Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ferri, Purgatori, Parajsa. Reflektimet e Papëve

Vdekja i jep fund jetës së njeriut si kohë e hapur për pranimin, ose për refuzimin e Hirit hyjnor. Duke u mbështetur në tekstet papnore e në arkivin zanor të Radio Vatikanit, përshkojmë mësimet e Papëve mbi tre fatet e mundshme për shpirtin njerëzor, për të cilat flet poeti i madh italian Dante Alighieri

R.SH. – Vatikan

Ndarja përfundimtare nga Zoti, hapja, por në mënyrë të papërsosur ndaj Dashurisë së Atit dhe përqafimi me Hyjin. Tre fatet e mundshme të ekzistencës pas vdekjes mund të ndahen në këto skenarë. Në një udhëtim hipotetik në përmasën transhendentale, si ai i propozuar në Komedinë Hyjnore nga Dante Alighieri, tre kushtet e veçanta, në të cilat mund të gjendet shpirti i njeriut pas vdekjes, shprehin afërsinë, ose distancën nga Krishti. Në këto distanca të ndryshme - e tmerrshme, në shkurtim progresiv, ose zero - gjejmë Ferrin, Purgatorin dhe Parajsën apo Parrizin. Këto janë gjendje të shpirtit, që mund të përfaqësohen përmes imazhit të shkëputjes, të dëshirës dhe të takimit.

Dëgjo emisionin me zërat e Papëve...

Do të gjykohemi për dashurinë

Papët kanë folur vazhdimisht për perspektivat e ndryshme të jetës së përtejme, duke nxitur çdo njeri që t'i përgjigjet, në liri të plotë, dashurisë së mëshirshme të Atit Qiellor duke parë fytyrën e Jezusit tek të tjerët, veçanërisht në nevojtarët e në të vuajturit. Ky është kriteri themelor, nga i cili varet shtegtimi përfundimtar i njeriut. "Në mbrëmjen e jetës - thoshte Shën Gjoni i Kryqit - do të gjykohemi sipas dashurisë". Dy kushtet krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën, Ferri dhe Parajsa, manifestohen në këtë dikotomi thelbësore, në të cilën elementi që i dallon nga njëra-tjetra është prania, ose mungesa e Zotit Dashuri.

Ferri: shkëputja nga Zoti

Në jetën e amshuar njeriu nuk mund ta kundrojë Zotin, nëse nuk zgjedh lirisht ta dojë atë. Katekizmi i Kishës Katolike nënvizon se "nuk mund ta duam Zotin, nëse mëkatojmë rëndë kundër tij, kundër të afërmit, ose kundër vetvetes". “Të ndërrojmë jetë në mëkat të vdekshëm, pa u penduar për të dhe pa e pranuar dashurinë e mëshirshme të Hyjit, do të thotë të mbetemi qëllimisht e me vullnetin tonë të lirë, të ndarë prej tij përgjithmonë. E kjo është gjendja e vetë-përjashtimit përfundimtar nga bashkimi me Zotin dhe me të Lumët në qiell, është gjendja, që përshkruan fjala ferr”.

“Kush nuk ka dashuri, mbetet në vdekje. Kushdo e urren të vëllanë, është vrastar. Dhe mirë e dini se asnjë vrastar nuk e ka në vetvete jetën e pasosur (1 Gjn 3,14-15)”.

Mund të përjetohet ferri në tokë kur mundimi shkaktohet nga urrejtja. Në mesazhin radiofonik të Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1944, Papa Piu XI i referohej tragjedisë së luftës dhe kujtonte brezin e burrave dhe grave të shekullit XX, që “përjetoi tmerre të patregueshme kaq intensivisht, sa kujtimi i atyre mizorive do t’u mbetet i ngulitur në memorie e në thellësinë më të madhe të shpirtit, si pamje ferri”.

