Fjala e Zotit e së dielës së 5-të të kohës së Pashkëve “B”
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takim tonë javor me Fjalën e Zotit të së Dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 5-të të kohës së Pashkëve, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Fjala e Zotit e dielës së 5-të të Pashkëve ‘B’
Fjala e Zotit e kësaj së diele na thërret të qëndrojmë të bashkuar në Krishtin, hardhinë e vërtetë. Shëmbëlltyra e ungjillit të kësaj së diele flet për hardhinë dhe shermendet, për të nënvizuar lidhjen e ngushtë të Zotit me popullin e vet, që vijon në rrjedhë të historisë.
Në shëmbëlltyrën ungjillore theksohet se shermendet nuk lulëzojnë vetvetiu. Varen plotësisht nga hardhia, nga e cila thithin jetë. Kështu edhe ne të krishterët, të shartuar me Pagëzimin në Krishtin, morëm nga ai falas, dhuratën e jetës së re e mund të rrijmë në bashkim jetik me Zotin. Nga ky bashkim, buron risia e krishterë, që mund të ndikojë mbi çdo marrëdhënie personale, mbi çdo mjedis shoqëror. Nëse njeriu bashkohet thellësisht me Jezusin, gëzon dhuratat e Shpirtit Shenjt Zot që, siç na e kujton Shën Pali, janë ‘dashuria, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, zotërimi i vetvetes’.
Në shëmbëlltyrën ungjillore të hardhisë, Jezusi nuk thotë: “Ju jeni hardhia”, por: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet” (Gjn 15,5. Kjo do të thotë se ashtu si shermendet janë të lidhur për hardhi, kështu ju jeni të lidhur për mua, jeni të mitë. E duke më përkitur mua, i përkisni njëri tjetrit. E kjo përkatësi njëri tjetrit dhe Atij nuk është çfarëdo marrëdhënie tjetër ideale, e imagjinuar, simbolike, por – gati gati – një përkatësi Jezusit në kuptimin biologjik, plotë gjallëri. Kisha është kjo bashkësi jete me Të dhe njëri për tjetrin, që bazohet në Pagëzim e thellohet e përforcohet çdo herë më shumë në Eukaristi. “Unë jam hardhia e vërtetë”; ky pohim i Jezusit, në realitet do të thotë; Unë jam ju dhe ju jeni unë – një identifikim i padëgjuar ndonjëherë i Zotit me ne, që jemi Kisha e tij.
Jezusi vazhdon: “Unë jam hardhia e vërtetë, e Ati im është bujkut” (Gj 15,1), ai i pret shermendet e thata e i punon ato që sjellin fryte në mënyrë që të sjellin më shumë fryte. Zoti do të heq nga kraharori ynë zemrën e vdekur, prej guri, për të na dhënë një zemër të gjallë, prej mishi (krh Ez 36,26). Ai do të na dhurojë një jetë të re e plotë fuqi.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Vap 9, 26-31
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, kur Pali erdhi në Jerusalem, përpiqej të bashkohej me nxënës, porse të gjithë ia kishin drojën sepse nuk mund e besonin se me të vërtetë ishte bërë nxënës. Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi te apostujt dhe u tregoi se Sauli e kishte parë Zotërinë gjatë një udhëtimi, sesi Jezusi foli me të dhe sesi Sauli ka predikuar me plot guxim në Damask në Emër të Jezusit. Që atëherë shkonte e vinte bashkë me ta nëpër Jerusalem dhe predikonte me vendosmëri në Emër të Zotërisë. U drejtohej edhe hebrenjve që flisnin greqisht dhe diskutonte me ta, por edhe ata synonin ta vritnin. Kur e morën vesh këtë gjë vëllezërit, e përcollën deri në Cezare e së andejmi e nisën për Tars. Kisha, pra, ishte në paqe në mbarë Judenë, Galilenë e Samarinë; ndërtohej dhe përparonte në frikën e Zotërisë dhe rritej në saje të hirit të Shpirtit Shenjt. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Psalmi 22
Ty të lavdëroj, o Zot, në bashkësinë
e vëllezërve!
Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,
mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!
Ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej
kushtet.
Do të hanë skamnorët e do të ngihen, do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkoj-në:
‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’
Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti mbarë skajet e tokës,
do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.
Sepse Zoti është mbret! Ai sundon kombet!
Atë, vetëm atë do ta adhurojnë
të gjithë ata që pushojnë nën dhe,
para tij do të përmbysen të gjithë ata
që kthehen në pluhur.
Kurse shpirti im për të do të jetojë,
në shërbim të tij do të jetë fara ime,
breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin, për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen: “Kështu bëri Zoti!”
Leximi dytë 1 Gjn 3, 18-24
Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë! Me këtë gjë e dimë a jemi prej së vërtetës. Dhe do ta qetësojmë zemrën tonë para Tij në qoftë se ajo na qorton për ndonjë send. Sepse Hyji është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka. Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse i mbajmë urdhërimet e Tija dhe bëjmë çka Atij i pëlqen. Ky është urdhri i Tij: që të besojmë në Emrin e Birit të Tij – në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. Kush i mban urdhërimet e Tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Aleluja! Aleluja!
