Gesu pane di vita, Eucaristia, discepoli di Emmaus Gesu pane di vita, Eucaristia, discepoli di Emmaus

Fjala e Zotit e dielës së 3-të të Pashkëve “B”

Të njohim Jezusin, shokun e udhës për gjithë jetën tonë, të vetmin që di të ndezë ndër zemra ngrohtësinë e fesë e të shpresës, e cila nganjëherë shuhet nga fryma e keqe, që nuk mungon të fryjë mbi jetën njerëzor. Ky është mësimi qё nxjerrim nga Ungjilli i dishepujve të Emausit, që shpallet në liturgjinë e së Dielës së tretë të Pashkëve.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, e kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 3-të të kohës së Pashkëve, ciklit të dytë. Jezusi personalisht zuri vend në mesin e apostujve dhe u tha: “Paqja me ju!”. Dishepujt i dëgjuan faktet e ngjarjes së Emausit, kur Jezusi i Gjallë u duket atyre përsëri, mirëpo ata nuk arrijnë ta njohin akoma (Ungjilli).

Fjala e Zotit e dielës së 3- të të kohës së Pashkëve “B"

Fjala e Zotit e dielës së 3-të të Pashkëve “B”

Ungjilli i kësaj së diele të tretë të Pashkëve, na tregon një tjetër ngjarje të Krishtit të Gjallë, pas vizitës në agim të grave në varrin e zbrazët (shih Lk 24.1-11), vrapimit të Pjetrit tek varri i Krishtit (cf Lk 24,12), manifestimi i të Ringjallurit "si i huaj" (Lk 24,18) para dy dishepujve në rrugën e tyre drejt Emausit (shih Lk 24: 13-35).

Po atë ditë, "e para e javës" (Lk 24: 1), dita e vetme e ringjalljes, por në mbrëmje, dy dishepujt u kthyen në Jeruzalem në dhomën e sipërme (shih Lk 22:12; ), për t'u treguar të Njëmbëdhjetëve dhe të tjerëve se "si e panë dhe njohën Jezusin e Gjallë në thyerjen e bukës" (Lk 24,25). Dhe ja se, papritmas, dishepujt e kuptojnë se Jezusi është në mesin e tyre dhe u drejton fjalën e tij: "Paqja qoftë me ju!", "Shalom 'aleikhem! Paqe me ju! ", një përshëndetje e zakonshme për hebrenjtë, por që atë mbrëmje kjo fjalë jehojë me një forcë të veçantë.

Duke thënë kështu, Jezusi Gjallë u tregon dishepujve duart dhe këmbët e tij me shenjat e kryqëzimit. Po, i Ngjalluri nuk është tjetër veçse Ai që qe kryqëzuar! Kjo ekspozitë e Jezusit të Ngjallur me duart e këmbët e tij të shporuara nga kryqëzimi është një gjest që u kërkon dishepujve të tij që ta takojnë para së gjithash në shenjat e vuajtjes, të mundimit e të vdekjes. Megjithatë, përkundër këtyre fjalëve dhe këtij gjesti, dishepujt nuk arrijnë të besojnë, nuk arrijnë deri te feja. 

Po Krishti Ngjallur ka durim të madh, prandaj i ofron bashkësisë së tij një fjalë të dytë dhe një gjest të dytë. Jezusi i pyet dishepujt nëse kanë diçka për të ngrënë, dhe ata i ofrojnë Jezusit pak peshk të pjekur, ushqimin që rregullisht e hanin së bashku, kur e jetonin aventurën e jetës së zakonshme në Galile. Pasi mori ushqimin, Jezusi Gjallë ngrëni para dishepujve! Pra, Jezusi u jep dishepujve këto shenja që përmbajnë të vërtetën e papërshkrueshme, në mënyrë që ata të besojnë se i Kryqëzuari (Jezusi) me të vërtetë e fitoi vdekjen. Trupi i Tij i kryqëzuar është tani trup i Gjallë, trup që jeton, "një trup shpirtëror" (1 Kor 15,44), dmth., i gjallë në Shpirt, sikur thotë Pali apostull.

