Kërko

At Zef Bisha SJ At Zef Bisha SJ

Át Zef Bisha: Át Lello nuk u ndal kurrë kur duhej mbrojtur e drejta dhe dinjiteti i njeriut

“Shumë persona e kujtojnë Át Lello-n si ai që ka gjetur gjithmonë kohën për të qenë i gatshëm duke dëgjuar njerëzit, me orë të tëra, një fjalë ngushëlluese, që shndërron jetën në momentet më të vështira”. Kështu e përshkruan sivëllai i tij jezuit Át Lello Lanzilli-n, i cili ndërroi jetë në Romë, në natën ndërmjet 2 e 3 prillit

R.SH. – Vatikan

Me dhimbje të thellë, Shoqëria e Jezusit, por edhe të gjithë ata, që e njohën, kujtojnë meshtarin jezuit Át Lello Lanzilli, i cili ndërroi jetë papritmas në Romë, në natën ndërmjet 2 e 3 prillit 2024. Fjalë mirënjohëse shpreh edhe famullitari i kishës së Zemrës së Krishtit në Tiranë, jezuiti shqiptar, Át Zef Bisha, i cili e mban mend që në çastet e para të thirrjes, “gjithmonë i qeshur, i gatshëm në çdo moment me fjalë shprese, që jepte gëzim”. Jo pak vetë në Shqipëri e kujtojnë jezuitin nga Napoli, që u dha me mish e me shpirt pas punës me të rinjtë, në Tiranë e në Shkodër. Por le të dëgjojmë Át Zef Bishën S.J., …

Dëgjo Át Zef Bishën...

Sot i ka pëlqyer Zotit të thërrasë në Qiell At’ Lello Lanzillin…

Një mik, udhëheqës shpirtëror i gatshëm dhe me një fjalë shprese në çdo moment. 
Kam njohur At’ Lello që në momentet e para të thirrjes sime. Gjithmonë i qeshur, i gatshëm në çdo moment me fjalë shprese, që jepte gëzim. Në ecjen time në “Shoqërinë e Jezusit” kam gjetur një mik, që më ka udhëhequr me delikatesë, duke ndërtuar hap pas hapi njohjen time drejt Zotit. Kemi bashkëndarë shumë sfida, ëndrra, shpresa duke shërbyer në misionin, që Zoti na ka dhënë në “Shoqërinë e Jezusit”.
Prania e At’ Lellos ka lënë një shenjë të madhe në realitetin e misionit tonë në Tiranë dhe në famullinë Zemra e Krishtit. Që në vitet 1993 At’ Lello është në shërbimin baritor universitar dhe në shumë kurse formimi në veçanti në atë të formimit Socio-Politik. Shumë persona e kujtojnë At’ Lellon si ai që ka gjetur gjithmonë kohën për të qenë i gatshëm duke dëgjuar njerëzit, me orë të tëra, një fjalë ngushëlluese, që shndërron jetën në momentet më të vështira. 
Në vitin 1996 At’ Lello dërgohet me mision në Shkodër si Atë shpirtëror në Seminarin Ndërdioqezan “Nëna e Këshillit të Mirë” dhe si profesor i psikologjisë dhe moralit në Institutin Filozofik – Teologjik. Fillon një tjetër etapë shumë e rëndësishme për At’ Lellon duke u bërë at’ Shpirtëror për gjithë ato seminaristë, që kanë kaluar vitet bashkë me të. Ishte At’ Lello që jepte mësim, që bënte drejtimin Shpirtëror që argëtohej duke lozur futboll duke qenë në çdo moment i gatshëm. Kështu do ta kujtojmë At’ Lellon të qeshur duke u konsumuar ditë për ditë për dashurinë e Zotit. 
Në vijim të pranisë së tij në Shkodër në vitin 2010 do të emërohej drejtor i gjimnazit “At Pjetër Meshkalla”, duke formuar dhe udhëhequr profesorët për të rritur brezat e rijnë që vinin të shkolla. Përveç detyrës së tij në shkollë, At’ Lello emërohet edhe si kancelar i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër-Pult, duke iu kushtuar Klerit pa u lodhur. 
At’ Lello, një jezuit, që nuk kurseu veten duke vendosur formimin e njeriut para çdo gjëje, duke udhëhequr në shoshitjen e Jetës për të njohur sa me shumë Zotin, Autorin e Jetës, që nuk u ndal asnjëherë edhe përpara syrit kritik kur ishte e nevojshme për të mbrojtur të drejtën dhe dinjitetin e personit. 
At’ Lello, pushofsh në paqe!

03 prill 2024, 17:55