Banoni në mua sikurse edhe unë në ju, thotë Zoti: kush mbetet në mua jep shumë fryt.
Aleluja! Aleluja!
Ungjilli Gjn 15, 1-8
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Unë jam hardhia e vërtetë, e im Atë është vreshtari. Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron, që të japë më shumë fryt. Tashmë ju jeni të pastruar me anën e fjalës që ju thashë. Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen. Nëse mbeteni në mua, dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju, lypni gjithçka të doni dhe do t’ju jepet. Më këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt e dëftoheni nxënës të mi.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga Dom Dritan Ndoci, nga krydioqeza e Shkodër-Pultit:
E DIELA V E PASHKËS 'B' : UNË JAM HARDHIA, JU JENI SHERMENDËT.
Vap 9, 26-31; Ps 22 (21); 1Gjn 3, 18-24; Gjn 15, 1-8
Në Ungjillin e sotëm, Jezusi e shpall veten si «Hardhia e vërtetë». Hardhia është një pemë me të cilën të gjithë kemi familjaritet: qoftë ata që jetojnë në fushë, qoftë ata që jetojnë në male, si ai që jeton në fshat, ashtu edhe ai që jeton në qytet.
Kjo mënyrë e Jezusit për të folur për vete me imazhe të kuptueshme e të thjeshta, është gjuha e gjithmonshme e Hyjit: Ai, qysh se krijoi botën, filloi të komunikonte me njerëzit sipas aftësive të tyre. Ashtu bëri edhe kur njerëzit u larguan nga Hiri i Tij duke mëkatuar. Me fjalë dhe simbole të thjeshta dëshironte t’i mësonte njeriut disa nga misteret e madhështisë së Tij.
Duke na thënë se Ai është hardhia, dëshiron të na tregojë se vetëm në Të mund ta gjejmë jetën ne të krishterët, të cilët ai i simbolizon me «shermendët».
Jezusi dëshiron ta theksojë edhe më fort se jeta e një të krishteri nuk ka kuptim jashtë bashkimit intim dhe jetësor me Të. «Kush, mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë.» Sikurse shermendit i duhet të jetë i ngjitur mirë me trungun e hardhisë, që kështu të mund të marrë atë lëngun që i jep jetë, ashtu edhe besimtarit i duhet të kërkojë gjithnjë bashkimin konkret me Jezusin, që kështu të ketë në vetvete të njëjtën energji të Tij.
Kur Gonxhe Bojaxhiu vendosi t’i kushtohej Zotit në jetën rregulltare, e ëma, kur e mori vesh, i tha këto fjalë: «Mirë bija ime, shko. Por përpiqu t’i dhurohesh krejtësisht Jezusit. Vëre dorën tënde në dorën e Jezusit dhe mos e braktis kurrë atë gjatë gjithë jetës sate!» Do të fillonte kështu, e nxitur patjetër edhe nga këto fjalë, historia e lavdishme e Nënë Terezës. E ëma ia kujtoi se vetëm duke qëndruar e bashkuar me Jezusin, mund të jepte fryt.
Njeriu mund të krahasohet me një lule së cilës i ndihet aroma sipas llojit që ka e, të krishterit i duhet të ketë aromën e Krishtit. Në fakt, një i krishterë, herët a vonë, duket nëse është i tillë apo jo.
Thotë Jezusi: «Banoni në mua sikurse edhe unë në ju! Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet.» E fryti që Jezusi do prej nesh, është dashuria. Diku tjetër – po në Ungjillin e Gjonit – Jezusi u thotë nxënësve të vet: «Nëse do ta duani njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi.»
Në jetën e Shën Françeskut të Asizit, thuhet se ai disa herë ishte përpjekur të shkonte në Egjipt për t’i predikuar Ungjillin saraçenëve. Madje thuhet se synonte të takonte edhe vetë sulltanin e Egjiptit, i cili aso kohe sundonte edhe mbi Palestinë.
Kur më në fund Shën Françesku ia doli ta takonte sulltan Malik al Kamil në vitin 1219, arriti të qëndronte pranë tij disa ditë. Thuhet se Shën Françesku u përpoq ta bindte sulltanin të kthehej në krishterim, por kjo teori ka shumë pak baza historike. Ajo që, përkundrazi, ka baza historike, është se gjatë atyre ditëve mes sulltanit dhe Shën Françeskut mbizotëroi një respekt shumë i thellë. Kjo arriti deri në atë pikë sa që, në përfundim të atyre ditëve, sulltani e pajisi Shenjtin me një leje të posaçme që i mundësonte atij e fretërve të tij hyrjen në tokat e sunduara prej tij sa herë të donte.
