Kërko

Nënë Tereza e Medalja e Mrekullive Nënë Tereza e Medalja e Mrekullive

Çelësi i fjalëve të Kishës: Medalja e Mrekullive, arma sekrete e Nënë Terezës

Mbante me vete një sasi të madhe për t'i shpërndarë. Në Rue du Bac pati kërkuar 30 mijë kopje. “I hidhte me grushta aty ku duhej një hapësirë e re për nevojtarët, veçanërisht nëse projekti dukej i pamundur si shtëpia “Dhurata e Marisë” në Vatikan”, pohon Át Sebastian Vazhakala. Një të tillë ia dhuroi edhe Lady Dianës, Ylenia Carrisi-t dhe kardinalit Angelo Comastri, i cili e mban të ngërthyer në unazë

R.SH. – Vatikan

Armë e fuqishme e hirit të Tënzot, mjet i vërtetë i dashurisë së mëshirshme të Krishtit, i nxitur nga Maria Virgjër, siç ndodhi në dasmën e Kanës së Galilesë. Kjo ishte për shenjten Nënë Terezë, tejet e përkushtuar ndaj Zojës së Bekuar, Medalja e Mrekullive, të cilën e përhapi pa u lodhur në mbarë botën. E pikërisht kësaj marrëdhënieje të veçantë të shenjtes shqiptare të bamirësisë me medaljen e Zojës së Mrekullive ia kushtojmë emisionin e sotëm.

Nënë Tereza mbante me vete shumë kopje të Medaljes së Zojës së Mrekullive, të cilat ua shpërndante njerëzve që takonte. Njerëz të zakonshëm, ose personalitete të mëdha, si princesha Diana e Anglisë, ose Al Bano dhe familja e tij. Ylenia Carrisi-t, vajzës së madhe të këngëtarit, së cilës i humbën gjurmët në janar të vitit 1994, i pati dhënë një më të madhe, sikur ta parashikonte nevojën e saj të veçantë për mbrojtje. Shenjtja shqiptare i pati dhënë një medalje të tillë edhe imzot Angelo Comastri-t, që më vonë u bë kardinali vikar i Papës për Qytetin e Vatikanit, e ai e ngërtheu në unazën e tij ipeshkvnore.

Zakonisht, Nënë Tereza e mbante medaljen e Zojës në duar për disa minuta, pastaj e puthte, lutej në heshtje për disa çaste dhe së fundi, ua jepte njerëzve, që e rrethonin. Fëmijëve u shtonte një karamele dhe një buzëqeshje plot ëmbëlsi të papërshkrueshme.

Zoja e Medaljes së Mrekullive
Zoja e Medaljes së Mrekullive

Shtëpia “Dhurata e Marisë” në Vatikan

Ky gjest kishte një kuptim të veçantë për shenjten dhe për ata, që e merrnin dhuratë Medaljen e Zojës së Mrekullive: garantonte që murgesha do ta kujtonte vazhdimisht personin në lutjet e saj, duke kërkuar ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar. Ajo vetë e përdori këtë medaje (siç e quan populli shqiptar) për t'i kërkuar ndihmë Virgjërës, edhe në misionet e saj më të pamundura të bamirësisë.

Kujton Át Sebastian Vazhakala, epror i përgjithshëm i Misionarëve Kundrues të Dashurisë, i cili i qëndroi pranë për tridhjetë vjet: «I ishte ngulitur në kokë ideja e një qendre mikpritjeje brenda Vatikanit dhe ia kërkoi Papës Gjon Pali II. Por kjo ëndërr dukej e parealizueshme. Sa herë kalonim pranë Selisë së Shenjtë, qoftë edhe me makinë, na bënte të hidhnim medajet e Zojës drejt Sheshit të Shën Pjetrit. Rrallëherë e bënte vetë, sepse kishte frikë se nuk do t’i çonte në destinacionin e dëshiruar, për shkak se ishte shtatvogël. Kjo “hedhje e medaljeve”, siç e quante ajo, ishte gjest i fesë së madhe, me të cilën i kërkonte Shën Marisë dhe Jezu Krishtit t’i jepnin një hapësirë ​​të veçantë për nevojtarët. E mori vesh kardinali Fiorenzo Angelini, kryetar i Këshillit Papnor për Baritorinë e Punonjësve Shëndetësorë, dhe i dërgoi fjalë se "ishte e kotë, mund edhe ta mbulonte Vatikanin me medajet e saj, por ajo që kërkonte, ishte e pamundur". E megjithatë, në vitin 1988, vetëm në gjashtë muaj, u realizua nga vetë Angelini shtëpia “Dhurata e Marisë”, e quajtur kështu pikërisht për këtë arsye. Papa e përgëzoi kardinalin Angelini për shpejtësinë e realizimit të punimeve!”