Ferri është ndarje përfundimtare nga Zoti

Një nga normat themelore të jetës së krishterë, nënvizon Papa Pali VI në audiencën e përgjithshme të 28 prillit 1971, lidhet me faktin se "ajo duhet jetuar sipas horizontit të saj eskatologjik, të ardhshëm dhe të përjetshëm". “Fjalët mbi Parajsën dhe Ferrin - shpjegon Papa Montini - nuk dëgjohen më”. Reflektim, që i paraprin pyetjeve vendimtare. “Çfarë bëhet dhe çfarë mund të bëhet skena e botës pa vetëdijen se detyrimisht, duhet t’i referohemi një drejtësie transhendentale dhe të pashmangshme?” "E cili mund të jetë fati fatal, ekzistencial, personal i secilit prej nesh - pyet Papa Pali VI - nëse Krishti vëlla, mësues dhe bari i ditëve tona të vdekshme bëhet vërtet gjykatës i paepur në pragun e ditës së pavdekshme?” Prandaj, fati përfundimtar i njeriut është i lidhur me përgjigjen e tij, ose ndryshe, me dashurinë e Zotit. Papa Gjon Pali II e kujton këtë në audiencën e përgjithshme të 28 korrikut 1999:

“Zoti është Atë pafundësisht i mirë dhe i mëshirshëm. Por njeriu, i thirrur për t'iu përgjigjur atij në liri, fatkeqësisht, mund të dojë ta refuzojë përfundimisht dashurinë dhe faljen e Tij, duke u larguar përgjithmonë nga bashkimi i gëzueshëm me Të. Pikërisht këtë situatë tragjike vë në dukje doktrina e krishterë kur flet për dënimin, ose ferrin. E njëjta përmasë palumturie, që sjell me vete kjo gjendje e errët, mund të kuptohet disi në dritën e disa përvojave tona të tmerrshme, të cilat e bëjnë jetën, siç thuhet, ferr".

Ferri, vëren, nga ana tjetër, Papa Françesku, është zgjedhja e njeriut, që distancohet nga Zoti. Gjatë vizitës në famullinë romake të Shën Marisë nëna e Shëlbuesit, më 2015, Ati i Shenjtë shpjegoi se "shkon në ferr vetëm ai, që i thotë Zotit: ‘Unë nuk kam nevojë për Ty, kujdesem vetë për veten time", siç bëri djalli, që është i vetmi për të cilin jemi të sigurt se është në Ferr”.

Purgatori: dëshira për Atin Qiellor

Purgatori është fati i atyre, që nuk janë ende gati për bashkimin e përsosur dhe përfundimtar me Zotin. Në Katekizmin e Kishës Katolike kujtohet se, në këtë rast, rruga drejt lumturisë së plotë kërkon pastrimin e shpirtit: "Ata që vdesin në hirin dhe në miqësinë e Hyjit, por janë ende të papastër përsosurisht, megjithëse duhet të jenë të sigurt për shpëtimin e tyre të përjetshëm, i nënshtrohen, pas vdekjes, një pastrimi, që të fitojnë shenjtërinë e nevojshme për të hyrë në gëzimin e qiellit". Prandaj, Kisha e quan këtë pastrim përfundimtar të të zgjedhurve "purgator", që është diçka krejtësisht e ndryshme nga ndëshkimi i të mallkuarve.

“Nuk hezitojmë t’i ndihmojmë ata që kanë vdekur dhe të ofrojmë lutje për ta. (Shën Gjon Gojarti)”.

Purgatori, shpjegon Papa Pali VI gjatë Udhës së Kryqit në Koloseum, në vitin 1965, është dhimbja e të vdekurve, "që buron nga tensioni, bërë jashtëzakonisht i vetëdijshëm, i cili dëshiron lumturinë në Zotin, por nuk mund ta arrijë atë shpejt". Në letrën e titulluar "Tempulli më i madh", në të cilën nxiten murgeshat të luten veçanërisht për Koncilin II Ekumenik të Vatikanit, Papa Gjoni XXIII kërkon lutje edhe për "shpirtrat në purgator, në mënyrë që të përshpejtohet për ta pamja e lumnisë”. Në audiencën e përgjithshme të 12 janarit 2011, Papa Benedikti XVI kujton mësimet e Shën Katerinës nga Gjenova, e njohur sidomos për vizionin e saj të Purgatorit.

“Është e rëndësishme të vërehet se Katerina, në përvojën e saj mistike, nuk ka kurrë ndonjë zbulesë të veçantë për purgatorin, ose për shpirtrat, që pastrohen atje. Megjithatë, në shkrimet e shenjtes sonë frymëzuar nga Zoti, ai është element qendror dhe mënyra e përshkrimit të tij ka karakteristika origjinale për kohën. Tipari i parë origjinal ka të bëjë me "vendin" e pastrimit të shpirtrave. Në atë kohë, ai përshkruhej kryesisht duke përdorur pamje, që lidheshim me hapësirën: mendohej një hapësirë ​​e caktuar, ku gjendej Purgatori. Por, te Katerina, Purgatori nuk paraqitet si element peisazhi në brendësi të tokës: ai nuk është zjarr i jashtëm, por flakë e brendshme. Ky është Purgatori, flakë në shpirt”.