Tradita thotë se deshi edhe ta mbulonte me dhurata të çmuara, por që Varfanjaku i Asizit i refuzoi me mirësjellje. Atëherë sulltani, i cili pikërisht në ato vite ishte në luftë me ushtritë e krishtera të kryqëzatave, i befasuar nga mirësia e këtij frati të thjeshtë, i tha: «Sikur të gjithë të krishterët të ishin si ti, bota do të ishte shumë ndryshe.» Edhe sot e kësaj ditë Fretërit gëzojnë një respekt të veçantë në ato zona.
Kur Shën Françesku u kthye prej andej, në perëndim shumë pak u fol për këtë takim të mbushur me kaq shumë dinjitet e respekt të anasjelltë mes një sulltani e një frati. Politikat që propagandonin vetëm luftë mes lindjes e perëndimit, deshën ta fshihnin një model të tillë dialogu, por sot po del gjithnjë e më fort në pah se pikërisht ai episod është shembulli më i mirë që mund të merret për dialogun ndërfetar.
Ja pra, një ngjarje e ndodhur para rreth tetë shekujsh, një frat i thjeshtë që kishte vendosur t’i donte e t’i respektonte njerëzit siç na ka mësuar Jezusi, por që ka fituar mbi shumë e shumë dinakëri politike dhe luftëra që kanë marrë gjithë ato jetë njerëzish. Vërtetohet ajo që thotë Jezusi: «Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt.»
E Jezusi sot thotë edhe diçka tjetër, që mund të themi se është deri edhe prekëse: «Me këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt e dëftoheni nxënësit e mi.» Janë prekëse këto fjalë kur e mendojmë se ato kanë dalë nga Zemra e Jezusit, Biri i Atit. Duket sikur Jezusi dëshiron t’i bindë nxënësit e vet që, duke i përngjarë Atij në ushtrimin e dashurisë me anë të veprave të mira, t’ia ngrohin sadopak Zemrën Atit të vet, atë Zemër e cila mjerisht është tepër e vrarë nga të këqijat që shumë njerëz bëjnë në këtë botë.
Por kur fillojmë t’i përngjajmë Jezusit në dashuri, na takon edhe të përballemi me provat, me tundimet, me përndjekjet për shkak të Krishtit, me sëmundjet, me fatkeqësitë e ndryshme.
Këto, Jezusi na fton që të mos i shohim vetëm si rastësi, por si mënyrat e Atit të vet për të na rritur në dashuri: «Secilin shermend në mua që jep fryt, Ati im e pastron, që të japë më shumë fryt.» Shenjtërit kanë pasur shumë vuajtje, shumë prova, por janë mësuar t’i shohin si raste në të cilat Ati qiellor – edhe pse në mënyrë të mistershme – po i ftonte të rriteshin e të piqeshin në dashuri gjithnjë e më të madhe.
Por, nëse përpiqemi t’i shmangim me çdo kusht këto “pastrime” që Ati ynë qiellor na i bën, do të përfundojmë të bëhemi shermendë që s’japin më fryte e do të jemi pa dashuri. Kështu humbim gjithnjë e më shumë hire: «Çdo shermend në mua që nuk jep fryt, Ati e pret.»
Këtu bëhet fjalë për ndërprerjen që ndodh mes ndërgjegjes së njeriut dhe nxitjes për mirë. Njeriu arrin në një pikë ku ndërgjegjja e tij e deformuar nuk reagon më ndaj zërit të Hyjit i cili nxit për mirë. Po u shkëput kjo lidhje, ne do të bëhemi shermendë që fillojnë të thahen.
Prandaj edhe Shën Gjoni në letrën e tij porosit që të mos largohemi nga veprat e mira: «Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë!» E më poshtë shpjegon se kjo konkretisht do të thotë: «Të besojmë në Emrin e Birit të tij, në Jezu Krishtin, dhe ta duam njëri-tjetrin!»
Të besojmë në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin! Kjo është dashuria që na kërkohet ta vëmë në jetë. Shën Pali në leximin e parë arrin ta dojë Jezusin aq fort, sa që kjo lloj dashurie u duket a pabesueshme atyre që ishin mësuar të dëgjonin për të se ishte përndjekës i të krishterëve. Tashmë e donte Jezusin aq fort, saqë «shkonte e vinte bashkë me apostuj nëpër Jerusalem» duke predikuar me vendosmëri në Emër të Jezusit. Kjo «shkonte e vinte» ishte e rrezikshme, sepse apostujt ishin vënë me kohë në shënjestër nga autoritetet e judenjve. E, në fakt, edhe Shën Palin disa prej tyre «synonin ta vritnin» tashmë.
Për Shën Palin do të fillonte kështu një jetë plot përndjekje, udhëtime, rreziqe e lodhje të mëdha, deri në pikën kur, për dashuri të Krishtit dhe për shëlbimin e shpirtrave, do të jepte edhe jetën. Por, në mes të gjithë këtyre vuajtjeve, Shën Pali e ka mbushur botën duke dhënë «shumë fryt», sepse kishte qenë gjithnjë i bashkuar me Krishtin, si shermendi me hardhinë.
Po ne, sa jemi të bashkuar me Krishtin? Sa «fryt» veprash të mira japim në jetë?
Dom Dritan Ndoci