Kërko

Gesù e san Tommaso, Vangelo della 2.a Domenica di Pasqua Gesù e san Tommaso, Vangelo della 2.a Domenica di Pasqua

Fjala e Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve “B”, festa e Mëshirës Hyjnore

Fjala e Zotit na ndihmon ta thellojmë misterin e Ngjalljes së Krishtit, ngjarjen qendrore, vendimtare, të fesë sonë të krishterë. Ungjilli na kujton takimin e Tomës Apostull me Krishtin e Ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi

R.SH. - Vatikan

Ja në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe, dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së dytë të Pashkëve, e cila, sipas një tradite të vjetër, kjo e diel e sotme njihet me emrin e Diela in ‘Albis’ që do të thotë e Diela ‘me të Bardha’.

Fjala e Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve “B”

Fjala e Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve “B”

Në këtë të diele të pagëzuarit e Natës së Pashkëve mbanin akoma veshjen e bardhë, simbol i dritës, që Zoti u kishte dhuruar në Sakramentin e Pagëzimit. Më pas e hiqnin veshjen e bardhë, por drita e cila u qe komunikuar, duhej ta pasqyronin në jetën e tyre të përditshme; të vërtetën e të mirën që Zoti ua kishte ndezur në zemra, duhej ta ruanin e ushqenin me kujdes, për t’i dhënë, kështu, botës tonë pakëz dritë nga drita dhe mirësia e Zotit. Papa Shën Gjon Pali II deshi që kjo e diele të kremtohej si festë e Mëshirës Hyjnore: në fjalën ‘mëshirë’, gjente të përmbledhur e të shpjeguar përsëri gjithë misterin e Shëblimit.

Në leximin e Parë ( Vp 4,32-35) të kësaj së diele tregohet se në zanafillën e Kishës në fasha, njerëzit i mbartnin të sëmurët ndër sheshe në mënyrë që, kur të kalonte Pjetri, t’i mbulonte hija e tij: mendonin se kjo hije kishte forcë shëruese. E kjo hije, në të vërtetë, vinte nga Drita e Krishtit e prandaj kishte në vetvete diçka nga forca e mirësisë së Tij Hyjnore. Hija e Pjetrit, përmes bashkësisë së Kishës katolike, u shtri mbi jetën e meshtarëve si hije e mirë, hije shëruese, sepse vjen nga vetë Krishti. Pjetri ishte njeri e, prej këndej, me të gjitha ligështitë njerëzore, por mbi të gjitha, ishte njeri përplot me besim të pasionuar në Jezusin e Ngjallur, ishte përplot me dashuri për Të. E pikërisht përmes fesë e dashurisë së tij, forca shëruese e Krishtit arrinte tek njerëzit, ndonëse e përzierë me gjithë ligështinë e Pjetrit.i

Në fragmentin e Ungjillit (Gjn 20.19-31)kemi  rrëfimin mbi takimin e Tomës Apostull me Krishtin e Ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria që ka për ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Jezusit vijojnë t’i hapen plagë për ne. Çfarë siguri për mëshirën e tij e çfarë ngushëllimi na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të në dashuri dhe me dashuri.  Po mos të harrojmë se ëshira e Zotit na shoqëron ditë për ditë. Po përfundojmë me lutjen e Papës Leoni i Madh: “Luteni Zotin tonë të mirë, që në ditët tona të na e forcojë fenë, ta shumëfishojë dashurinë e ta shtojë paqen. Amen.

                                                   Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Vap 4, 32-35
Një zemër e një shpirt i vetëm. Të krishterët e parë jetojnë thellësisht ligjin e bamirësisë që Jezusi u ka besuar atyre. Kjo është karakteristika e krishterimit. Bota e sotme pret nga të krishterët shenja të një solidariteti të tillë, që realizohet nëpërmjet një jete që bashkëndan të mirat shpirtërore dhe materiale. 

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë. Askush nuk e quante të veten çka do që kishte, por ndër ta gjithçka ishte e përbashkët. Apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi mbi ngjalljen e Zotërisë Jezus e të gjithë gëzonin nderim të madh. Gjithashtu askush prej sish nuk ishte skamnor, sepse ata që kishin ara e shtëpi i shitnin e çmimin e shitjes e binin dhe e vinin te këmbët e apostujve. Atëherë secilit i jepej aq sa kishte nevojë. Fjala e Zotit.  