Purgatori është rrugë drejt lumnisë së plotë

“Ka një lidhje të thellë dhe të pazgjidhshme ndërmjet atyre, që janë ende shtegtarë në këtë botë – pra, ndërmjet nesh – dhe atyre, që kanë kaluar pragun e vdekjes për të hyrë në përjetësi”. Papa Françesku e kujton këtë në audiencën e përgjithshme, më 30 tetor 2013, duke nënvizuar se “gjithë të pagëzuarit këtu në tokë, shpirtrat në Purgator dhe gjithë të Lumët, që janë tashmë në Qiell, formojnë një Familje të madhe. Ky bashkim ndërmjet tokës dhe qiellit realizohet veçanërisht në lutjen e ndërmjetësimit”.

Parajsa: takimi me Zotin

Kushdo vdes në hirin dhe në miqësinë e Hyjit jeton gjithmonë me Krishtin. Kjo është Parajsa, jeta e përsosur – lexohet në Katekizmin e Kishës Katolike - "qëllimi i fundmë i njeriut dhe realizimi i aspiratave të tij më të thella, gjendja e lumturisë së epërme dhe përfundimtare". “Me vdekjen dhe ringjalljen e tij, Jezu Krishti na e ka “hapur” qiellin. Jeta e të Lumëve s’është tjetër, veçse zotërimi i plotë i fryteve të shëlbimit, realizuar nga Krishti, i cili i bashkon në lavdin e tij qiellor ata, që kanë besuar në të dhe i kanë qëndruar besnikë vullnetit të tij. Qielli është bashkësia e lume e të gjithë atyre, që janë përfshirë në mënyrë të përsosur në të". “Nuk është koha për të fjetur, sepse Parajsa nuk është krijuar për dembelët”, thoshte Shën Filip Neri.

"Jeta jonë është rrugë drejt Parajsës", pohon Papa Gjon Pali II më 11 mars 1979, duke iu drejtuar fëmijëve të famullisë romake të Shën Bazilit. "Duhet të mendojmë për qiellin! Kartën e jetës sonë të krishterë - shton Papa Wojtyła – ta luajmë duke synuar parajsën!" Pra, Hyji Atë i pret bijtë e vet. Papa Gjon Pali I e kujton këtë në audiencën e përgjithshme të 20 shtatorit 1978:

“Zoti është i gjithëpushtetshëm, Zoti më do pa masë, Zoti është besnik ndaj premtimeve të tij. E është Ai, Hyji i mëshirës, ​​që ndez besimin tek unë; prandaj, nuk ndihem as i vetmuar, as i padobishëm, as i braktisur, por pjesë e një horizonti shëlbimi, i cili një ditë do të çojë në Parajsë. …Do të doja që të lexoni një predikim mbi Alelujën, mbajtur nga Shën Agustini, të dielën e Pashkëve. Aleluja e vërtetë - thotë ai pak a shumë – këndohet në Parajsë. Ajo do të jetë Aleluja e dashurisë së plotë: kjo e tanishmja është Aleluja e dashurisë së uritur, domethënë, e shpresës”.

Në Parajsë, jetojmë gjithmonë me Krishtin

Njeriu nuk duhet të jetojë pa qëllim, pa një destinacion. Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, më 10 maj 2020, Papa Françesku shpjegon se Zoti "ka përgatitur për ne vendin më të denjë dhe më të bukur: Parajsën". “Të mos harrojmë: shtëpia, që na pret, është Parajsa. Këtu jemi kalimtarë. Jemi krijuar për Parajsë, për jetën e amshuar, për të jetuar përgjithmonë. Përgjithmonë: është diçka, që as mund ta imagjinojmë tani. Por është edhe më bukur të mendojmë se kjo ‘përgjithmonë’ do të jetë e gëzueshme, në bashkim të plotë me Zotin dhe me të tjerët, pa lot, pa mëri, pa përçarje dhe trazira”. Vetëm përmes një rruge mund të arrijmë në Parriz. Kjo rrugë është Jezu Krishti: ta imitojmë në dashuri, të ndjekim hapat e tij, do të thotë të gjejmë vendin tonë në Qiell.

11 prill 2024, 09:44