                                                       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Vap 3, 13-15.17-19

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Pjetri i tha popullit: “Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lirojë. Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, e kërkuat që t’ju falej gjakësori kurse jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë. Por tani, o vëllezër, unë e di se, si ju si krerët tuaj, e bëtë atë gjë prej padijes. Por në këtë mënyrë Hyji e çoi në vend atë që e kishte paralajmëruar me gojë të të gjithë profetëve: se Mesia i tij do të pësonte. Pendohuni, pra, e kthehuni, që t’ju shlyhen mëkatet.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.


Psalmi 4
Le të shndrisë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate


Kur të thërras në ndihmë,
më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime!
Ti që më shpëtove në vështirësi:
ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!

Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, 
Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë. 
Flijoni fli drejtësie, e shpresoni në Zotin!

Shumë thonë: “Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?”
Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate! 
Posa bie në shtrojë, gjumi menjëherë më merr në qetësi, 
sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.

Leximi i dytë 1 Gjn 2, 1-5

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Fëmijëzit e mi, po ju shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati: Jezu Krishtin, të Drejtin. Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës. Me këtë gjë e dimë se e njohim, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e tija. Kush thotë: “Unë e njoh Atë”, por nuk i mban urdhërimet e tija, është rrenacak dhe e vërteta nuk është në të. Ai që e mban fjalën e tij, në të është vërtetësisht dashuria e përsosur e Hyjit. Me këtë gjë e dimë se jemi në Të. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja Aleluja 

O Zot Jezus, na e shtjello Shkrimin shenjt, dhe ndeze zemrën tonë derisa e dëgjojmë fjalën tënde.
Aleluja. Aleluja

Ungjilli Lk 24, 35-48

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, pasi që u kthyen nga Emausi, dy nxënësit u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur e ndau bukën. Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në midis të tyre dhe tha: “Paqja me ju!” Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. Jezusi u tha: “Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? Shikoni duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë. Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.
Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme’.” Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet dhe u tha: “Kështu është në Shkrim shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë’. Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje". Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci,  krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

Dom Dritan Ndoci: E DIELA III E PASHKËS: UNË JAM. VETË! MË PREKNI E VËRTETOJENI!

Vap 3, 13-15.17-19; Ps 4; 1 Gjn 2, 1-5; Lk 24, 35-48

Me një guxim të pashoq, duke u shprehur edhe me tonë akuzuese, Shën Pjetri del para judenjve, atyre të cilëve u fshihej para se të mbushej me Shpirtin Shenjt, dhe u shpall ngjalljen e Jezusit: «Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet, Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lirojë.»

Shën Pjetri po u printe apostujve në atë mision të cilin Krishti i Ngjallur do t’ua besonte, që ta shpallnin në mbarë botën: «Në emër të tij (Mesisë) do të predikohet në të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.»

Besnik ndaj Zotit të vet, Shën Pjetri e përfundon fjalën e tij duke thënë: «Pendohuni, pra, e kthehuni, që t’ju shlyhen mëkatet!»

Por le t’i kthehemi rreshtave të parë të Ungjillit të sotëm, atyre rreshtave që na flasin për atë takim të parë të të gjithë apostujve njëherësh me Jezusin e Ngjallur. Takim i lum, që ua ndryshoi jetën një herë e përgjithmonë. Është «zili e shenjtë» ajo që ndiejmë për këta njerëz që panë Jezusin e Ngjallur.

Në këtë pjesë ungjillore të marrë nga Ungjilli i Shën Lukës, e shohim qartë se mes kësaj dhe tregimit të Ungjillit të Shën Gjonit – prej nga është marrë pjesa e Ungjillit të së dielës së shkuar – ka shumë ngjashmëri. Kjo është shenjë se sa të freskëta kanë mbetur në kujtesën e nxënësve çastet kur kanë takuar Jezusin e Ngjallur.

Por, gjithsesi, vëmë re se ka edhe disa ndryshime mes tyre. Janë disa detaje të cilat na bëjnë ta përqendrojmë vëmendjen tonë mbi një pikë tjetër.

