Kërko

 Don Pasqualino di Dio e Papa Francesco con l'icona della misericordia, 2024.04.07 Don Pasqualino di Dio e Papa Francesco con l'icona della misericordia, 2024.04.07

Figurja e Mëshirës do të shtegtojë nëpër botë, deri në jubileun e vitit 2023

Të Dielën e Mëshirës e në vitin 2024 kushtuar lutjes, nis itinerari ndërkombëtar i Peregrinatio Misericordiae, me një figure të bekuar nga Papa Françesku më 6 nëntor 2023, gjatë audiencës me vullnetarët dhe pacientët e Piccola Casa della Misericordia, në Gela

R.SH. / Vatikan

Porosia e Françeskut ishte i qartë: çojeni figuren ndër Kisha, ndër sheshe dhe në shtëpitë e botës, deri në vitin 2033, vit jubilar, në të cilin do të kremtohen dy mijë vjetët e Shëlbimit, duke kaluar nëpër Jubileun e zakonshëm të 2025. Ky mision iu besua nga Papa vullnetarëve dhe banorëve të Shtëpisë së Vogël të Mëshirës në Gela, Itali,  kur i takoi në fillim të nëntorit të kaluar për të bekuar ikonën e Peregrinatio Misericordiæ, e paracaktuar për të udhëtuar në të gjitha udhët e botës.

E dëshiruar nga të varfërit dhe vullnetarët e Shtëpisë së Vogël të Mëshirës për të përkujtuar 25-vjetorin e themelimit të Vëllazërisë Apostolike të Mëshirës dhe 10-vjetorin e Shtëpisë së Vogël të Mëshirës në Gela, ikona u krijua duke ndjekur rregullat e teknikës së lashtë bizantine dhe duke përdorur materialet kanonike, siç i përshkruajnë manualet, duke shtuar në proces disa relike të shenjtorëve të mëshirës e ​​duke përfshirë - përveç Shën Gjon Palit II dhe Shën Faustina Kowalskas, edhe Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, Shën Terezën e Kalkutës dhe  të lumin Carlo Acutis.

Zgjedhja e së dielës së parë pas Pashkëve, e dëshiruar nga Gjon Pali II në vitin 2000, ka një kuptim të thellë teologjik: tregon lidhjen e ngushtë ndërmjet misterit të Pashkëve të Shëlbimit dhe festës së Mëshirës që mbyll tetëditshin e Pashkëve. Jezusi i pati treguar Shën Faustinës mënyrën për të kremtuar festën duke kërkuar që figurja e Mëshirës Hyjnore të bekohej solemnisht dhe të nderohej publikisht atë ditë. “Atë ditë - ishte premtimi - kushdo që i afrohet burimit të jetës, do të arrijë faljen e plotë të mëkateve dhe ndëshkimeve (...) Asnjë shpirt të mos ketë frikë të më afrohet edhe sikur mëkatet e tij të jenë të kuqe flakë”.

Në vitin 2013, Papa Françesku i kërkoi don Pasqualino di Dio të themelonte Shtëpinë e Vogël të Mëshirës. Falë punës së vullnetarëve nisën aktivitete të ndryshme solidariteti nga Shoqata "Dives in Misericordia, Aps Onlus" dhe kooperativa sociale "Raphael", nga qendra e dëgjimit, deri tek shpërndarja e pakove me ushqime dhe veshjeve, mensa, konvikti, klinika mjekësore dhe nisma të tjera.

Në një autograf dërguar don Pasqualinos, Papa Françesku e quan Shtëpinë e Vogël të Mëshirës "fener drite e shprese në errësirën e vuajtjes dhe të nënshtrimit". Në audiencën private të 6 nëntorit 2023 për 300 shtegtarët nga Gelato, pati përsëritur: "Është e qartë se ju u shqetësuat nga nevojat e vëllezërve dhe motrave që Zoti i vuri në rrugën tuaj, veçanërisht të fundmit, më nevojtarët”. Në këtë kohë pasigurie ndërmjet pandemisë dhe luftërave, fjalët e Jezusit të mëshirshëm, që iu besuan mistikes polake në atë kohë, tingëllojnë fuqishëm: "Njerëzimi nuk do të ketë paqe, derisa të kthehet me besim tek Mëshira Ime".

07 prill 2024, 15:58