Papa Françesku dhe Zoja e Medaljes së Mrekullive
Papa Françesku dhe Zoja e Medaljes së Mrekullive

Dukjet e Zojës në Rue du Bac të Parisit

Kur ishte në Paris, një ditë, shkoi të lutej në Rue du Bac, në kapelën e Bijave të Bamirësisë, ku Virgjëra iu shfaq Shën Katerinës Labouré. Murgeshat Vinçenciane u shqetësuan kur e njohën. Eprorja nxitoi t’i bënte nderet e shtëpisë. Në fund të bisedës, Nënë Tereza e pyeti nëse mund t'i jepte disa medaje për t'i marrë me vete: «Sa dëshironi Nënë? 50, 100, 300?” Por shenjtja e ardhshme, me buzëqeshjen e saj të zakonshme, të padepërtueshme, i tha: «Do të desha... 30 mijë, mirë?» Për vite, Nënë Tereza i merrte me shumicë ato nga Bijat e Bamirësisë, në Garbatella të Romës. Një ditë, murgeshat i kërkuan të lutej që Zoti t'u dërgonte motra të reja dhe, po atë javë, një rishtare trokiti në derën e tyre.

Kujtojmë se pikërisht në Rue du Bac n.140, në Paris, në vitin 1830, iu duk Zoja e Bekuar shën Katerinës Labouré, novice në kuvendin e bijave të bamirësisë së Shën Vinçenc de Paolit. Medalja e Mrekullive u realizua sipas kërkesës së Zojës në dukjen e saj të dytë, më 27 nëntor 1830, siç pati treguar Katerina Labouré. Zoja i pati thënë se medaja është shenjë dashurie, premtim për mbrojtje dhe gurrë hiri hyjnor për ata, që do ta mbanin e do të thonin lutjen shigjetore: “O Marie, conçue sans péché, priez pour nous qui avons recours à vous (O Mari, e zënë pa mëkat, lutu për ne që po të thërrasim në ndihmë)”.

Shën Katerina Labouré dhe Zoja e Medaljes së Mrekullive
Shën Katerina Labouré dhe Zoja e Medaljes së Mrekullive

Mrekullia për lumnimin e Nënë Terezës lidhet me Medaljen e Zojës

Edhe mrekullia për lumnimin e Nënë Terezës lidhet me Medaljen e Mrekullive. Monica Besra, 35-vjeçarja nga Bengali Perëndimor, kishte një tumor në bark, që ishte rritur jashtëzakonisht shumë. Më 5 shtator 1998, në përvjetorin e parë të vdekjes së Ganxhe Bojaxhiut, një murgeshë mori një medalje mrekullie, që kishte qenë në kontakt me trupin e Nënë Terezës dhe e lidhi me spango rreth barkut të Monikës, duke u lutur: “O Nënë, sot është dita kur shkove në Qiell. Ti i deshe të varfërit, bëj diçka për Monikën, e cila duhet të kujdeset për pesë fëmijët e saj”. Gjatë natës tumori u zhduk, pa asnjë shpjegim tjetër, përveç dashurisë së Jezusit dhe Marisë, të nxitur nga lutja e ndërmjetësimit dhe nga dëshmia e përvuajtur e shenjtes shqiptare.

18 prill 2024, 09:07