Në Ungjillin e së dielës së kaluar, kemi parë se si theksi kryesisht vihej mbi dashurinë e Jezusit për nxënësit e vet, mbi përkuljen e tij kundrejt dobësisë njerëzore të tyre, gjë e cila vihej re sidomos tek qëndrimi i Jezusit ndaj Tomës dyshues. Por në Ungjillin e sotëm, përveç kësaj, ka diçka tjetër që theksohet edhe më fort: Jezusi nuk është i gjallë vetëm me shpirt, por edhe me trup.

Se Ungjilli e thekson fort këtë të vërtetë, e vëmë re edhe nga vetë fjalët e Jezusit: «Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia: unë jam!» Nuk u thotë të shikonin fytyrën e Tij, por u paraqet plagët e kryqëzimit. Këtë e bën për t’u treguar se është Ngjallur pikërisht Ai të cilin ata e kanë parë në kryq. Është Ngjallur jo vetëm si shpirt, por edhe si trup, po ai trup që ata e shihnin të mbërthyer mbi atë dru.

E Jezusi këmbënguli: «Unë jam. Vetë! Më prekni e vërtetojeni!» Sikur të ishte vetëm shpirt, nuk mund të prekej. «Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam.» – vazhdoi Jezusi. E pastaj «u dëftoi duart e këmbët».

Apostujt e kishin të vështirë ta besonin një gjë të tillë, edhe pse vetë judaizmi, prej të cilit ata vinin, e predikonte ngjalljen e të vdekurve. Por ata ishin mësuar të mendonin për një ngjallje e cila do të ndodhte në fundin e kohëve! Por Jezusi, më ëmbëlsi, ngul këmbë t’ua mbushë mendjen se është realisht Ai, i gjallë, jo vetëm me shpirt, por edhe me trup.

E Shën Luka, për ta ndezur me emocione tregimin e tij mbi këtë ngjarje të pazakontë, e përshkruan kështu reagimin e apostujve përballë gjithë kësaj skene: «Ata, prej gëzimit, nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur.» Gëzimdyshimhabi, e gjithçka tjetër që mund të prodhojnë në shpirtin njerëzor këta emocione, gjendeshin në shpirtin e këtyre njerëzve që gjendeshin përballë Atij që sapo kishte mposhtur vdekjen.

Si për ta lehtësuar shpirtin e tyre, Jezusi, bën një gjest krejt njerëzor, shumë të thjeshtë, si për t’u treguar se është po Ai, Mësuesi dhe miku i zemrës së tyre: «Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.» Ishte Ngjallur vërtet.

Por, kur ishte kaq e vështirë t’u mbushej mendja apostujve për këtë Ngjallje – me gjithë bagazhin e trashëgimisë së besimit të tyre dhe, mbi të gjitha, me gjithë të dukurat e vetë Jezusit të ngjallur me trup dhe me shpirt – imagjinoni se sa e vështirë ishte që apostujt tani të mund t’ua mbushnin mendjen popujve të tjerë për një ngjarje të tillë, sidomos popujve me kulturë greke, të cilët e pranonin përjetësinë e shpirtit, por kurrsesi ngjalljen prej së vdekuri. Në Veprat e Apostujve na tregohet një histori rreth Shën Palit i cili, kur shkon në Athinë, kërkon fjalën dhe fillon të predikojë në sheshin e tyre. Vendasit fillojnë ta dëgjojnë, por, kur Pali thotë se Jezusi është ngjallur së vdekuri, ata ia presin shkurt: «Për këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër.»

Pra mund ta imagjinojmë se ç’vështirësi ka hasur Kisha fillestare, pikërisht duke predikuar Ngjalljen e Jezusit dhe shpresën për ngjalljen tonë në fundin e kohëve.

Fakti se Krishti është Ngjallur edhe me trup, i sjell botës edhe një mënyrë të re për ta konceptuar trupin njerëzor. Nuk po flasim këtu për ata që e mbivlerësojnë trupin njerëzor duke e anashkaluar krejtësisht përmasën shpirtërore të njeriut, por për ato rryma “shpirtërore” të cilat priren, edhe pa vetëdije, ta zhvlerësojnë trupin e njeriut.

