dhe shkollat ​​e veta, duke u garantuar atyre ndihmë shëndetësore dhe sociale.

Temat e konferencës

Ishin tri, temat kryesore të konferencës: e përshpirtërisë në veprat e Urdhrit; e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet subjekteve të ndryshme në situata krize; e fushave ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare. Në tryezën e punimeve edhe nevoja për t’i koordinuar aktivitetet shumëkombëshe të ndihmës, që zhvillohen në situata krize shumë të ndryshme, si konflikti në Ukrainë dhe në Tokën Shenjte. “Ne jemi këtu që të flasim për nevojat urgjente; për strategjinë që do të miratohet në një çast të caktuar - shpjegon për Vatican News Marcin Świerad, spitalist i Urdhrit të Maltës në Poloni - nuk duhet të kryejmë punë të mëdha, veprimtari fitimprurëse, të zëvendësojmë shtetin ose shoqërinë në një vend të caktuar. Në vend të kësaj duhet të ndihmojmë ata, që nuk dëshiron t'i ndihmojë askush. Nëse zgjidhet një problem i caktuar, falënderojmë Zotin, kemi bërë punën tonë dhe dëgjojmë Shpirtin Shenjt, për të kuptuar çfarë duhet të bëjmë në vijim”.

Një shikim mbi realitetet e ndryshme të botës

“Sot situata në botë është shumë e vështirë” - vijon spitalori polak, i cili përmend realitetet e Hong Kongut, Singaporit dhe Australisë, si dhe shqetësimet për situatën në Tajvan apo në Kore. Por situata të veçanta ka edhe në Amerikën e Jugut. "Venezuela po mbledh forca dhe burime ushtarake - kujton Marcin Świerad - Për ne, situata përtej kufirit lindor është më shqetësuesja. Problemet, edhe pse specifike për rajone të ndryshme, për njerëzit janë të zakonshme. Kur kishim valën më të madhe të refugjatëve nga Ukraina, na erdhën në ndihmë spitale nga vende të tjera të botës. Sot po mendojmë se si të përgatitemi për problemet që shpresoj se nuk do të krijohen në rajone të tjera”.

Urdhri i Maltës në situata krize

Lidhur me koordinimin e aktiviteteve të ndihmës ndërkombëtare në situata krize shumë të ndryshme, si në konfliktet në Ukrainë apo në Tokën  Shenjte, Świerad thekson rrethanat e vështira të spitalit të Betlehemit, të drejtuar nga Urdhri i Maltës. “Spitali është i izoluar. Nuk është e mundur të lëvizësh lirshëm përtej kufirit dhe të transportosh ilaçe. Ne duam të shërbejmë sa më mirë që mundemi, por nuk mund të bëjmë si do të dëshironim”. Spitalori nënvizon gjithashtu situatën dramatike në Rripin e Gazës, ku Urdhri i Maltës dëshiron të arrijë me ndihmat më të nevojshme. "Ne do të mendojmë, do të lutemi dhe do t'i kërkojmë Shpirtit Shenjt të na tregojë se kur dhe si mund t'i ndihmojmë njerëzit, pavarësisht nga feja e tyre" – vijon Marcin Świerad, duke shtuar se në spitalet mesjetare të Urdhrit të Maltës ekzistonte një dietë e veçantë për të krishterët, ashtu edhe për hebrenjtë dhe myslimanët. “Askush nuk kishte probleme dhe asnjë pacient në spitalet tona nuk pyeti pse në mure varej Kryqi a pse kremtohej çdo ditë mesha. Të gjithë afroheshin me respekt. Në secilin prej të sëmurëve në spitalet tona, ne pamë e shikojmë Krishtin - vazhdon spitalieri polak – pavarësisht nga feja, ngjyra e lëkurës dhe origjina. E këtë duam të bëjmë sot: të shohim Krishtin në nevojtarët. Këtë ia kërkojmë Zotit, i cili nuk na lëshon dore. Atëherë duhet të jemi besnikë ndaj thirrjes dhe karizmës sonë dhe ta zbatojmë atë - vëren Świerad - domethënë, të gjejmë mjetet dhe mundësitë më të mira në një çast të caktuar për të ofruar ushqime ose furnizime mjekësore, për t’i mjekuar ata që mundemi, për t’i shpëtuar njerëzit nga rreziku, për t’i shoqëruara larg zonave vdekjeprurëse ose të gjejmë vende më të përshtatshme për njerëzit me aftësi të kufizuara. Asgjë nuk na kufizon, veç dashurisë.

Takime institucionale në Poloni

Tubimi i Krakovisë spikati edhe më shumë nga prania e John Dunlap, mjeshtër i madh i Urdhrit të Maltës, i cili do të vizitojë presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, do të takohet me krerët e Parlamentit dhe të Senatit dhe do të shprehë mirënjohjen për veprimtaritë e shumta humanitare të Urdhrit të Maltës në vend. Të premten në mbrëmje, së bashku me spitalorët e Urdhrit të Maltës, mjeshtri i madh mori pjesë në meshën, kremtuar në Katedralen Wawel, kryesuar nga kardinali Stanisław Dziwisz.

Konferenca e 31-të Hospitaller do të zhvillohet në Vjenë, në vitin 2025. Urdhri i Maltës, ose Urdhri i Shën Gjonit të Jeruzalemit, u krijua rreth vitit 1050. Është urdhër laik, tradicionalisht me karakter ushtarak, kalorësiak dhe fisnik. Sot ka 13.500 anëtarë, të cilët shquhen për angazhimin e tyre ndaj Kishës dhe për shërbimin ndaj të varfërve dhe të sëmurëve. Vepra vepron në më se 108 vende.

17 mars 2024, 15:42