 Psalmi 117/118

Aleluja, aleluja, aleluja


Lavdërojini Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë, e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thotë tani shtëpia e Aronit,
e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,
e përjetshme është dashuria e tij!

Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, por më përkrahi ndihma e Zotit.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti,
Ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi
në tendat e të drejtëve.

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, erdhi e u bë guri këndit; 
Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë 
tanë! Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
të galdojmë e të gëzojmë në të! 
 

Leximi i dytë 1 Gjn 5, 1-6

Krishti i vdekur dhe i ringjallur na komunikon jetën e tij nëpërmjet Pagëzimit dhe Eukaristisë. Bashkimi i tij me Atin e ka shtyrë Jezusin të dojë njerëzit, bijtë e Atit. Me këtë sjellje Ai ka fituar mbi të keqen dhe ka bërë të rilindë shpresa. Edhe ne nëse jemi të bashkuar me Jezusin mund t’i pranojmë të gjithë ata që Jezusi ka dashur. Besimi bëhet atëherë një angazhim i gëzuar dhe një dashuri e efektshme që jep kuptim. 

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Fort të dashur, kushdo beson se Jezusi është Mesia, është i lindur prej Hyjit. Kushdo e do prindin, do edhe të lindurin prej tij. Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tija. Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit. Urdhërimet e tija nuk janë të rënda. Sepse, gjithçka lind prej Hyjit, ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë! Kush është ai që e mund botën, në mos qoftë ai që beson se Jezus është Biri i Hyjit? Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja! Aleluja!

Pse po më sheh, o Tomë, po beson. 
Lum ata që nuk panë e besojnë!
Aleluja. Aleluja!

 Leximi dyte Gjn 20, 19-31
Tetë ditë pas, erdhi Jezusi i ringjallur dhe u shfaqet dishepujve e atyre u dha paqen e gëzimin e Atit. Vetëm tani ata e njohin arsyen dhe vlerën e vdekjes së tij: në të vërtetë nga kraharori i plagosur dhe nga duart e tij të shporuar u dhurohet atyre paqja e Shpirtit. Ringjallja e Jezusit është fitorja mbi frikën, gëzimi, paqja, dhurata e Shpirtit dhe falja e mëkateve.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.” Porsi Toma, njëri prej të dymbëdhjetave, ai që quhet Binjak, nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit tjerë: “E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigj: “Pa e parë në duar të tija vragën e gozhdëve e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdëve; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.” Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!” Toma i përgjigji: “Zotëria im dhe Hyji im!” Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” Jezusi bëri ndër sy të nxënësve të vet edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij.  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, krydioqeza e Shkodër-Pultit:

 

E DIELA II E PASHKËS ‘B’ - U TREGOI DUART DHE KRAHARORIN.

Vap 4, 32-35; Ps 118 (117); 1 Gjn 5, 1-6; Gjn 20, 19-31

Kjo e diel e parë pas së dielës së Ngjalljes së Krishtit, ka hyrë tashmë në traditën e Kishës me emrin «E diela e Mëshirës Hyjinore» dhe ky emër iu diktua nga vetë Jezusi Shenjtes polake, Faustina Kovalska, në fillimet e shekullit të kaluar.

Padyshim që kjo dëshirë e Jezusit nuk është një rastësi. Jezusi e porositi Motër Faustinën që t’u thoshte njerëzve ta pikturonin një imazh të Tijin ashtu siç po e shikonte ajo. «Cili piktor mund ta pikturojë bukurinë tënde, o Zoti im?» – iu përgjigj gati spontanisht shenjtëresha e ëmbël.

