Comece: të zgjerosh BE-në me vende të tjera, "mesazh i fortë shprese"
R. SH. - Vatikan
Në fillim ishte intuitë e etërve themelues Evropa e bashkuar rreth vlerave të mëdha dhe, si pasojë, e aftë për të “garantuar paqen, lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe prosperitetin”. Më pas, sapo lindi Bashkimi Evropian, pikërisht njëzet vjet më parë, ishte koha për të kaluar në një zgjerim të ri, me hyrjen e 10 vendeve të tjera anëtare. Tani, pas "një farë lodhjeje të caktuar nga zgjerimi", lufta që shpërtheu në lindje të kontinentit "po jep shtysë të re për anëtarësimet e ardhshme në Bashkim, veçanërisht përsa i përket vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Lindore". E kjo, “përveç domosdoshmërisë gjeopolitike për stabilitetin e kontinentit tonë”, bëhet edhe “mesazh i fortë shprese”, përgjigje e shumëdëshiruar për qytetarët e vendeve kandidate “që duan të jetojnë në paqe dhe drejtësi”.
Çast historik
Ipeshkvijtë evropianë të Comece, të mbledhur në Lomża të Polonisë për asamblenë plenare të pranverës më 19 prillin e kaluar, donin të hartonin një deklaratë për të riafirmuar këndvështrimin pozitiv lidhur me zgjerimin e kufijve të bashkësisë, duke kujtuar se "Kisha Katolike e shoqëroi nga afër procesin e integrimit europian që në fillimet e tij”. 20 vjet pas "zgjerimit të parë historik të BE-së" - shkruajnë ipeshkvijtë - ai hap ishte "çast historik në procesin e evropianizimit" të Bashkimit, hap përpara drejt "asaj që duhet të jetë", pra "dëshmi e fortë për kohët tona, e cila tregon sesi kërkimi i paqes, rrënjosur në vlerat e përbashkëta, mund të mbizotërojë mbi konfliktet dhe ndarjet".
Zhvillim i ndjenjës së përkatësisë
Natyrisht, vërejnë edhe se krahas "integrimit të fortë politik dhe ekonomik", në shoqëritë evropiane nuk është zhvilluar ende "një dialog i mirëfilltë" ndërmjet "realiteteve kombëtare, kulturave, përvojave historike dhe identiteteve të ndryshme". E, për prelatët e Comece, "derisa të zhvillohet plotësisht fryma e vërtetë evropiane, e cila përfshin ndjenjën e përkatësisë në të njëjtin komunitet dhe të përgjegjësisë së përbashkët, besimi brenda Bashkimit Evropian mund të dobësohet dhe krijimi i unitetit mund të rrezikohet nga përpjekjet për të vënë interesat e veçanta dhe vizionet e ngushta, mbi të mirën e përbashkët”.
Zgjerimi, proces në dy drejtime
Episkopata evropiane kujton gjithashtu se procesi i pranimit në BE është "i dyanshëm". Ai kërkon që vendet dëshirtare të "ndjekin reformat strukturore" në fusha "vendimtare", si sundimi i ligjit, forcimi i institucioneve demokratike, të drejtat themelore, duke përfshirë lirinë fetare dhe lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe atë kundër krimit të organizuar e "duke shmangur edhe standardet e dyfishta në trajtimin e vendeve kandidate”. BE-ja mendon se zgjerimi duhet parë si "mundësi për të aktualizuar idenë e një Evrope të bashkuar, të rrënjosur në solidaritetin praktik" veçanërisht ndaj "anëtarëve më të rrezikuar të shoqërive", sipas idealeve të etërve themelues.
Në zemrat e Papëve
Në fund të fundit, përfundon, deklarata e Comece-s, mbetet i gjallë vizioni i Shën Gjon Palit II: ai i një Evrope të aftë për të "marrë frymë me dy mushkëritë”. E edhe që, si u pati thënë Papa Françesku ipeshkvijve të Kontinentit vitin e kaluar, di ta ruajë "unitetin në larmi' e t’i jetojë 'parimet e bashkëjtesës, të respektimit të traditave dhe të kulturave të ndryshme', duke shmangur rrugën e imponimit ideologjik”.