Këto rryma gjoja shpirtërore i shohim edhe në mes të ne të krishterëve. Ekziston një helenizëm si i fshehur në vetëdijen e shumë të krishterëve. A nuk është e vërtetë se sa herë që biem në mëkat, na vjen gati spontanisht t’ia lëmë fajin trupit? Shumë të rinj, për të justifikuar mëkatet e veta, thonë: «Epo, jemi të rinj.» Disa më të rritur, për të justifikuar inatet e mllefet ndaj të tjerëve, si edhe intrigat që fshehin përbrenda, ia lënë fajin moshës. E thënë me fjalë të tjera, kjo do të thoshte se në shpirt do të donin të ishin në hir të Zotit, por s’kanë ç’bëjnë sepse trupi i tyre i shtyn të mëkatojnë.

Por e vërteta është krejt e kundërta: është mangësia e fesë ajo që na bën t’i justifikojmë mëkatet. Përçarja që ka sjellë mëkati i rrjedhshëm, kryesisht e ka rrënjën brenda njeriut e pastaj edhe tek trupi i tij. Kur jemi të dobët përballë mëkatit, fajin nuk e ka kryesisht ana jonë lëndore, por ndërgjegjja jonë e brishtë. Vetëm kur fillojmë formimin i ndërgjegjes, pra kur fillojmë të kalitemi shpirtërisht për ta bërë atë që është e mirë dhe e shenjtë, vetëm atëherë do të mund të fillojmë një jetë vërtet të re.

E jo rrallë kjo kërkon edhe një betejë të vërtetë brenda nesh. Kërkon kthimin nga mëkatet, të cilin e predikonte më guxim Shën Pjetri: «Pendohuni, pra,  kthehuni, që t’ju falen mëkatet!» Pikërisht dëshira e vazhdueshme për të bërë atë që Hyji kërkon, është shenjë se besojmë realisht në Ngjalljen e Jezusit. Prandaj Shën Gjoni thotë sot në letrën e tij: «Me këtë gjë e dijmë se e njohim, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e Tij. Kush thotë: “Unë e njoh Atë”, por nuk i mban urdhërimet e Tij, është rrenacak dhe e vërteta nuk është në të. Ai që e mban fjalën e Tij, në të është vërtetisht dashuria e përsosur e Hyjit.»

Se deri në cilën pikë mund të arrijë gjithpërfshirja e njeriut në jetën me Hyjin e gjallë, na thuhet shumë bukur sot në psalmin që dëgjuam, sidomos tek rreshti që thotë: «Posa bie në shtrojë, gjumi menjëherë më merr në qetësi.» E arsyeja: «sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë». Psalmisti i vë në duart e Hyjit të gjitha: familjen, shëndetin, gëzimet, shqetësimet, ankthet, planet. Feja në Zotin e gjallë e ka përshkuar gjithçka që është tek ai, lëndore e shpirtërore.

Jezusi përpiqet t’ua mbushë mendjen apostujve se është realisht i gjallë për t’u treguar se Ai tashmë e ka mposhtur vdekjen dhe mëkatin, por edhe për t’i bërë ta shohin se sa vlerë ka në sytë e Zotit njeriu: trup e shpirt.

Jo vetëm shpirti, por edhe trupi njerëzor është e mundur që t’i pranojë në vetvete hiret që burojnë nga Krishti i Ngjallur. Ndoshta ngaqë ishte i bindur për këtë, teologu zviceran, Hans Urs von Balthasar, njëri prej teologëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, ka thënë: «Nuk ka një pikë tjetër nisjeje për imitimin e Krishtit, jashtë Ngjalljes së Tij prej se vdekuri.»

Zoti nuk na ka krijuar vetëm shpirt. Të tillë ka krijuar engjëjt. Ne jemi të krijuar trup e shpirt (që nuk janë dy krijesa, por një e vetme) dhe, si të tillë, do të shëlbohemi, ose do të humbasim përjetësisht.

Katekizmi i Kishës Katolike mëson: «Me vdekjen e Tij Krishti na liron nga mëkati, ndërsa me ngjalljen e Tij, na mundëson hyrjen në jetën e re.»

Jetë e re e cila fillon këtu në tokë dhe që e arrin plotësinë e saj në ngjalljen tonë prej së vdekuri në fundin e kohëve.

Dom Dritan Ndoci

13 prill 2024, 09:49