Pamja që kishte ajo para syve, ishte Jezusi në këmbë, me dorën e djathtë të ngritur në formë bekimi, ndërsa me dorën e majtë tregonte kraharorin e Tij, nga i cili dilnin dy rreze ndriçuese: njëra me ngjyrë të bardhë e tjetra me ngjyrë të kuqe. Në trupin e Jezusit të Gjallë, pra, dukeshin qartë plagët e që ka marrë gjatë kryqëzimit. Poshtë imazhit Jezusi e porosit që të shkruheshin fjalët «Jezus, unë besoj në Ty.» Një imazh të tillë besoj se e njohin tashmë të gjithë, sepse devocioni ndaj Mëshirës Hyjnore po rritet çdo ditë e më shumë.

Në Ungjillin e sotëm flitet në mënyrë të përsëritur pikërisht për plagët e Jezusit të Ngjallur. Plagët, pra, janë lidhja mes liturgjisë së Fjalës së kësaj të diele dhe festës së porositur nga Jezusi.

Si ka mundësi që Jezusi, edhe pas Ngjalljes së Tij, vazhdonte t’i kishte ato plagë? Nuk mund të themi se kjo ishte e pashmangshme, sepse përndryshe Atij do t’i ishte dashur të kishte shumë më shumë plagë të tjera në trup: plagët e shumta të kamxhikëve – e që aso kohe nuk ishin thjesht disa gërvishtje apo të nxira, por çarje të forta në mish –, plagët e shkaktuara nga pesha jo e vogël e kryqit që e mbarti vetë dhe plagët e shkaktuara nga kurora e ferrave.

Përse, pra, këto plagë? Mos vallë Trupi i Jezusit nuk ishte edhe aq i Lavdishëm?!

Domethënia e këtyre plagëve tregohet nga vetë gjestet e Jezusit kur ky u shfaqet apostujve, siç e dëgjuam në Ungjill. Thotë Ungjilli se pas përshëndetjes «Paqja me ju!», Jezusi «u tregoi duart dhe kraharorin». Të njëjtin gjest e përsërit edhe me Tomën dyshues. Ky gjest tregon që tashmë plagët e Jezusit janë dëshmia se ai Jezus të cilin këta e kishin parë të mbërthyer në kryq para pak ditësh, është i njëjti me atë që ata po shohin me sytë e tyre. Jezusi dëshironte t’i bindte se Ngjallja e tij kishte ndodhur realisht.

E kjo gjë i gëzon nxënësit: i gëzon fakti se Ngjallja e Jezusit është e sigurtë. Kaq fort do t’ua pushtonte zemrën kjo e vërtetë për të cilën u bënë të sigurtë, saqë – me ndihmën e Hyjit – nuk do të kishin më frikë ta shpallnin, edhe sikur kjo t’u rrezikonte jetën.

Ata njerëz të cilët – për të mos besuar në Ngjalljen reale të Jezusit –  e flenë ndërgjegjen e tyre duke thënë se trupi i Jezusit të vdekur mund të jetë vjedhur e fshehur nga vetë nxënësit e tij, të cilët pastaj kanë dalë të predikonin “përrallën” e Ngjalljes së Tij, si mund të jenë të qetë në këtë përfundim të tyrin, kur shohin se, për hir të kësaj “përralle”, apostujt kanë derdhur gjakun e tyre?

Ngjallja e Jezusit është reale. Apostujt e panë Jezusin e Ngjallur, e prekën, hëngrën me të. Kjo tashmë ishte burimi i pafund i gëzimit të tyre. Kjo ngjallje ua mbushi jetën me energji të re.

Gëzimi real i shkaktuar nga Ngjallja e Jezusit, mund të preket me dorë tek bashkësia e parë e krishterë, gjë të cilën Veprat e Apostujve sot na e përshkruajnë me fjalë vërtetë prekëse: «Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë.» Kaq i plotë ishte përkimi, saqë «askush nuk e quante të veten çkado që kishte, por ndër ta gjithçka ishte e përbashkët.» Ta merr mendja se asgjë nuk e konsideronin më gjë të veten, përderisa për ta e vetmja gjë që ua kishte pushuar zemrat, ishte Jezusi i Ngjallur dhe dëshira për ta dëshmuar atë: «Apostujt, me fuqi të madhe, jepnin dëshmi mbi ngjalljen e Zotërisë Jezus.»

Por le të kthehemi edhe një herë tek plagët e Jezusit, të cilat ishin dhe janë garancia e Ngjalljes së të Kryqëzuarit. Papa Benedikti, me stilin e tij të mprehtë, thoshte edhe se plagët e Jezusit janë edhe «shprehja e jashtme e identitetit të Tij të brendshëm». Pra plagët e Jezusit shprehin identitetin e Personit të Jezusit, domethënë shprehin identitetin e Hyjit.

 E mund ta kuptojmë lehtë se cili është ky identitet: Mëshira. Plagët e Jezusit nuk janë treguesi i asaj që ne i kemi bërë Hyjit duke e kryqëzuar atë; nuk janë dëshmi padie për krimin që njerëzimi ka bërë kundër Hyjit, por janë dëshmi e asaj që Hyji ka bërë në dobi të njerëzimit.

Pikërisht, ngaqë Jezusi është kaq i mëshirshëm, kur u shfaqet apostujve, nuk u thotë: «Po ku shkuat? A nuk ju thashë?», por u thotë: «Paqja me ju!», duke na lënë të kuptojmë se tashmë e ka falur tradhtinë e tyre.

Po ashtu sillet edhe me Tomën dyshues: është Mëshira e Tij ajo që e bën të përkulet mbi dobësinë e këtij biri të vetin për t’ia hapur sytë e fesë. Përballë një Mëshire të tillë Toma gjunjëzohet dhe shpall: «Zotëria im dhe Hyji im!». Në një shpallje kaq të bukur të fesë së vet, Tomën nuk e ka çuar hulumtimi i tij e as dëshmia e fortë dhe e hareshme e apostujve, gjëra ndaj të cilave ai qe treguar indiferent, por e çoi përkulja e mëshirshme e Jezusit mbi dobësinë e tij.

Duke shikuar kah plagët e Jezusit, pra, le të mbushemi edhe ne me shpresë brenda nesh dhe ta le shohim edhe dobësinë tonë nëpërmjet plagëve të Tij.

Gjithashtu, sa herë që plagët e Jezusit mund të na duken si diçka e rendit të dytë, të bëjmë çmosin e të kthehemi në shpirtin tonë për t’u ballafaquar me ato plagë, sepse vetëm ballafaqimi me to na tregon jo vetëm identitetin e Jezusit si Hyj të vërtetë, por edhe si njeri të vërtetë. Do të thotë se ajo që përbën edhe identitetin më të thellë të njeriut, është dashuria, dhurimi i vetvetes dhe falja.

Në leximin e dytë sot dëgjuam disa rreshta të shkëputur nga njëra prej letrave të Shën Gjonit. Ai, duke dashur t’i nxisë të krishterët të cilëvu u drejtohet që të besojnë se «Jezusi është Mesia i lindur prej Hyjit», menjëherë shpjegon se si ne mund të bashkohemi me ata që realisht besojnë në Ngjalljen e Tij: «Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit.» Kur ne besojmë vërtetë se Jezusi e ka mposhtur vjekjen dhe mëkatin, atëherë do ta kemi të lehtë ta mposhtim edhe egoizmin tonë dhe tundimet e të Keqit që na shtyjnë të urrejmë: «Urdhërimet e tija nuk janë të rënda. Sepse, gjithçka lind prej Hyjit, ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë.»

Tepër të bukur e domethënës këto rreshta: nëse Jezusi, i linduri prej Hyjit, e mundi botën dhe vdekjen, atëherë edhe ne, përmes fesë së gjallë, mund t’i zbatojmë urdhërimet e dashurisë që Zoti na mëson, sepse edhe këto urdhërime kanë lindur prej Hyjit.

Në këtë të diel të «Mëshirës Hyjnore», pra, të kërkojmë nga Jezusi që edhe ne të na bëjë të mëshirshëm me njërit-tjetrin.

Thoshte Papa Shën Gjon Pali II: «Jashtë mëshirës së Hyjit, nuk ka asnjë tjetër burim shprese për qeniet njerëzore.» E ishte pikërisht ky Papë i madh ai që e zyrtarizoi në Kishë të kremten e Mëshirës Hyjnore.

 

06 prill 2024, 10:24